Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve u bën thirrje shteteve të ndërmarrin veprime mbi udhëzimet e para për të drejtat e fëmijëve dhe mjedisin, me fokus në ndryshimet klimatike

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Sot, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve i bëri publike udhëzimet autoritative për shtetet se çfarë duhet të bëjnë për ta mbrojtur të drejtën e fëmijëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Përballë thellimit të krizës klimatike, Komiteti i specifikoi detyrimet sipas Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.
GJENEVË/NJU JORK, 28 gusht 2023 - Për herë të parë, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës e ka potencuar në mënyrë eksplicite të drejtën e fëmijëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, duke vënë në pah interpretimin gjithëpërfshirës të detyrimeve të shteteve anëtare në bazë të Konventës së OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijës.
Kjo Konventë, e hartuar në vitin 1989 dhe e ratifikuar nga 196 shtete, i përshkruan të drejtat universale të fëmijëve si e drejta për jetë, mbijetesë dhe zhvillim dhe e drejta për shëndet. Komenti i përgjithshëm ofron udhëzime ligjore se çfarë nënkuptojnë këto të drejta për një temë specifike ose fushë të legjislacionit. "Komenti i përgjithshëm nr. 26, i publikuar rishtas, mbi të drejtat e fëmijëve dhe mjedisin, me fokus të veçantë në ndryshimet klimatike” e trajton në mënyrë eksplicite urgjencën klimatike, kolapsin e biodiversitetit dhe përhapjen e ndotjes, duke përshkruar kundërmasat për ta mbrojtur jetën dhe perspektivat e jetës së fëmijëve. Filip Xhafe, anëtar i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve deklaron:
“Fëmijët anekënd botës e kanë udhëhequr luftën kundër ndryshimeve klimatike; duke u bërë thirrje qeverive dhe korporatave të tyre që të ndërmarrin veprime për ta mbrojtur planetin dhe të ardhmen e tyre. Me komentin e përgjithshëm nr. 26, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës jo vetëm që i jep jehonë dhe e përforcon zërin e fëmijëve, por njashtu i përcakton qartë të drejtat e tyre në lidhje me mjedisin, të cilat shtetet palë duhet t’i respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin... bashkërisht dhe urgjentisht. !”
“Ky Koment i ri i përgjithshëm e shënon një hap jetik më tej drejt pranimit të faktit se çdo fëmijë në Tokë ka të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Qeveritë tani duhet të ndërmarrin veprime urgjente për ta adresuar krizën globale mjedisore në mënyrë që t’i vënë në jetë këto fjalë frymëzuese,” thotë Dejvid Bojd, raportuesi special i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisin.
Komenti i Përgjithshëm nr. 26 bën qartë me dije se shtetet janë përgjegjëse jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga dëmtimi i menjëhershëm, por edhe për shkeljet e parashikueshme të të drejtave të tyre në të ardhmen për shkak të veprimeve të shteteve - ose dështimit për të vepruar tani. Për më tepër, ai thekson se shtetet mund të mbahen përgjegjës jo vetëm për dëmet mjedisore që ndodhin brenda kufijve të tyre, por edhe për ndikimet e dëmshme të dëmtimit mjedisor dhe ndryshimeve klimatike përtej kufijve të tyre. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet dëmtimit joproporcional, me të cilin përballen fëmijët në situata të pafavorshme.
196 shtetet, të cilat e kanë ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijës, duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme, duke përfshirë organizimin e largimit gradual nga përdorimi i qymyrit, naftës dhe gazit natyror dhe kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë; përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe sigurimin e qasjes në ujë të pastër, transformimin e bujqësisë industriale dhe peshkimit për të prodhuar ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm dhe për ta mbrojtur biodiversitetin.
Udhëzimi në fjalë thekson se pikëpamjet e fëmijëve duhet të merren parasysh në vendimmarrjen mjedisore, madje edhe e thekson rolin kritik të edukimit mjedisor në përgatitjen e fëmijëve për të ndërmarrë veprime, për të siguruar mbrojtje dhe për ta mbrojtur veten nga dëmtimi mjedisor. Vetë Komenti i përgjithshëm nr. 26 është rezultat i angazhimit global nga brezi në brez, duke përfshirë konsultimin e gjerë me shtetet anëtare, organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, si entitetet dhe organet e specializuara të Kombeve të Bashkuara, institucionet nacionale të të drejtave të njeriut, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë fëmijët.
