Deklaratë rinore mbi klimën e miratuar në kuadër të Samitit Rinor të Klimës

21 Tetor 2021
UNICEF Representative Patrizia DiGiovanni, Minister of Education Mila Carovska, and UK Ambassador H.E Rached Galloway at a panel session moderated by Petar Barlakovski, UN Youth Representative
Stefan Samandov

SHKUP, 21 tetor 2021 – Në Samitin Rinor të Klimës në vend, të udhëhequr nga rinia në Shkup, të rinjtë e  miratuan Deklaratë rinore mbi klimën, duke i bërë thirrje vendimmarrësve, të ndërmarrin veprime specifike për klimën dhe duke kërkuar më shumë mundësi dhe hapësirë për të nxitur zgjidhje klimatike.

Samiti Rinor i Klimës - nismë e udhëhequr nga të rinjtë - u mbështet nga UNICEF-i së bashku me ambasadat Italiane, Suedeze dhe Britanike në Maqedoninë e Veriut dhe u organizua pas Youth4Climate – Driving Ambition” (TëRinjtëPërKlimën – Ambicia shtytëse) në Milano dhe para Konferencës së 26-të të Palëve të OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou. Ai bazohet në iniciativën “Rimagjoni të ardhmen” të Kabinetit të Presidentit Pendarovski dhe UNICEF-it, si iniciativë konsultative për të rinjtë, e cila iu jep fëmijëve dhe të rinjve hapësirë për t’u angazhuar në përcaktimin e vizionit, që e dëshirojnë për të ardhmen e tyre.

“Raporti i fundit i Panelit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike – PNNK tregon qartë se ne tashmë po jetojmë në dekadën e fundit, në të cilën mund të ndikojmë në procesin e ngrohjes globale. Sidoqoftë, për ta bërë këtë, është e nevojshme të ndryshohet shpejt dhe rrënjësisht sistemi i energjisë dhe prodhimit në botë. Ne do të duhet të përvetësojmë zakone të reja të qëndrueshme të jetesës dhe të tregojmë shumë më tepër kujdes për mjedisin jetësor. Përndryshe, nëse gjatë kësaj dekade vendimtare nuk arrijmë t’i zvogëlojmë në mënyrë drastike emetimet e gazrave serrë në nivel global, gjegjësisht nëse nuk mundemi ta arrijmë shkallën zero të emetimeve deri në vitin 2050, pashmangshmërisht do të arrijmë në një pikë pa kthim,” deklaroi Sh.T. Stevo Pendarovski, President i Republikës së Maqedonisë së Veriut në fjalimi e tij me rastin e hapjes së evenimentit.   

Në kuadër të Samitit të rinjtë udhëhoqën dy panel diskutime me zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, ku u angazhuan në dialog mbi politikat globale, politikat e BE-së dhe ato shtetërore mbi klimën dhe energjinë dhe mënyrën se si të rinjtë mund të përfshihen përmes aktivizmit, arsimit, sipërmarrjes dhe inovacionit. Panelistët i inkurajuan të rinjtë që të marrin rol aktiv dhe e fuqizuan mbështetjen e tyre për të krijuar hapësirë, që të rinjtë të dëgjohen dhe të mbështeten veprimet klimatike të udhëhequra prej tyre.

“Gjatë përgatitjes së kontributit të rishikuar të Marrëveshjes së Parisit, iu kushtuam vëmendje të veçantë konsultimeve me të rinjtë,” deklaroi Naser Nuredini, Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke shtuar se si institucion përgjegjës për propozimin e politikave klimatike, Ministria i merr parasysh parimet kryesore të përmendura nga të rinjtë në lidhje me veprimet e përshtatshme dhe relevante klimatike. “Ne e kuptojmë rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset nacionale të vendimmarrjes, veçanërisht në fushën e klimës, sepse askush nuk është i prekur më shumë se ata.”

“Programi trevjeçar i UNICEF-it dhe Agjencisë Suedeze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar është integruar plotësisht në reformën e sistemit arsimor të arsimit fillor, të cilin e nisëm këtë vit shkollor. Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë, të flasin dhe të mendojnë gjatë aktiviteteve jashtëshkollore përveç në orët e tyre të rregullta mbi mjedisin jetësor. Ne presim që e gjithë kjo të ofrojë mundësi më të mira dhe edukim më të mirë për të rinjtë tanë, por edhe ta zhvillojë vetëdijen për kujdesin, dashurinë dhe mbrojtjen e planetit Tokë”, tha Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

“Ndryshimi i klimës paraqet një ndër kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë anekënd botës. Raporti global i UNICEF-it mbi rrezikun klimatik të fëmijëve zbulon se 1 miliard fëmijë janë në rrezik jashtëzakonisht të lartë nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. Kjo përbën gati gjysmën e të gjithë fëmijëve në botë. Është e qartë se fëmijët e mbajnë barrën më të madhe të ndryshimeve klimatike dhe se kjo krizë klimatike është në fakt krizë e të drejtave të fëmijëve. Ajo përbën një kërcënim të paprecedentë ndaj shëndetit, ushqimit, arsimit, zhvillimit, mbijetesës dhe potencialit të ardhshëm të të gjithë fëmijëve”, deklaroi Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it. “Kjo situatë kërkon që vendimmarrësit t'i vendosin fëmijët dhe të rinjtë në qendër të planeve të tyre për adresimin e krizës klimatike si dhe ta dëgjojnë zërin e tyre. Sot, në këtë Samit, të rinjtë nuk kërkojnë vetëm veprime - ata veprojnë vetë. Ne kemi për detyrë të vazhdojmë të krijojmë hapësirë, që zëri i tyre të dëgjohet dhe t’i angazhojmë ata në drejtimin e sigurimit të zgjidhjeve.”

