Rëndësia e lojës në ambient të hapur (si ta mbështesim atë)

Ja çfarë dimë deri më tani rreth asaj se si loja në natyrë u sjell fëmijëve dobi - dhe si ta ndihmoni fëmijën tuaj të luajë në këtë mënyrë, pavarësisht se ku jetoni.

UNICEF
Family playing outside: a father, mother, two girls and a boy.
UNICEF / UN0202881 / Imre Szabo
23 Qershor 2025

Një mori hulumtimesh të reja tregojnë se kur fëmijët luajnë në ambient të hapur, ata kanë shëndet më të mirë fizik, mendor dhe emocional - madje edhe mësojnë më mirë. Ja pse loja në ambient të hapur ka rëndësi –le të shohim si t’i ndihmojmë fëmijët ta arrijnë atë.

Në shumë pjesë të botës, më pak se kurdoherë më parë fëmijët kalojnë kohë në ambient të hapur. Kjo “mungesë” e lojërave në natyrë është më e theksuar te disa fëmijë sesa te disa tjerë. Për shembull, studimet kanë zbuluar se vajzat, fëmijët nga prejardhje tjetër racore ose etnike dhe fëmijët që jetojnë në zona urbane mund të kenë më pak gjasa të kalojnë kohë jashtë. Gjithashtu, sa më shumë që rriten fëmijët kanë më pak gjasa të luajnë jashtë, ndonëse aktiviteti në natyrë u sjell dobi fëmijëve të të gjitha moshave.

Ndonëse nga njëra anë zvogëlohet koha që fëmijët kalojnë jashtë, nga ana tjetër rritet sasia e hulumtimeve që tregojnë se loja në natyrë është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve. Tani më dhjetëra studime kanë zbuluar se kalimi i kohës në ambient të hapur, veçanërisht në lojë të lirë, është i dobishëm për shëndetin fizik të fëmijëve dhe për aftësitë sociale, madje edhe për rritjen e përqendrimit dhe gatishmërisë së tyre për shkollë.

Ja çfarë dimë deri më tani rreth asaj se si loja në natyrë u sjell fëmijëve dobi - dhe si ta ndihmoni fëmijën tuaj të luajë në këtë mënyrë, pavarësisht se ku jetoni. 

Mother and her son playing in the yard, son is on a swing
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2019

Përfitimet e lojërave në ambient të hapur

Një nga përfitimet më të dukshme të lojës në ambient të hapur është se, zakonisht, kjo do të thotë që fëmijët janë fizikisht aktivë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që fëmijët e moshës një deri në katër vjeç të kalojnë të paktën tre orë në ditë duke qenë fizikisht aktivë, ndërsa fëmijët e moshës pesë deri në 17 vjeç të bëjnë të paktën 60 minuta në ditë aktivitet fizik nga niveli i moderuar deri në atë të fuqishëm. Madje OBSH potencon se sa më shumë që angazhohen fëmijët,  aq më mirë është për ta.

Shumë fëmijë nuk arrijnë t’i përmbushin këto pragjet të rekomanduara. Ashtu si të rriturit, ata kalojnë më shumë orë se kurrë më parë ulur - qoftë në tavolina ose para ekraneve.

Meqenëse loja në ambient të hapur zakonisht ka të bëjë me natyrën fizike, nxjerrja e fëmijëve jashtë mund të ndihmojë në kompensimin e këtij deficiti. Në fakt, sipas një studimi fëmijët që kalojnë të paktën dy orë në ditë jashtë kishin 27 për qind më shumë aktivitet fizik (të moderuar deri në të fuqishëm) sesa fëmijët që nuk e bënin një veprim të tillë. Kjo është ndoshta arsyeja pse loja në natyrë është zbuluar se ka përfitime për shëndetin e përgjithshëm kardiovaskular dhe fizik të fëmijëve.

Po ashtu, kalimi i kohës në hapësira të gjelbra mund ta përmirësojë mirëqenien mendore dhe emocionale të fëmijëve. Një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh kanë zbuluar se fëmijët, të cilët kalojnë më shumë kohë në hapësira të gjelbra, siç janë fushat e lojërave të pyllëzuara ose kopshtet, kanë përqendrim më të mirë, nivele më të ulëta stresi dhe rezistencë më të mirë emocionale.

Madje mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave të ADHD-së (Çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit). Një studim më i gjerë i fëmijëve të moshës parashkollore në Norvegji zbuloi se sa më shumë kohë që kalonin fëmijët çdo ditë në ambient të hapur, aq më pak gjasa kishte që të manifestonin simptoma të ADHD-së.

Fëmijët gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të ndërmarrin rreziqe kur luajnë jashtë – fjala bie t ngjiten në një pemë ose të kërcejnë nga një lartësi. Një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh kanë zbuluar se ky lloj ndërmarrje të rreziqeve në ambient të hapur jo vetëm që i ndihmon fëmijët të realizojnë aktivitetin fizik që u nevojitet për të qenë të shëndetshëm dhe të fortë, por gjithashtu e promovon rezistencën, kreativitetin dhe aftësitë sociale të fëmijëve.

