Në kërkim për ajër të pastër
Aktivistët e rinj të fuqizuar për të ndërmarrë veprime
- English
- Македонски
- Shqip
"Shumë nga iniciativat e gjelbra kanë karakter simbolik, andaj edhe nuk funksionojnë,” thotë 19 vjeçarja Desanka, aktiviste mjedisore nga Shkupi, Maqedonia e Veriut. Desanka ka punuar me të rinj të tjerë në hartimin e një peticioni drejtuar qeverisë, duke kërkuar gjoba më të larta për fabrikat që nuk i ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për cilësinë e ajrit.
“Ndalimi i ndotjes së ajrit që në gjenezë është gjëja më e rëndësishme që duhet ta bëjmë. Fabrikat duhet të përballen me gjoba nëse nuk i përdorin filtrat e duhura”, shpjegon Desanka, e cila i ka përjetuar vetë efektet e ndotjes së ajrit. “Unë kam jetuar në një fshat. Vitin e kaluar kam ardhur në Shkup për të studiuar mjekësi. Tani ndjehem sikur jam duhanpirëse: kam një kollë të vazhdueshme, ndonëse nuk pi duhan.”
Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) anë e kënd Shkupit (Maqedonia e Veriut) nivelet e PM2.5 – grimcave me diametër më të vogël se 2.5 mikrometra – i tejkalojnë në masë të madhe nivelet e konsideruara si të sigurta për shëndetin. Këto grimca toksike përthithen lehtësisht në qarkullimin e gjakut dhe janë më të dëmshme për fëmijët pasi bëjnë kërdi në mushkëritë, zemrat dhe trurin e tyre, i cili është në zhvillim e sipër.
Sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, një pjesë e konsiderueshme e ndotjes së ajrit në vend (45 për qind) vjen nga sistemet e ngrohjes që përdoren në familje dhe institucione publike. Kjo komplikohet më tej nga trafiku i rëndë dhe industria.
Nisma e UNICEF-it Youth4CleanAir (Të rinjtë për ajër të pastër) mbështet të rinjtë nga i gjithë vendi, si me rastin e Desankës, për t’i fituar aftësitë dhe njohuritë që iu nevojiten për t'i mbrojtur autoritetet e tyre lokale dhe publikun e gjerë për cilësi më të mirë të ajrit.
Nisma në fjalë jo vetëm që i ka mbështetur të rinjtë që të mësojnë mbi cilësinë e ajrit dhe t’i përkrahin politikat për trajtimin e ndotjes së ajrit, por gjithashtu u ka mundësuar atyre të rriten dhe të zhvillohen personalisht. “Mua më ka dhënë shumë besim, pasion dhe fokus," thotë Enisi, 19 vjeçar. “Kam mësuar shumë mbi cilësinë e ajrit, por edhe për veten time.”
Përderisa ka ende shumë punë për të bërë, këta të rinj ndihen të fuqizuar nga reagimi i autoriteteve lokale. “Ata na kanë marrë seriozisht. Ne ulemi me ta në tavolinë dhe e diskutojmë një mënyrë drejt ajrit më të pastër”, thotë Desanka.
Për t’i përforcuar zërat e fëmijëve dhe të rinjve dhe për ta mbështetur përfshirjen e tyre në vendimmarrje për cilësinë e ajrit dhe politikat mjedisore, në vitin 2024 UNICEF mbajti 15 punëtori për të rinjtë mbi cilësinë e ajrit në pesë komuna të prekura rëndë nga ndotja e ajrit. Këto ofruan një mundësi për të rinjtë që ta ngritin zërin e tyre, t’i mbështesin ato iniciativa në komunitetet e tyre, të zhvillojnë iniciativa dhe të kontribuojnë në vendimmarrje nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë ndikimin në planet komunale të cilësisë së ajrit, për të siguruar që ata t’i adresojnë nevojat specifike të fëmijëve dhe të rinjve.
Të rinjtë parashtruan një sërë kërkesash specifike për institucionet vendore dhe qendrore si zëvendësimi i sistemeve ndotëse të ngrohjes në shkolla dhe enteve parashkollore, zbatimi i politikave të zonave me emetim të ulët përreth shkollave, transporti publik i besueshëm dhe i qëndrueshëm, inspektimet e forcuara për objektet industriale dhe subvencionet për familjet për t’i zëvendësuar sistemet e ngrohjes, gjegjësisht sistemet ndotëse të gatimit.
Gjithashtu UNICEF-i punon për t’i angazhuar fëmijët më të vegjël në tema mjedisore, përfshirë ndotjen e ajrit. Vitin e kaluar, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe UNICEF-i e nisën Rrjetin e mësimit nga përvoja, me qëllim që ta sjellin shkencën dhe mjedisin më afër fëmijëve, duke përfshirë të mësuarit rreth ndotjes së ajrit. Rrjeti, i cili përfshin Shoqërinë Ekologjike Maqedonase, Kopshtin Botanik - Shkup, Institutin Hidrobiologjik - Ohër, Qendrën Arsimore - Negrevë, “Narodna Tehnika” (Teknika Popullore) dhe Parkun nacional - Galiçica, zhvilloi dhe drejton një program arsimor jashtëshkollor, i cili i prek fëmijët dhe adoleshentët në arsimin fillor dhe atë të mesëm. Deri më tani, mbi 3,000 nxënës nga e gjithë Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë në këto punëtori.
Angella Ivanova, 26, nga Shkupi është një nga mentorët në Institutin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. Që nga fillimi ajo është përfshirë në mënyrë aktive në zhvillimin dhe zbatimin e Rrjetit të mësimit nga përvoja dhe është përfshirë edhe në programe tjera arsimore të Kopshtit Botanik dhe në organizimin e garave nacionale në biologji për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
“Zakonisht, fëmijët nuk kanë mikroskop në shkollat e tyre. Kur ata vijnë këtu, ne u tregojmë atyre se si duken bimët nga brenda, duke përdorur një mikroskop dhe ju menjëherë e shihni habinë në fytyrat e tyre. Ata janë të kënaqur. Të gjithë e interpretojnë ndryshe”, shpjegon Angella. “Ne gjithmonë e bëjmë lidhjen midis bimëve dhe cilësisë së ajrit, sepse ato janë kritike për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.”
UNICEF punon në të gjithë Ballkanin Perëndimor në partneritet me qeveritë, sektorin privat, shoqërinë civile dhe Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit me qëllim të trajtimit të niveleve të ndotjes së ajrit që janë ndër më të këqijat në Evropë. Puna jonë përfshin përmirësimin e edukimit mjedisor në shkolla, mbështetjen e programeve arsimore për aftësitë e gjelbra, rritjen e ndërgjegjësimit për shkaqet dhe ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit në komunitet, angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në gjenerimin dhe menaxhimin e të dhënave mbi cilësinë e ajrit.