Ruajtja e vrullit të veprimit mbi të drejtat e fëmijëve dhe mjedisin, me fokus ndryshimet klimatike

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 30 gusht 2023 – Në dimrin e vitit 2021, mijëra të rinj nga Maqedonia e Veriut kontribuuan në hartimin dhe miratimin e Deklaratës rinore mbi klimën, duke u bërë thirrje vendimmarrësve që të ndërmarrin veprime specifike për ndryshimet klimatike dhe duke kërkuar më shumë mundësi për të nxitur zgjidhje. Kjo Deklaratë, e miratuar nga Presidenti i vendit dhe e miratuar nga Qeveria, e vendos Maqedoninë e Veriut në ballë të mbështetjes dhe veprimit të udhëhequr nga të rinjtë për klimën.
Sot, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës e ka pohuar në mënyrë eksplicite të drejtën e fëmijëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, duke e lëshuar një interpretim gjithëpërfshirës të detyrimeve të shteteve anëtare sipas Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës. Ky Koment i përgjithshëm duhet të shërbejë si një kujtesë për t’i mbështetur përpjekjet tona për veprimin ndaj klimës, duke e potencuar atë si veprim themelor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Të rinjtë në këtë vend kanë manifestuar lidership të vërtetë në çështjen e ndryshimeve klimatike. Ata e kanë mbrojtur dhe mbështetur me sukses një politikë të re gjithëpërfshirëse, si dhe kanë dëshmuar kapacitete të mëdha inovative dhe vullnet për t’i hartuar dhe zbatuar zgjidhjet e tyre në terren. Ky është burim, të cilin ne duhet ta kultivojmë, nëse duam të mbetemi një vend kampion në edukimin dhe veprimin ndaj ndryshimeve klimatike.” – tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.
UNICEF vazhdon ta mbështesë Qeverinë në fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve në Maqedoninë e Veriut që të jenë agjentë të ndryshimit drejt zvogëlimit të cenueshmërisë së komunitetit ndaj ndryshimeve klimatike – e cila në parim i minon të drejtat e fëmijëve në mbarë botën. Me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Ambasadës së Suedisë në Shkup dhe në bashkëpunim me ministritë kryesore, është zhvilluar një program gjithëpërfshirës për edukimin klimatik me një mori mundësish për edukim dhe angazhim kuptimplotë për mjedisin dhe ndryshimet klimatike për të rinjtë.
Përmes programit, UNICEF i mbështeti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit në hartimin e dokumenteve dhe politikave, të cilat përfshijnë qasje bashkëkohore dhe të provuara shkencërisht ndaj edukimit në lidhje me ndikimin mjedisor dhe ndryshimet klimatike. Si rezultat i kësaj, janë zhvilluar kurrikula të reja, tekste shkollore dhe standarde gjithëpërfshirëse dhe kohezive të të mësuarit, të cilat horizontalisht e integrojnë në disiplina të ndryshme edukimin mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Në këtë drejtim me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve mbi edukimin mjedisor janë pajisur me mjete praktike afro 6000 mësues, dhe janë dhënë udhëzues, trajnime dhe burime edukative, që e lehtësojnë punën e tyre praktike. Deri më sot, mijëra aktivitete dhe eksperimente janë organizuar në të gjithë vendin, duke iu mundësuar më shumë se 35.000 fëmijëve nga kopshtet dhe shkollat fillore t’i kuptojnë konceptet komplekse të mjedisit dhe klimës përmes aktiviteteve praktike të përshtatura për moshën e tyre.
Gjithashtu programi në fjalë e mbështet themelimin e Rrjetit për mësimin e shkencës – i përbërë nga gjashtë institucionet vijuese: Kopshti Botanik – Shkup, Instituti Hidrobiologjik – Ohër, Qendra Arsimore – Negrevë, Narodna Tehnika (Teknika popullore), Shoqëria Ekologjike Maqedonase dhe Parku Nacional – Galiçica. Deri më tani rrjeti për mësimin e shkencës ka treguar potencial masiv për të ofruar aktivitete arsimore dhe punëtori jashtë programit mësimor për shkollat në fushën e ndryshimeve klimatike, dhe për t’i mbledhur të rinjtë përmes angazhimit praktik dhe mundësive për ndërtimin e aftësive. Tashmë rreth 500 nxënës i kanë ndjekur punëtoritë në fazën pilotuese.
Së fundi, 300 të rinj morën pjesë në Programin e inovacionit social, UPSHIFT, i zbatuar në partneritet me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, përmes të cilit ata fituan aftësi, mentorim dhe financim fillestar për të zbatuar 30 ide që synojnë zgjidhjen e sfidave mjedisore në komunitetet e tyre.
Edhe pse vendi ka bërë përparim të rëndësishëm, ky vrull duhet të ruhet me mbështetje të vazhdueshme përmes hartimit të politikave, financimit klimatik dhe vendimmarrjes së përgjegjshme, e cila gjithashtu e merr parasysh ndikimin ndaj të drejtave të fëmijëve. Me Komentin e tij të përgjithshëm, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës jo vetëm që i bën jehonë dhe i fuqizon zërat e fëmijëve, por gjithashtu i përcakton qartë të drejtat e fëmijëve në lidhje me mjedisin, të cilat shtetet palë duhet t’i respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin.
Nëpërmjet disa nismave konsultative, të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë bërë pesë kërkesa të qarta: krijimin e hapësirës për të rinjtë që t’i drejtojnë zgjidhjet klimatike; vendimmarrësit t’i rimendojnë modelet ekonomike dhe të gjejnë mënyra për t’i nxitur industritë të punojnë në mënyrë të qëndrueshme; promovimin e riparimit dhe ripërdorimit dhe produktet e qëndrueshme që zgjasin më gjatë; decentralizimin e prodhimit të energjisë me fokus më të madh në kooperativat e energjisë diellore; dhe përfshirjen e edukimi mbi ndryshimet klimatike në mësimin përmes përvojës.
Kriza klimatike nuk është kërcënim i së ardhmes. Për shumë vite me radhë Maqedonia e Veriut lufton me ndotjen e madhe të ajrit, valët e të nxehtit, përmbytjet, thatësirat dhe zjarret. Efektet janë të dëmshme për të gjithë popullatën, por fëmijët dhe të rinjtë janë veçanërisht të cenueshëm. Ne nuk jemi vetëm përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga dëmtimi i menjëhershëm, por edhe për çdo shkelje të të drejtave të tyre në të ardhmen, për shkak të dështimit tonë për të vepruar sot.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.