Madje mund t’i ndihmojë fëmijët të bëhen më të shoqërueshëm. Studimet kanë zbuluar se kur fëmijët janë në një zonë të gjelbër, ata bashkëveprojnë në mënyrë bashkëpunuese, duke përdorur më shumë gjuhë dhe kreativitet. Ata kanë më shumë gjasa të garojnë mes vete, veçanërisht në bazë të aftësive fizike, si shpejtësia ose forca e tyre, qoftë edhe në zona artificiale lojërash si fushat e lojërave.

E gjithë kjo mund të jetë arsyeja pse loja në ambient të hapur është e ndërlidhur me një gatishmëri më të mirë për shkollë te fëmijët e moshës parashkollore.

Grandfather and small child playing football
UNICEF / 2018

Si ta nxirrni fëmijën tuaj në ambient të hapur

Ka shumë pengesa që fëmijët të mos kenë kohë të mjaftueshme për të luajtur në ambient të hapur. Ndonjëherë, pa dashje, prindërit mund ta luajnë një rol në këtë drejtim. Për shembull, lehtësisht mund të mendoni se loja e lirë në natyrë nuk është aq e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës në krahasim me një aktivitet më akademik, ose sport. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë.

Ne gjithashtu mund të pengohemi nga shqetësimet në lidhje me motin, ose nga ndotja. Por për sa kohë që fëmijët janë të veshur siç duhet dhe të rehatshëm, kjo nuk duhet t’i pengojë ata të luajnë jashtë. Shpesh, entet për edukim shkollor ​​dhe shkollat ​​pyjore çdo ditë i nxjerrin fëmijët jashtë për të luajtur, pavarësisht motit.

Ndonëse shpesh nuk jemi të vetëdijshëm për këto bindje, shumë prej nesh kanë edhe paragjykime se cilët fëmijë “kanë nevojë” për aktivitet fizik, ose cilët mund “t’i përballojnë” lojërat aventureske. Në veçanti, vajzat kanë më pak gjasa të lëshohen jashtë për të luajtur sesa djemtë. Sa më të rritur të jenë fëmijët, aq më pak kohë kanë në dispozicion për të luajtur jashtë. Mirëpo edhe vajzat edhe fëmijët më të rritur edhe adoleshentët përfitojnë po aq sa edhe fëmijët e tjerë nga loja në natyrë.

Sigurisht, jo të gjithë kanë një kopsht prapa shtëpisë ose një pyll aty pranë për të dërguar fëmijët të luajnë. Përderisa gjithnjë e më shumë fëmijë rriten në zona urbane, ata kanë më pak qasje në hapësira të gjelbra. Gjithashtu, nuk është gjithmonë e sigurt të dërgosh fëmijët të luajnë jashtë, qoftë për shkak të trafikut aty pranë, ndotjes së ajrit ose valëve të të nxehtit.

Në këto raste, është e rëndësishme të mbani mend se çka do gjë që të bëni është më mirë se të mos bëni asgjë. Një studim i vogël, për shembull, zbuloi se edhe një shëtitje 20-minutëshe në një park e përmirëson fokusin e fëmijëve me ADHD më shumë sesa një shëtitje në qendër të qytetit ose në një lagje. Mund t’ia vlejë të merret në konsideratë nëse ka ndonjë ndryshim të vogël që mund të bëni në rutinat e familjes suaj, siç është për shembull të ktheheni nga shkolla përmes një shtegu, i cili kalon nëpër një park ose zonë të pyllëzuar (qoftë edhe nëse rruga zgjatet pak më shumë).

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se edhe një hapësirë ​​e vogël e gjelbër mund të bëjë një ndryshim në mirëqenien e fëmijëve. Studiuesit zbuluan se kur ata e ndryshuan vetëm një pjesë të një zone lojërash me asfalt në një zonë me bimë dhe bar, fëmijët që luanin atje u bënë më pak agresivë sesa kur luanin në asfalt. Nëse keni ndonjë hapësirë, madje edhe një verandë ose ballkon të vogël, mund të ia vlejë të merrni në konsideratë nëse mund të fusni ndonjë element të gjelbër që fëmija juaj mund ta shijojë. Këto mund të jenë vetëm disa vazo me bimë në natyrë, një shtëpizë për t’i ushqyer zogjtë ose një e tillë për t’i ushqyer ketrat.

Ju gjithashtu mund të bëni një ndryshim në komunitetin tuaj. Ndani me shkollën e fëmijës suaj ose me këshillin e qytetit tuaj atë që keni mësuar rreth rëndësisë së fëmijëve që luajnë jashtë. Së bashku, komunitetet mund të punojnë për t’i ruajtur parqet, pyjet dhe fushat, të ofrojnë grupe lojërash në pyll dhe shkolla, dhe të përfshijnë daljen në natyrë si pjesë të programeve mësimore të shkollave. Këto iniciativa nuk do t’u sjellin dobi vetëm fëmijëve - ato do t’u sjellin dobi gjithë të tjerëve.