Sipas raportit të ri mbi klimën, ndotja e ajrit, valët e të nxehtit dhe thatësira janë tre rreziqet më të përhapura, të cilat e kanosin shëndetin e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut

16 Qershor 2026
Aerial view of a polluted city.
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2024

Shkup, 16 qershor 2026 – Sipas raporti të ri global të UNICEF-it, të publikuar sot, fëmijët në Maqedoninë e Veriut janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, të cilat kur shoqërohen me valë të nxehta, thatësira dhe ndotje të ajrit, e prekin shumicën prej tyre.

Raporti mbi rrezikun klimatik ndaj fëmijëve për vitin 2026 konstaton se kërcënimet klimatike tashmë janë të përhapura dhe ndikojnë ndaj shëndetit, zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Rreth tre të katërtat e fëmijëve përjetojnë thatësirë ​​(73 për qind), gati nëntë në dhjetë fëmijë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit (87 për qind) dhe pothuajse të gjithë fëmijët (99.9 për qind) janë të ekspozuar ndaj ndotjes së dëmshme të ajrit.

“Fëmijët në Maqedoninë e Veriut rriten në një klimë në ndryshim e sipër, ku për fat të keq nxehtësia ekstreme, thatësira dhe ajri i ndotur janë pjesë e jetës së përditshme”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. “Ndonëse vendi ka vënë në zbatim disa masa të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve, presionet klimatike shënojnë rritje dhe kërkojnë veprime urgjente për zvogëlimin e ndikimit të dëmshëm ndaj shëndetit, arsimit dhe mirëqenies së fëmijëve.”

Raporti në fjalë thekson se në të njëjtën kohë shumica e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut janë të ekspozuar ndaj më shumë se një rreziku klimatik, duke rritur kështu rrezikun e ndikimeve të përkeqësuara ndaj shëndetit, mësimit dhe zhvillimit të tyre të përgjithshëm.

Pavarësisht përpjekjeve për ta zvogëluar cenueshmërinë e fëmijëve, megjithatë ngelin boshllëqe, veçanërisht në shtrirjen e mbrojtjes sociale, duke i vënë fëmijët nga familjet më të pafavorizuara në rrezik më të madh nga ndikimet klimatike.

UNICEF-i bën thirrje për veprime urgjente klimatike, të përqendruara te fëmijët në Maqedoninë e Veriut, duke pranuar se fëmijët preken në mënyrë disproporcionale nga rreziqet klimatike, andaj duhet dhënë atyre përparësi gjatë hartimit të politikave klimatike. Nevojiten veprime të vazhdueshme për t’i ulur më tej emetimet dhe për të trajtuar ndotjen e ajrit, për ta forcuar qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësor, arsimit dhe mbrojtjes sociale për t’iu bërë ballë goditjeve klimatike, si dhe për të siguruar që fëmijët dhe adoleshentët të jenë të pajisur dhe të fuqizuar për të marrë pjesë në zgjidhjet klimatike dhe proceset e vendimmarrjes, të cilat ndikojnë në të ardhmen e tyre.

“Njëkohësisht mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet klimatike paraqet edhe domosdoshmëri urgjente edhe mundësi”, tha Miller. “Duke investuar sot në shërbimet e rezistueshme, Maqedonia e Veriut mund t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve dhe ta ndërtojë një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë.”


Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: 

Suzie Pappas Capovska | Tel: (02) 3231-244 | [email protected]

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.