UNICEF bën thirrje për solidaritet nacional për t’i mbajtur shkollat të sigurta dhe të hapura
- English
- Македонски
- Shqip
SHKUP, 26 janar 2022: UNICEF-i është inkurajuar nga rekomandimi i Komisionit për sëmundjet infektive në lidhje me hapjen e shkollave për mësimin me prezencë fizike nga 1 shkurti, andaj dhe bën thirrje për solidaritet nacional dhe mbajtjen e shkollave të sigurta dhe të hapura gjatë vitit shkollor. Çdo mbyllje e zgjatur e shkollave në nivel nacional do t’i përkeqësojë më tej humbjet në mësime dhe do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në mirëqenien emocionale të fëmijëve.
“Vendimi për rihapjen e shkollave për mësim personal është vendim i Qeverisë. Ne e pranojmë se kjo është bërë duke e marrë në konsideratë kontekstin e gjendjes epidemiologjike të KOVID-19 dhe kuptimin gjithnjë e më të madh të rreziqeve. Megjithatë, ata duhet gjithashtu ta marrin në konsideratë ndikimin e mbylljes së zgjatur të shkollave në mësimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it. “Shkollat paraqesin shërbim thelbësor publik, pra ato janë vend për mësim dhe kanë rëndësi kritike për t’i ndihmuar fëmijët ta përmbushin potencialin e tyre. Mbyllja e shkollave, gjegjësisht ndërprerja e mësimit me prezencë fizike për shkak të rritjes së përhapjes të virusit KOVID-19 në bashkësi, nuk duhet të jetë përgjigja e parë, por ajo duhet të merret parasysh vetëm kur nuk ka alternativa tjera.”
Mësimi nga distancë është një masë alternative, por ai duhet të përdoret vetëm si masë e fundit. Për më tepër, ndërkohë që teknologjitë e internetit dhe ato digjitale janë duke e përmirësuar përvojën e të mësuarit, prapëseprapë në planin afatgjatë ato nuk mund t’i zëvendësojnë metodat e përdorura nga mësuesit gjatë mësimit me prezencë fizike, e as ndërveprimin me bashkëmoshatarët. Hulumtimet me drejtorinë e shkollave, mësuesit dhe prindërit treguan se përderisa mësimi nga distanca i ndihmoi fëmijët të mësonin, më shumë se gjysma e të gjithë mësuesve panë një rritje të numrit të nxënësve që kishin vështirësi ose nuk arritën të nxënë atë që po iu mësohej.
Përveç humbjes së mësimit, mbyllja e shkollave ka pasur një ndikim negativ në shëndetin mendor të fëmijëve. Ajo e ka reduktuar qasjen e tyre në shërbime tjera të ofruara përmes shkollave dhe e ka rritur rrezikun e tyre për dhunë. Me masat për zbutjen e rrezikut, shkollat kanë dëshmuar se janë mjedise të sigurta për fëmijët dhe nuk janë shtytësi kryesor i përhapjes së virusit në komunitet.
Ne po i afrohemi fundit të vitit të dytë të pandemisë. Gjatë kësaj kohe, ndërprerjet në arsim kanë zgjatur më shumë se kufizimet e vendosura në sektorët tjerë në vend. UNICEF-i bën thirrje për solidaritet nacional me fëmijët për t’i mbajtur shkollat të sigurta dhe të hapura. Pushteti – qendror dhe lokal – duhet ta rrisë mbështetjen në mënyrë që shkollat t’i kenë burimet, që iu nevojiten për ta vazhduar praktikimin e masave të provuara parandaluese, për t’i rindërtuar humbjet e të mësuarit dhe për të prezantuar programe të reja, me qëllim të mbështetjes së shëndetit mendor dhe mirëqenies së fëmijëve.
Gjithashtu UNICEF-i i bën thirrje shoqërisë që ta bëjë pjesën e saj për ta zvogëluar përhapjen e virusit në komunitet. “Të gjithë duhet të jemi më vigjilentë dhe të disiplinuar për t’iu përmbajtur masave parandaluese në mënyrë që të mbajmë KOVID-19 jashtë shkollave. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, të mbajmë maska, ta praktikojmë higjienën e duarve, distancën fizike, të vaksinohemi kundër KOVID-19, ndërsa nëse duhet dhe nëse kemi simptoma, atëherë të testohemi dhe të izolohemi”, tha Patricia Di Xhovani”. Viti 2022 duhet të jetë viti, kur interesat më të mira të fëmijëve dhe arsimi do të jenë prioritet nacional dhe të ngelin në rend të parë”.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.