Konferenca e parë rinore mbi klimën
Të rinjtë do t’i drejtojnë veprimet lokale dhe do të ndikojnë në vendimet globale mbi klimën
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 12 qershor 2025 – Të rinjtë organizojnë Konferencën e parë lokale rinore – LCOY Maqedonia e Veriut 2025, e cila do të mbahet nga 12 deri më 14 qershor në Shkup. Në konferencë, të rinj nga i gjithë vendi do të diskutojnë për sfidat lokale të klimës dhe mjedisit, do t’i ndajnë idetë e tyre mbi prioritetet nacionale mjedisore dhe do të kontribuojnë në krijimin e qëndrimit global të të rinjve përpara Konferencës së OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike (COP 30), e cila do të mbahet në nëntor të këtij viti.
Konferenca lokale rinore organizohet nga grupi rinor Kolektiv Zet dhe është projektuar si një ngjarje tre-ditore intensive dhe praktike. Ajo do të përfshijë prezantime nga ekspertë mbi proceset dhe politikat klimatike, punëtori interaktive mbi çështjet lokale mjedisore dhe seanca pjesëmarrëse mbi zhvillimin e qasjeve të drejtuara nga të rinjtë në procesin e vendimmarrjes.
Ankica Sokoliç, bashkëthemeluese e Kolektiv Zet e cila mori pjesë në COP29, deklaroi: “Në COP29, u magjepsa nga ajo se sa të përgatitur, të informuar dhe të përfshirë janë të rinjtë nga rajonet tjera në suaza të negociatave klimatike të vendeve të tyre. Kjo më frymëzoi ta pyes veten - çfarë mungon këtu? Si mund të jemi më aktivë, si shumë të rinj të tjerë në mbarë botën? Kështu lindi ideja e organizimit të Konferencës së parë lokale rinore në Maqedoninë e Veriut.”
Njëri nga objektivat e Konferencës është njohja e pjesëmarrësve me detyrimet e vendit në kuadër të procesit të Konventës Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike, në mënyrë që të rinjtë të mund t’i monitorojnë institucionet në lidhje zbatimin e angazhimeve të marra përsipër si dhe t’i mbajnë ato përgjegjëse. Pjesëmarrësit do të diskutojnë se si ta krijojnë një mekanizëm për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje në lidhje me klimën në nivel shtetëror, gjegjësisht si ta forcojnë zërin e të rinjve në negociatat globale mbi klimën.
Rezultat kyç i Konferencës do të jetë përgatitja e një Deklarate nacionale rinore, e cila do të kontribuojë në qëndrimet, të cilat do të votohen në Konferencën Globale Rinore dhe në fund do të prezantohen nga të rinjtë në COP30.
Konferenca Globale Rinore mbahet çdo vit pak para Konferencës së OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike. Si e tillë ajo i bashkon të rinj nga e gjithë bota për të formësuar dhe paraqitur një qëndrim të përbashkët rinor në negociatat e COP-së. Në prag të kësaj konference, të rinjtë inkurajohen të organizojnë konferenca lokale rinore për t’i adresuar çështjet nacionale dhe lokale mjedisore dhe për të kontribuar në deklaratën globale rinore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për vendet më të vogla si Maqedonia e Veriut, të cilat shpesh nuk kanë një përfaqësim formal të të rinjve në COP.
“UNICEF-i me krenari e mbështet Konferencën lokale rinore në Maqedoninë e Veriut, si një hapësirë për angazhimin e të rinjve në formësimin e debatit dhe marrjen e vendimeve mjedisore në nivel nacional dhe global, të cilat do të çojnë në zgjidhje për një botë më të qëndrueshme dhe të drejtë”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it.
Konferenca lokale rinore në Maqedoninë e Veriut 2025 organizohet nga Kolektiv Zet, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Europe House Shkup, në bashkëpunim me Liderët për Edukim, Aktivizëm dhe Zhvillim (LEAD), Rrjetin e veprimit klimatik të Evropës, Eko-ndërgjegjësimin, Shoqatën Maqedonase të Avokatëve të Rinj, Qendrën për Ndryshimet Klimatike, Këshillin Nacional Rinor të Maqedonisë së Veriut dhe Shoqatën Ekologjike të Maaqedonisë së Veriut.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.