Xhoshua Hofert, drejtor ekzekutiv i Terre des Hommes, Gjermani, thotë: “Fëmijët janë më së paku përgjegjës për krizën klimatike, ndonëse vuajnë më shumë nga pasojat e saj: çdo vit 1.7 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeçare e humbasin jetën për shkak të dëmeve mjedisore, të vilat në parim janë të shmangshme. Megjithatë, fëmijët dhe të rinjtë janë të nënpërfaqësuar në pothuajse të gjitha proceset vendimmarrëse mbi politikat mjedisore. Me komentin e përgjithshëm nr. 26, ne jemi përpjekur ta ndryshojmë këtë. Deri më sot grumbullimi i më shumë se 16,000 kontributeve të fëmijëve nga 121 vende ka qenë një nga proceset më gjithëpërfshirëse të pjesëmarrjes së fëmijëve në nivel të OKB-së. Ne si Terre des Hommes, jemi krenarë që e kemi koordinuar këtë proces të jashtëzakonshëm të komenteve të përgjithshme me Komitetin e OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijëve.”
Terre des Hommes — partneri zyrtar i Komitetit për zhvillimin e Komentit të përgjithshëm nr. 26 — e udhëhoqi procesin me palët e interesuara në shumë nivele, duke përfshirë dhe angazhuar në mënyrë të konsiderueshme fëmijët nëpërmjet konsultimeve në internet, me qëllim të përpilimit të formën dhe përmbajtjes së tekstit. Në drejtim të mbështetjes së Komitetit, Organizata ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve e koordinoi një Bord global këshillëdhënës të përbërë nga ekspertë dhe një ekip prej 12 këshilltarësh fëmijë të moshës 11-17 vjeç. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), si anëtar i Bordit Këshillëdhënës, ofroi ekspertizë të mëtejshme teknike dhe ndihmoi në mbledhjen e pikëpamjeve nga fëmijët në mbarë botën si pjesë e procesit të konsultimit.
Njëra nga këshilltarët e fëmijëve, Āniva, aktiviste 17-vjeçare për klimën dhe të drejtat e fëmijëve nga Ishujt e Paqësorit, komentoi: “Për mua, Komenti i përgjithshëm do të thotë ndryshim mbarë botëror, i cili është i nevojshëm derisa ne ecim përpara në luftimin e çështjeve mjedisore dhe ndërmarrim veprime globale në mbrojtjen e planetit tonë si për të mirën e brezin tonë, po ashtu edhe për gjeneratat që do të vijnë pas. Komenti i përgjithshëm iu jep fëmijëve një bazë më të fortë në ligjin ndërkombëtar lidhur me zbatimin e të drejtave tona për një mjedis të shëndetshëm. Globalisht, ne po shohim më shumë veprime për njerëzit për ta mbrojtur mjedisin përmes të Drejtave të Njeriut, ndërsa GC26 e përbën një pjesë të rëndësishme të kësaj.”
Komenti i përgjithshëm nr. 26 ndihmon në interpretimin e angazhimit të shteteve sipas Marrëveshjes së Parisit për respektimin, promovimin dhe shqyrtimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e fëmijëve kur ndërmarrin veprime për t’i adresuar ndryshimet klimatike. Ai gjithashtu e bën të qartë se vlerësimet e ndikimit të të drejtave të fëmijëve duhet të ndërmerren për të gjithë legjislacionin, politikat dhe projektet, rregulloret, buxhetin ose vendimet tjera që kanë të bëjnë me mjedisin. Shtetet do të duhet t’i raportojnë periodikisht Komitetit të OKB-së për përparimin përkatës që e kanë bërë në mbrojtjen e të drejtave mjedisore të fëmijëve.
