Deklarata e Rinisë mbi Klimën

Samiti i Rinisë mbi Klimën, Maqedonia e Veriut, tetor 2021

Ndryshimi i klimës është një nga kërcnimet më të mëdha me të cilin përballen fëmijët dhe të rinjtë në botë. Indeksi i UNICEF-it mbi rrezikun e klimës ndaj fëmijëve zbulon se 1 miliard fëmijë janë në “rrezik jashtëzakonisht të lartë” nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. Kjo është pothuajse gjysma e të gjithë fëmijëve në nivel botëror. Fëmijët e pësojnë barrën më të madhe të ndryshimit të klimës, andaj ne duhet të veprojmë me urgjencë, për të siguruar që fëmijët e sotëm të trashëgojnë një planet të jetueshëm.

Ne i përfaqësojmë të rinjtë e Maqedonisë së Veriut. Përmes disa nismave konsultative, siç janë “Pjesëmarrja kuptimplotë e të rinjve për aksionin klimatik dhe ambicia e kontributeve të përcaktuara nacionale (KPN)”, “Ri-imagjino të ardhmen” dhe “U-raporti”, e kemi dëgjuar zërin e mijëra të rinjve anekënd vendit.

Prandaj ne bëjmë thirrje për veprim nga institucionet tona publike dhe private për:

Lërini të rinjtë të jenë bartës të zgjidhjeve klimatike

Ne u bëjmë thirrje vendimmarrësve që të krijojnë hapësirë që ne të dëgjohemi dhe një vend në tryezat vendimmarrëse në shkollat, komunat tona dhe brenda Qeverisë. Ne duam institucione të hapura dhe transparente publike dhe private që do të krijojnë hapësirë për ne që të angazhohemi në mënyrë konstruktive në vendimmarrjen politike në vendin tonë në çdo nivel.

Rimendimi i modelit ekonomik

Ne bëjmë thirrje që institucionet përkatëse publike dhe private të rimendojnë modelin ekonomik dhe të gjejnë mënyra për të stimuluar industritë që të punojnë në mënyrë të qëndrueshme, të minimizojnë shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe të krijojnë vende pune të gjelbra. Përdorni potencialin krijues të të rinjve për të krijuar një model ekonomik më të drejtë dhe më të gjelbër që i shërben jetës, qëndrueshmërisë mjedisore dhe mirëqenies sociale.

Promovimi i riparimit dhe ripërdorimit dhe mbështetja e qëndrueshmërisë më të gjatë të produkteve

Shterja e resurseve dhe harxhimi i materialeve janë ndër shkaqet kryesore që shkaktojnë degradimin e mjedisit. Ne u bëjmë thirrje industrive dhe vendimmarrësve të zhvillojnë produkte që kanë qëndrueshmëri më të gjatë dhe një sistem që inkurajon riparimin, ripërdorimin dhe qarkullimin, në mënyrë që të mund të zvoglojmë presionin mbi natyrën tonë dhe të ulim mbetjet në deponi.

Inkurajimi i kooperativave energjetike

U bëjmë thirrje institucioneve publike dhe private që të krijojnë një mjedis të favorshëm për prodhimin e decentralizuar të energjisë dhe të fokusohen në krijimin e kushteve adekuate për burime të ripërtëritshme të energjisë, me fokus në energjinë solare. Inkurajimi i të rinjve për të krijuar kooperativa energjetike do t'u sigurojë atyre përfitime ekonomike dhe do t'i ndihmojë ata të kontribuojnë në adresimin e krizës klimatike.

Edukimi për ndryshimin e klimës me mësim eksperimental

Ne bëjmë thirrje për sisteme dhe programe arsimore që ofrojnë aktivitete më praktike, argëtuese dhe praktike për të na ndihmuar ne dhe brezat e rinj të kuptojmë dhe adresojmë shkaqet dhe ndikimet rrënjësore të ndryshimit të klimës. Ne kërkojmë më shumë mundësi për të mësuarit eksperimental dhe ndërveprues që do të na fuqizojë me njohuritë, aftësitë, vlerat dhe qëndrimet e nevojshme për të vepruar si agjentë të ndryshimit.

Ne, të rinjtë, bëjmë thirrje për solidaritet midis brezave dhe për udhëheqje shembullore nga institucionet publike dhe private të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka kohë për të humbur. E ardhmja jonë është e ndërlidhur dhe planeti ynë është i përbashkët.

Ne, të rinjtë, jemi të përkushtuar dhe të gatshëm të veprojmë me urgjencë dhe guxim. Pra, bashkohu me ne!