Për të gjithë ka vend në ekipin tonë

Filloi fushata kundër diskriminimit në futboll

21 Nëntor 2025
Group photo event
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025

Shkup, 20 nëntor 2025 – Sot, në Ditën Botërore të Fëmijëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Sportit, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe UNICEF-i shënuan fillimin e fushatës “Një ekip për secilin fëmijë – Zero diskriminim”. 

iniciativa në fjalë synon ta promovojë fer-plajin (lojën e ndershme), përfshirjen dhe respektin për secilin fëmijë - me fokus të veçantë tek vajzat, fëmijët romë dhe fëmijët me paaftësi.

“Jemi të bashkuar në kujdesin tonë për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo është një gjë e mirë, sepse vetëm së bashku mund ta përmbushim qëllimin tonë – të kemi breza të shëndetshëm të pajisur me njohuri cilësore. Arsimi është mënyra e duhur për të ndërtuar vlera sportive. Ne përmes aktiviteteve në suaza të programeve mësimore dhe atyre jashtë programeve mësimore i hedhim themelet për një etikë të shëndetshme sportive, për respektimin e diversitetit dhe për inkurajimin e pjesëmarrjes së të gjithë fëmijëve – vajzave, fëmijëve romë dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ajo theksoi se fushata është një mundësi për t’i thelluar programet mësimore me këso tema dhe për ta shfrytëzuar kohëzgjatjen e qëndrimit në shkollë - të cilën Ministria e mbështet - për të organizuar aktivitete jashtëshkollore, të cilat ndërtojnë një kulturë të fer-plajit dhe përfshirjes.

“Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është shumë i kënaqur që i bashkëngjitet kësaj iniciative, andaj i falënderojmë partnerët tanë nga FFM, Ministria e Sportit dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës për gatishmërinë e tyre në realizimin e këtij lloji të fushatës. Po ashtu jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen nga Zyra e UNICEF-it, e cila është thelbësore për sigurimin e një qasje sistematike për mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi në sport”, tha Dushan Tomshiç, kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. “Ne së bashku mund dhe duhet ta krijojmë një mjedis, në të cilin çdo fëmijë ndihet i sigurt, i mirëpritur dhe i inkurajuar për të marrë pjesë. Nuk ka vend për paragjykime ose stereotipe në futboll - vetëm për respekt, lojë të ndershme dhe barazi.”

Në këtë eveniment, fëmijët dhe sportistët e rinj kishin mundësi të marrin pjesë në një panel diskutim të hapur me futbollistë dhe partnerët, ku futbollistët e reprezentacionit të shtetit i ndanë përvojat e tyre lidhur me diskriminimin në sport.

“Jemi këtu për të treguar se diversiteti është forcë dhe se në ekipin tonë ka vend për të gjithë. Ky është ekip, në të cilin nuk ka vend për diskriminimin, gjuhën e urrejtjes ose përjashtimin. Pra, në këtë ekip të gjithë kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe të kenë sukses”, tha Leonid Jandreoski, sekretar i përgjithshëm i FFM-së.  

“Pavarësisht a bazohet në përkatësi etnike, gjini, paaftësi ose prejardhje socioekonomike, diskriminimi e kufizon mësimin, mirëqenien dhe mundësitë gjatë gjithë jetës. Kur ka lojë të ndershme, solidaritet dhe respekt, ndikimi mund të jetë transformues. Të gjithë ne mund të jemi pjesë e këtij ndryshimi, andaj kemi besim te fëmijët dhe të rinjtë për ta drejtuar këtë rrugë”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. 

Ajo iu bëri thirrje sportistëve rinj, që t’i trajtojnë të tjerët ashtu siç do të dëshironin të trajtoheshin edhe ata vetë dhe ta ngritin zërin kundër diskriminimit; trajnerët dhe prindërit të bëhen shembull dhe të vënë rregulla të zero tolerancës ndaj diskriminimit; ndërsa drejtuesit dhe hartuesit e politikave të sigurojnë që secili fëmijë të mund të bëjë sport pa diskriminim. Po ashtu të zgjerohen programet gjithëpërfshirëse në shkolla, klube dhe bashkësi.

Gjatë këtij evenimenti, fëmijët dhe futbollistët e reprezentacionit e hartuan bashkërisht betimin e ligës së të rinjve kundër diskriminimit “Një ekip për secilin fëmijë”. Zotimi do të ndahet me të gjitha klubet në vend, duke u bërë thirrje sportistëve të rinj ta lexojnë betimin para secilës ndeshje dhe në seancat stërvitore. Betimi do të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e nxitjes së një kulture të lojës së ndershme, respektit dhe solidaritetit në sport si dhe të ngritjes së zërit sa herë që janë dëshmitarë të padrejtësisë.

Gjatë fushatës, shkollat ​​dhe klubet sportive do të mbështeten për ta lehtësuar organizimin e diskutimit, duke i ndihmuar fëmijët të njoftohen me stereotipat, ta kuptojnë ndikimin e diskriminimit dhe të mësojnë se si t’i raportojnë sjelljet e dëmshme.

Gjatë fushatës - nga 20 nëntori 2025 deri më 1 mars 2026 - partnerët do të promovojnë mesazhin se ka vend për të gjithë në ekipin tonë.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.