Çfarë është loja e lirë dhe pse duhet ta inkurajoni atë në shtëpi

Mësoni se si loja në mënyrë të pavarur mund të kontribuojë në zhvillimin e fëmijës suaj

By UNICEF
Girl playing with a paper roll as a telescope
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2018

Koha e lojës nuk ka të bëjë vetëm me argëtimin - ka të bëjë edhe me të mësuarit. Kur vogëlushi juaj e reciton një vjershë për fëmijë, ai punon në aftësitë e zhvillimit të gjuhës. A i pëlqen fëmijës suaj ta hedhë topin në ajër dhe ta kapë atë duke zbritur? Ata ndërtojnë aftësi të rëndësishme të koordinimit motorik të raportit duar dhe sy.

Gjatë pandemisë KOVID-19, shumë fëmijë nuk kanë qenë në gjendje të luajnë me shokët e tyre, gjegjësisht me shokët e klasës – diçka që është kritike për zhvillimin e tyre. Ndonëse është e rëndësishme për fëmijët të ndërveprojnë me bashkëmoshatarët e tyre, megjithatë ka edhe përfitime nga loja e pavarur. Ne biseduam me ekspertët e arsimit dhe zhvillimit të fëmijëve Syeda Sazia Zaman dhe Ferdousi Hanum nga Instituti i Zhvillimit Arsimor BRAC në Universitetin BRAC rreth mënyrës se si prindërit mund ta nxisin lojën e lirë te fëmijët e tyre – dhe pse duhet ta bëjnë ata.

Pse është loja kaq e dobishme për fëmijët?

“Loja e përbën bërthamën e zhvillimit të fëmijës”, shpjegon Zaman. Fëmijët e përjetojnë dhe mësojnë për botën e tyre përmes lojës: ata e eksplorojnë mjedisin e tyre fizik, i shprehin emocionet e tyre dhe e ndërtojnë fjalorin e tyre përmes momenteve të lojës. “Lojë është shumë e natyrshme për fëmijët në mbarë botën,” shton Khanom. “Ajo është mjet vërtetë i rëndësishëm për zhvillimin kognitiv, fizik, social dhe emocional të fëmijëve, si dhe për imagjinatën dhe kreativitetin e tyre.”

Çfarë është loja e lirë?

Loja e lirë është kur fëmijët kanë liri të plotë për të luajtur në çfarëdo mënyre që duan. “Ata mund të zgjedhin gjithçka - ata e kanë lirinë t’i zgjedhin materialet e tyre të lojës, zonën e interesit dhe madje edhe planin,” shpjegon Zaman. Gjatë kohës së lojës së lirë, fëmijët mund të shprehen në mënyrën që ata e zgjedhin në varësi të ditës, orës dhe situatës në të cilën ndodhen. “Këto lloj mundësish janë shumë të rëndësishme për fëmijët,” thotë Hanum.

Çdo fëmijë është unik dhe ka mënyra të ndryshme për t’u shprehur. “Ju mund ta keni një fëmijë, që dëshiron të vizatojë, por ndonjë fëmijë tjetër mund të dëshirojë të luajë vetëm me një rebus. Çdo fëmijë ka mënyrë të ndryshme për ta shprehur kreativitetin e tij”, shpjegon Hanum.                                        

Si është e dobishme loja e lirë për fëmijët?

“Ndonjëherë është mirë që fëmijët të luajnë vetëm ose të pavarur, sepse ata mund të jenë më kreativë kur luajnë vetë,” thotë Hanum. Kur një fëmijë luan vetëm, ai angazhohet, duke përdorur imagjinatën e tij dhe “që nga fëmijëria e hershme bëhet i pavarur”, thotë Zaman. Ndërtimi i pavarësisë në një moshë të re është i dobishëm më vonë në jetë.

Loja e lirë është gjithashtu e rëndësishme për t’i mësuar aftësitë e zgjidhjes së problemeve. “Ata mund të përpiqen ta zgjidhin një problem ose vetë ta gjejnë një zgjidhje gjatë lojës. Ata duhet ta shprehin mënyrën e tyre të të menduarit. Këto aftësi zhvillohen kur një fëmijë luan në mënyrë të pavarur”, shpjegon Hanum.

Nga cila moshë prindërit duhet t’ua ofrojnë fëmijëve lojën e lirë?

