Dëgjoni të ardhmen: Fëmijët e marrin përsipër mbledhjen e nivelit të lartë qeveritar

20 Nëntor 2024
Kids Takeover High-level Government Meeting 2024
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2024

Shkup, 20 nëntor 2024: Sot, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, fëmijët dhe adoleshentët e drejtuan diskutimin në mbledhjen e nivelit të lartë të Qeverisë, ku i ndanë pikëpamjet e tyre mbi tre megatrenda globale, të cilat po e formësojnë të ardhmen e fëmijëve: kriza klimatike, teknologjitë e avancuara dhe ndryshimet demografike.

Rreth 45 fëmijë të moshës 13 deri në 17 vjeç nga mbarë vendi u takuan me kryeministrin e Qeverisë, Hristijan Mickovski së bashku me ministrat e Financave, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës, Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Energjetikës, Minierave dhe Burimet Minerale, Vetëqeverisjes Lokale, me ministrin përgjegjës për Dekadën Rome, zëvendësministrin e Shoqërisë Informatike dhe Transformimit Digjital dhe zyrtarët tjerë, duke përfshirë edhe përfaqësuesen e UNICEF-it.

Sot ndoshta i kisha bashkëbiseduesit më të rëndësishëm nga kryesimi im disamujor i Qeverisë, ata ishin fëmijët. Sot kur kremtohet Dita Botërore e Fëmijëve, së bashku me partnerët tanë nga UNICEF-i, e mbajtëm një mbledhje të përbashkët qeveritare, ku diskutuam mbi pozitën dhe të drejtat e fëmijëve”, tha kryeministri Hristijan Mickoski. “Kjo është dita kur ne nuk duhet vetëm të flasim, por edhe të veprojmë. Qeveria, organizatat e shoqërisë civile, mësuesit, prindërit dhe çdo individ luan rol në këtë luftë. Prandaj, synimi ynë është: të krijojmë programe edukative që do t’i frymëzojnë fëmijët tanë të jenë liderë të së nesërmes; të mbështesim politikat, të cilat e garantojnë mbrojtjen sociale për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata më të cenuarit; t’i dëgjojmë fëmijët të thonë mendimin e tyre dhe t’i përfshijmë ata në proceset vendimmarrëse.”

“Tema jonë e diskutimit, “Dëgjo të ardhmen”, e ngërthen thelbin e Ditës Botërore të Fëmijëve. Pra ky diskutim bën me dije se fëmijët e sotëm janë e ardhmja e vendit dhe e thekson rëndësinë e dëgjimit të ideve të tyre për të ardhmen, që ata e parashikojnë për veten dhe brezat që vijnë”, tha Lesli Miler, përfaqësuesja e UNICEF-it. “Dëgjo të ardhmen” ka të bëjë gjithashtu me shikimin përtej horizontit të drejtpërdrejtë, duke parashikuar sfidat dhe mundësitë që hasen në këtë proces dhe duke vepruar tani për ta ndërtuar një botë më të mirë për secilin fëmijë.”

Mbështetësit e kauzës së fëmijëve e hapën diskutimin mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në jetën e fëmijëve. Ata kërkuan monitorim më të mirë të ndotjes së ajrit dhe sanksione për ndotësit kryesorë industrialë; ndarje të buxhetit për iniciativat e gjelbra, siç është infrastruktura e gjelbër dhe aksioni i gjelbër, i udhëhequr nga të rinjtë; mbështetje për shtigjet e biçikletave, subvencione për biçikletat, përmirësim të transportit publik, ripyllëzim dhe hapësira të gjelbra urbane. Ata gjithashtu kërkuan më shumë mbështetje për burimet alternative të energjisë dhe metodat inovative të menaxhimit të mbeturinave.

Duke folur për teknologjitë e avancuara, fëmijët kërkuan investime në infrastrukturën digjitale në të gjitha shkollat, veçanërisht në mjediset rurale; trajnim për edukim digjital; rregullore për përdorimin etik të IA-së në arsim, duke u fokusuar në privatësinë e nxënësve dhe bazën e të dhënave digjitale të burimeve të qasshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në kontekstin e shëndetësisë, fëmijët propozuan automatizimin e gjerë të proceseve administrative në të gjitha spitalet; sjelljen e rregullores për mbrojtjen e privatësisë së pacientëve; përdorimin e IA-së për analiza të avancuara të të dhënave shëndetësore të popullsisë, me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme shëndetësore dhe krijimit të politikave shëndetësore.

Duke reflektuar mbi ndryshimet demografike dhe ndikimin në jetën e fëmijëve, mbështetësit e kauzës së të rinj u fokusuan në lëvizjet e popullsisë dhe ikjen e trurit. Ata bënë thirrje për krijimin e më shumë mundësive të punësimit dhe stabilitetit më të mirë ekonomik dhe social për të gjithë; qasjen e barabartë në arsim cilësor, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga vendbanimi i tyre; mbështetjen e përmirësuar për arsim cilësor; dhe më shumë aktivitete kulturore dhe sportive në komunitetet lokale.

“Sot patëm mundësinë t’i ndajmë vizionet, shpresat dhe propozimet tona për një të ardhme më të mirë me të gjithë ju që keni fuqinë dhe përgjegjësinë për t’i kthyer këto vizione në realitet. Ky rast nuk është vetëm për ta dëgjuar atë që mendojmë, por edhe për të pranuar se kemi ide dhe zgjidhje konkrete, të cilat mund ta formësojnë shoqërinë tonë drejt zhvillimit dhe barazisë”, përfundoi Kasija, një mbështetëse 17 vjeçare, e të drejtave të fëmijëve.

Maqedonia e Veriut do të zhvillojë disa strategji kryesore nacionale, duke përfshirë Strategjinë nacionale të arsimit, Strategjinë e TIK-së, Strategjinë nacionale të sigurisë kibernetike dhe Kontributin e përcaktuar nacional NDC3.0. Duke përfshirë njohuritë e përbashkëta të fëmijëve dhe duke mbajtur dialogun e vazhdueshëm me ta, vendi synon të sigurojë që perspektivat e tyre të integrohen në të gjitha politikat dhe strategjitë, të cilat ndikojnë në jetën e tyre.  

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.