“Financimi klimatik dhe vendimet e politikave vazhdojnë t’i neglizhojnë nevojat e fëmijëve,” tha Palloma Eskudero, këshilltare speciale e UNICEF-it për mbrojtjen e të Drejtat e Fëmijëve dhe Veprimin mbi Klimën. “Ky avaz duhet të ndryshojë. Komenti i përgjithshëm është një thirrje urgjente për vendet që t’i japin përparësi veprimeve në çdo aspekt të fëmijërisë të ndikuar nga ndryshimet klimatike, siç është e drejta e fëmijës për arsimim, për ujë të sigurt dhe një mjedis të shëndetshëm. Kriza klimatike është krizë e të drejtave të fëmijëve. Çdo qeveri e ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat e çdo fëmije në çdo cep të planetit, veçanërisht të atyre djemve dhe vajzave, që jetojnë në vendet që kanë kontribuar më pak për këtë problem, por që po përballojnë përmbytje, thatësira, stuhi dhe nxehtësi më të rrezikshme.”
Shënime për redaktorët:
Komenti i përgjithshëm nr. 26 gjendet këtu: https://www.ohchr.org/en/documents/general-comments-and-recommendations/general-comment-no-26-childrens-rights-and
Versionet e Komentit të përgjithshëm nr. 26 të përshtatura për moshën e fëmijëve do të publikohen më 18 shtator 2023 si pjesë e prezantimit zyrtar të Komentit të përgjithshëm gjatë sesionit të ardhshëm të Komitetit në Gjenevë, Zvicër.
Më shumë informacione rreth Komentit të përgjithshëm nr.26 mund të gjeni në: childrightsenvironment.org
K O N T A K T
Për pyetjet e shtypit:
Stefan Pollman (menaxher për PR, Terre des Hommes Gjermani)
+49 541 7101 135 / s.pohlmann@tdh.de
Tes Ingram, UNICEF Nju Jork, tingram@unicef.org +1 934 867 7867
Për intervista:
Intervistat nga distanca me anëtarët e Ekipit këshillues të fëmijëve (nga 11 deri në 17 vjeç nga 12 vende) mund të organizohen duke kontaktuar Kejti Rejd, zyrtare e të Drejtave dhe Pjesëmarrjes në Mjedisin e Fëmijëve (dhe person për kontakt mbi pjesëmarrjen e fëmijëve për Komentin e përgjithshëm nr. 26) në Terre des Hommes Gjermani: k.reid@tdh.de. Gjithashtu në dispozicion janë edhe zëdhënësit e Terre des Hommes dhe UNICEF-it.
Intervistat me prezencë fizike mund të organizohen në Gjenevë, Zvicër midis 15 dhe 19 shtator 2023.
Për Terre des Hommes
Federata Ndërkombëtare Terre des Hommes është organizatë joqeveritare, e cila punon për të drejtat e fëmijëve dhe zhvillim të barabartë me 730 projekte në 67 vende. Terre des Hommes i mbron politikat e bazuara në të drejtat në të gjitha fushat e jetës së fëmijëve.
Për më shumë informacione, vizitoni terredeshommes.org
Për CERI
Iniciativa për të Drejtat Mjedisore të Fëmijëve (CERI) është një koalicion nën kujdesin e Raportuesit Special të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisin, Dejvid Bojd. Kjo iniciativë i bë bashkë fëmijët dhe të rinj, aktivistët, organizatat për të drejtat e fëmijëve, ekspertët, palët qeveritare dhe politikëbërësit nga e gjithë bota, duke punuar së bashku për të siguruar që të njihen dhe përmbushen të drejta themelore të fëmijëve për një mjedis të sigurt, të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
CERI u mundëson anëtarëve të koalicionit të bashkëpunojnë në ngritjen e zërit të fëmijëve dhe të rinjve më të prekur nga dëmtimi mjedisor dhe ndryshimet klimatike, duke ndërtuar gjithashtu kapacitetin e vendimmarrësve nacionalë për ta zbatuar politikën mjedisore të fokusuar te fëmijët dhe për të formësuar standarde dhe praktika të reja në proceset shumëpalëshe. Puna e koalicionit lehtësohet nga një sekretariat përkatës.
Për më shumë informacione, vizitoni: ceri-coalition.org.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.