 Loja e lirë krijon mundësi për fëmijët që ta eksplorojnë botën e tyre në mënyrën e tyre dhe i ndihmon në nxitjen e kreativitetit dhe përdorimin e imagjinatës së tyre, prandaj Hanum dhe Zaman rekomandojnë që fëmijët të fillojmë më këtë lloj loje që në moshë të re. Prindërit duhet t’i inkurajojnë fëmijët e vegjël dhe ata të moshës parashkollore që të përfshihen rregullisht në lojë të lirë, madje me mbikëqyrje të vazhdueshme mund t’u ofrohet edhe foshnjave 6 muajsh.

Si mund ta inkurajojnë prindërit lojën e lirë në shtëpi?

Megjithëse loja e lirë ka të bëjë me pavarësinë, prindërit mund t'i mbështesin dhe inkurajojnë fëmijët e tyre që të kenë një përvojë argëtuese, mësimore dhe me lojë.

Sigurohuni që fëmija juaj ta ketë një hapësirë ​​të sigurt për të luajtur. Kur fëmijët luajnë lirshëm, ata duhet të kenë mundësi ta eksplorojnë dhe të bëjnë shumicën e gjërave vetë, në mënyrë që të ndërtojnë besim dhe pavarësi. Megjithatë, është e rëndësishme të siguroheni që fëmija juaj të ketë mjedis të sigurt për ta bërë këtë. Pastroni zonat e lojës nga çdo rrezik i mundshëm dhe kontrolloni gjatë gjithë kohës së lojës për t’u siguruar që vogëlushi juaj të luajë i sigurt.

Dëgjoni fëmijën tuaj. Pyeteni fëmijën tuaj: “Çfarë do të bëjë sot?” Bazuar në mënyrën se si ata përgjigjen, ndihmoni në krijimin e një mjedisi ku ata mund ta eksplorojnë interesin e tyre. Për shembull, nëse duan të ndërtojnë një shtëpi, ju mund të jepni mbështetje duke siguruar materiale dhe hapësirë ​​të sigurt për të punuar. Mendoni për materialet që do t’i duheshin fëmijës tuaj dhe më pas shikoni përreth shtëpisë tuaj për të parë se çfarë është në dispozicion. Mos kini frikë të bëheni kreativ! Për shembull, nëse fëmija juaj dëshiron të bëjë një rebus dhe ju nuk e keni në shtëpi, përdorni një foto ose një kalendar dhe priteni në copa që ta bashkojë.

Jepni disa të dhëna dhe udhëzime gjatë procesit. Kur fëmija juaj përballet me ndonjë problem, ju mund ta ndihmoni duke e drejtuar drejt zgjidhjes, duke e pyetur “Çfarë do të bësh? Si mund ta zgjidhim këtë problem?” Siç shpjegon Zaman, “Të rriturit nuk duhet të bëjnë gjithçka për fëmijën. Ne vetëm duhet të japim disa të dhëna ose mbështetje se ku fëmijët mund të mendojnë vetë dhe të bëjnë gjëra për veten e tyre.”

Bëjeni atë një aktivitet lidhës. Fakti që fëmija juaj luan vetë, kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të angazhoheni! Nëse fëmija juaj dëshiron të luajë me ju ndërsa jeni të zënë me punë, përpiquni të flisni me të për diçka që mund ta bëjë vetë dhe më pas, kur të mbaroni punën, mund ta shikoni së bashku. Hanum shpesh e praktikon këtë qasje me vajzën e saj: “Unë e pyes “A mund ta shkruash një tregim, të lutem?” E di që ajo ende nuk shkruan siç duhet, por çfarëdo që shkruan është mirë. Pastaj ajo do ta lexojë me zë të lartë për mua.” Duke zbatuar këtë qasje, ju mund të ndihmoni ta angazhoni fëmijën tuaj në aktivitete të ndryshme, ku ai/ajo mund të luajë në mënyrë të pavarur.

>>Lexoni: Ide për lojëra brenda shtëpisë për t’i stimuluar fëmijët e vegjël

>>Mësoni më shumë: Mësimi përmes lojës 


Ky artikull është mbështetur nga  Fondacioni LEGO. Për ide argëtuese të të mësuarit përmes lojës, vizitoni PLAYLIST.

Intervista e realizuar nga Mandi Riç, autor i përmbajtjes digjitale, UNICEF