“Arsimi dhe ndërgjegjësimi janë që nga mosha më e re elemente thelbësore të përgjigjes globale dhe lokale ndaj sfidave më të mëdha të kohës sonë - ndryshimit të klimës dhe degradimit të mjedisit jetësor. Ne duhet të sigurohemi që të rinjtë tanë të jenë të mirëinformuar dhe të arsimuar në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë me këndvështrimet e tyre unike në ndërtimin e shoqërive të shëndetshme, të gjelbra dhe të qëndrueshme ndaj klimës. Për këtë arsye ndjej kënaqësi, që Suedia, përmes bashkëpunimit të saj zhvillimor është duke e mbështetur këtë projekt në Maqedoninë e Veriut, të fokusuar në ndërgjegjësimin e të rinjve rreth mjedisit jetësor dhe ndryshimit të klimës,” deklaroi Sh.S. Kristin Forsgren Bengtson, Ambasadore e Suedisë në Maqedoninë e Veriut.

“Këtu në Maqedoninë e Veriut kemi realizuar projekte për veprimin klimatik me të rinjtë, me qëllim që t’i përforcojmë zërat e atyre që janë më të prekur nga ndryshimet klimatike, për t’i fuqizuar të rinjtë për të ndërmarrë dhe për të demonstruar veprime frymëzuese, të cilat veç më të rinjtë i ndërmarrin në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Patjetër duhet t’i vëmë të rinjtë në qendër të proceseve vendimmarrëse për ndryshimet klimatike. Tani është koha për të ndërmarrë veprime dhe për të punuar së bashku, me qëllim të ruajtjes së ekosistemit të planetit tonë dhe zvogëlimit të gjurmëve të karbonit,” deklaroi Sh.S. Rejçell Gallouaj, ambasadore e Britanisë së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

“Italia është plotësisht e përkushtuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Angazhimi i brezave të rinj, siç bëmë në Milano dhe po bëjmë sot, është me rëndësi qenësore për të arritur rezultate afatgjate,” tha Sh.T. Andrea Silvestri, ambasador i Italisë në Maqedoninë e Veriut.

Njëra nga delegatët e të rinjve - Angella Busheska - e cila e përfaqësoi vendin në ngjarjen Youth4Climate në Milano ishte pjesë e diskutimit, ku e përcolli një mesazh për bashkëmoshatarët e saj: “Ne nuk mund të lejojmë që dikush tjetër të vendosë për të ardhmen tonë! Përmes Deklaratës rinore mbi klimën, zëri ynë do të arrijë te udhëheqësit shtetëror dhe botërorë. Thirrjet tona për veprim do të paraqiten gjithashtu në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Glasgou. Po ju dërgoj një mesazh të gjithë të rinjve se çdo fjalë dhe çdo veprim që bëjmë nënkupton jetë. Prandaj le të jemi të gjithë të zëshëm për ta bërë ndryshimin”, deklaroi ajo.

Deklarata rinore mbi klimën, e cila u miratua në fund të Samitit, bën thirrje për solidaritet ndërmjet brezave dhe udhëheqje shembullore të të gjitha institucioneve, si dhe përfshin pesë çështje specifike: krijimin e hapësirës për të rinjtë, që t’i drejtojnë zgjidhjet klimatike; vendimmarrësit t’i rimendojnë modelet ekonomike dhe për t’i gjetur mënyra për stimulim të industrive, që të punojnë në mënyrë të qëndrueshme; promovimin e riparimit dhe ripërdorimit të produkteve të qëndrueshme, që qëndrojnë më gjatë; decentralizimin e prodhimit të energjisë me fokus më të madh në kooperativat e energjisë diellore; dhe përfshirjen e edukimit mbi ndryshimet klimatike me mësimin eksperimental. 

Deklarata e përfaqëson zërin e mijëra të rinjve nga vendi, që është produkt i përfshirjes së tyre në iniciativat e mëparshme konsultative si “Pjesëmarrja kuptimplotë e të rinjve për aksionin klimatik dhe ambicia e kontributeve të përcaktuara nacionale (KPN)”, “Riimagjinoni të ardhmen” dhe “U-raporti”.

Samiti Rinor Klimën ishte një nismë e udhëhequr nga të rinjtë e mbështetur nga UNICEF-i dhe e financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), i organizuar në partneritet me Ambasadën e Italisë, si vend nikoqir i Samitit Rinor të OKB-së mbi Klimën në Milano, dhe ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, si vend mikpritës i konferencës së OKB-së për ndryshimet klimatike në Glasgou.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.