Konventa për të Drejtat e Fëmijës
Të gjitha të drejtat për të gjithë fëmijët.
- English
- Македонски
- Shqip
Në vitin 1989, liderët botërorë bënë një angazhim historik për fëmijët e botës, duke miratuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve – një marrëveshje ndërkombëtare për fëmijët.
Kjo konventë është bërë traktati më i ratifikuar në histori mbi të drejtat e njeriut dhe ka ndihmuar në transformimin e jetës së fëmijëve në mbarë botën.
Mirëpo edhe sot e kësaj dite jo secili fëmijë mund ta gëzojë një fëmijëri të përmbushur. Megjithatë, shumë fëmijëri janë të shkurtuara.
Tani, një herë e përgjithmonë brezit tonë i takon të kërkojë që udhëheqësit qeveritarë, ata të biznesit dhe komunitetet t’i përmbushin përkushtimet e tyre dhe të ndërmarrin veprime mbi të drejtat e fëmijëve. Ata duhet të angazhohen për të siguruar që çdo fëmijë ta gëzojë çdo të drejtë.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës - versioni për fëmijët
Çfarë paraqet Konventa për të Drejtat e Fëmijës?
Në vitin 1989 ndodhi diçka e pabesueshme. Në sfondin e ndryshimit të rendit botëror, liderët botërorë u mblodhën dhe bënë një zotim historik për fëmijët e botës. Ata iu premtuan të gjithë fëmijëve për t’i mbrojtur dhe përmbushur të drejtat e tyre, duke miratuar një kornizë ligjore ndërkombëtare – Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.
Ky traktat përmban një ide e thellë: që fëmijët nuk janë thjesht objekte që u përkasin prindërve të tyre dhe për të cilët merren vendime, e as janë persona që do të rriten në të ardhmen e andaj duhet trajnuar. Përkundrazi, ata janë qenie njerëzore dhe individë, të cilët i gëzojnë të drejtat e tyre. Konventa thotë se fëmijëria është e ndarë nga mosha e rritur dhe zgjat deri në moshën 18 vjeçare; është një kohë e veçantë, e mbrojtur, në të cilën fëmijëve duhet t’u lejohet të rriten, të mësojnë, të luajnë, të zhvillohen dhe të përparojnë me dinjitet. Konventa është bërë traktati më i ratifikuar mbi të drejtat e njeriut në histori dhe ka ndihmuar në transformimin e jetës së fëmijëve.
Çfarë ka arritur Konventa?
Konventa është traktati më i ratifikuar për të drejtat e njeriut në histori. Ajo i ka frymëzuar qeveritë t’i ndryshojnë ligjet dhe politikat dhe të bëjnë investime në mënyrë që përfundimisht më shumë fëmijë ta marrin kujdesin shëndetësor dhe ushqimin që iu nevojiten për të mbijetuar dhe zhvilluar. Madje Konventa në fjalë ka paraparë masa mbrojtëse më të forta për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe eksploatimi. Ajo gjithashtu ka mundësuar që më shumë fëmijëve t’u dëgjohet zëri dhe të marrin pjesë në shoqëritë e tyre.
Fëmijëria e kohës së sotme: kërcënime dhe mundësi të reja
Pavarësisht progresit të arritur, Konventa ende nuk është zbatuar plotësisht, gjegjësisht nuk është gjerësisht e njohur dhe kuptuar. Miliona fëmijë vazhdojnë t’i vuajnë shkeljet e të drejtave të tyre, kur u mohohet kujdesi adekuat shëndetësor, ushqimi, arsimimi dhe mbrojtja nga dhuna. Fëmijëria vazhdon të shkurtohet, kur fëmijët detyrohen ta lënë shkollën, të bëjnë punë të rrezikshme, të martohen, të luftojnë në luftëra ose të mbyllen në burgjet e të rriturve.
Njëkohësisht ndryshimet globale, si rritja e teknologjisë digjitale, ndryshimet mjedisore, konfliktet e zgjatura dhe migrimi masiv e ndryshojnë plotësisht fëmijërinë. Fëmijët e sotëm përballen me kërcënime të reja për të drejtat e tyre, ndonëse kanë edhe mundësi të reja për t’i realizuar të drejtat e tyre.
Çfarë duhet të ndodhë
Shpresa, vizioni dhe angazhimi i liderëve botërorë në vitin 1989 e sollën Konventën. Tani njëherë e përgjithmonë i takon brezit të sotëm të kërkojë që liderët botërorë, duke filluar nga qeveritarët, komuniteti i biznesit dhe bashkësia në përgjithësi t’iu japin fund shkeljeve të të drejtave të fëmijëve. Ata duhet të angazhohen për veprim për t’u siguruar që secili fëmijë ta gëzojë secilën të drejtë.
Dita Botërore e Fëmijëve
Dita Botërore e Fëmijëve është dita globale e veprimit të UNICEF-it për fëmijët dhe nga fëmijët, e cila shënohet çdo vit më 20 nëntor me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe përshpejtimit të progresit drejt realizimit të të drejtave të fëmijëve. Në këtë ditë kremtohet përvjetori i miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila i përshkruan të drejtat themelore të secilit fëmijë.
Fëmijët i marrin gjërat përsipër është një nga konceptet thelbësore të festimit të Ditës Botërore të Fëmijëve dhe një manifestim i përkushtimit tonë ndaj të drejtave dhe pjesëmarrjes së fëmijëve, duke ofruar platforma për fëmijët për t’i shprehur idetë dhe veprimet e tyre, të cilat mund t’i frymëzojnë përpjekjet kolektive drejt një të ardhmeje ku mbrohen dhe përmbushen të drejtat e fëmijëve.