UNICEF mirëpret miratimin e Planit Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2025-2029
Deklaratë nga Lesley Miller, Përfaqësuese e UNICEF-it
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 14 gusht 2025 — UNICEF-i mirëpret miratimin nga Qeveria të Planit Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2025–2029 - një udhërrëfyes për pasqyrimin e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve në veprime konkrete, të cilat i sjellin dobi çdo fëmije.
Me miratimin e këtij dokumenti, Qeveria përkushtohet t’i fuqizojë përpjekjet e saja në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.
UNICEF vlerëson angazhimet e veçanta të ndërmarra nga Qeveria për përmirësimin e mekanizmave të parandalimit dhe përgjigjes ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit dhe neglizhencës; sigurimin e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore, mbështetjen e shëndetit mendor dhe zhvillimin në fëmijëri të hershme; promovimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe cilësor dhe të mundësive për mësim gjatë gjithë jetës; si dhe fuqizimin fëmijëve për t’i shprehur pikëpamjet e tyre dhe për të ndikuar në vendimet që kanë të bëjnë me ta.
Ne gjithashtu e përshëndesim përfshirjen e masave të politikave për zvogëlimin e varfërisë së fëmijëve në këtë Plan dhe përmirësimin e qasjes në shërbimet themelore sociale pa kurrfarë diskriminim. Zbatimi i Garancisë Evropiane për Fëmijë, e cila në veçanti ka në fokus varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social, gjegjësisht rritjen e parashikuar të përfitimeve financiare për fëmijët prej 15%, mund të ndihmojë në adresimin e pabarazive midis fëmijëve. UNICEF-i pret që këto masa të kontribuojnë në një përfshirje më të madhe sociale dhe barazi midis fëmijëve.
Pikë referimi e rëndësishme e Planit është angazhimi për krijimin e një Komitet Nacional për të Drejtat e Fëmijëve. Krijimi i një organi të tillë, të përhershëm, me mandat për koordinimin e të gjitha aktivitetet dhe monitorimin e përmbushjes së detyrimeve të vendit sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve ishte një nga rekomandimet kryesore të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve në observimet e tija përfundimtare të vitit 2022 për Maqedoninë e Veriut. Krijimi i organit dhe miratimi i planit nacional të veprimit i përmbushin standardet e rëndësishme të pranimit në BE, të përcaktuara në Udhërrëfyesin mbi sundimin e ligjit në vend.
UNICEF-i inkurajon autoritetet të sigurojnë që Plani në fjalë është më shumë se një dokument dhe i njëjti i disponon burimet e nevojshme për zbatimin e tij të plotë. Ne ngelim të përkushtuar në mbështetjen e Qeverisë dhe partnerëve tjerë, të angazhuar në gjallërimin e këtij Plani. Së bashku mund të sigurojmë që secilin fëmijë në vend t’i gëzojë të drejtat e tija të plota, të rritet në një mjedis me mundësi dhe dinjiteti dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.