UNICEF bën thirrje për rritje të investimeve me qëllim të sigurimit të arsimit cilësor gjithëpërfshirës për secilin fëmijë
Deklaratë nga Përfaqësuesja e UNICEF-it Patrizia DiGiovanni
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 1 shtator 2023: E drejta e fëmijës për arsim e përfshin të drejtën për të mësuar. Mungesa e arsimit cilësor vendos pengesa të rëndësishme në rrugën e fëmijëve, kur bëhet fjalë për gjetjen e punësimit dhe realizimin e potencialit të tyre derisa ata rriten. Megjithatë, derisa e festojmë fillimin e vitit të ri shkollor, duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballemi, andaj duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që çdo fëmijë të marrë arsim cilësor dhe askush të mos ngel pas.
Edhe para pandemisë, Maqedonia e Veriut përballej me krizë të mësimit. Pavarësisht përmirësimeve të vogla në suksesin e nxënësve në vitet e fundit, prapëseprapë më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve në vend nuk arrijnë t’i përmbushin nivelet bazë të aftësisë për lexim dhe matematikë. Për më tepër, ky nivel i suksesit arsimor duket se i riprodhon pabarazitë ekzistuese, ku nxënësit dhe vajzat me gjendje të favorshme socio-ekonomike kanë sukses më të mirë se djemtë dhe nxënësit me gjendje të pafavorshme socio-ekonomike.
Fëmijët që kishin ngelë (pas nw mwsimie), tani janë të rinj, të rritur dhe kalojnë në arsimin sipëror ose integrohen në fuqinë punëtore. Ky skenar do të vazhdojë në të gjitha grup moshat derisa të merren masa thelbësore për ta adresuar këtë çështje. Kjo është arsyeja pse ne duhet të ndërmarrim masa të menjëhershme, sepse pasojat do të jenë të thella, duke prekur si brezat aktualë ashtu edhe brezat që do të vijnë pas.
Në Vëzhgimet e fundit përmbyllëse të progresit të Maqedonisë së Veriut në realizimin e të drejtave të fëmijëve, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës e vlerëson miratimin e Ligjit për arsimin fillor, si bazë ligjore për përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në sistemin e arsimit të përgjithshëm.
Falë ligjit të ri për arsimin fillor, nga ky vit shkollor të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara do të regjistrohen në shkollat e rregullta për të mësuar së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, gjë që ofron përfitim të dëshmuar për të gjithë fëmijët në klasë. Mbështetja, të cilën qendrat burimore do t’ua ofrojnë shkollave në këtë tranzicion, është thelbësore për të siguruar që këta fëmijë të mbështeten për të mësuar dhe për ta arritur potencialin e tyre të plotë.
Megjithatë, Komiteti tërheq vëmendjen për nevojën e zbatimit të masave, strategjive, shërbimeve dhe mbështetjes shtesë, për të siguruar që fëmijët nga shtresat e cenueshme dhe të paprivilegjuara të kenë qasje në arsim cilësor. Duke vënë në dukje krijimin e një linje të posaçme buxhetore për arsimin gjithëpërfshirës në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe dy programeve financiare, që e synojnë arsimimin e fëmijëve romë, Komiteti e rekomandon rritjen e alokimeve buxhetore, me fokus të veçantë për fëmijët në gjendje vulnerabile.
Për ta bërë arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës realitet për të gjithë fëmijët, vendi duhet ta rritë financimin publik dhe investimet në arsim në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë parashkollor. Njëkohësisht vendi duhet të sigurojë që shpërndarja e burimeve për komunat dhe shkollat të jetë efikase dhe e barabartë. Alokimet e financimit duhet të jenë të përshtatshme për t’iu mundësuar shkollave t’i përmbushin standardet nacionale të arsimit dhe ta lehtësojnë qasjen dhe përfshirjen e fëmijëve më të cenueshëm, duke përfshirë ata me aftësi të kufizuara, nga pakicat etnike dhe nga amvisëritë më të varfra.
Në ditën e parë të shkollës, përderisa i mirëpresim fëmijët në klasa, le të kujtojmë se çdo ditë e kaluar në shkollë është mundësi për të ofruar arsim efektiv, të barabartë dhe të qëndrueshëm për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë. Mirëpo që të ndodhë kjo, duhet të vihet një fokus më i madh në parimin bazë që burimet të orientohen në fushat ku mund të arrihen përmirësime në rezultatet e mësimdhënies dhe mësimit.
Në fakt, arsimi gjithëpërfshirës cilësor nuk është vetëm çështje financimi. Bazat e përgatitjes për shkollën vendosen në vitet e para, prandaj rritja e shkallës së regjistrimit në arsimin parashkollor duhet të ngel prioritet. Prindërit gjithashtu duhet të mbështeten për t’u përfshirë në mënyrë aktive në edukimin e fëmijëve të tyre, gjë që e rrit mirëqenien dhe besimin e fëmijës dhe është e rëndësishme për progresin akademik të fëmijëve. Përveç kësaj, reformat e programit mësimor duhet të vazhdojnë për të siguruar që fëmijët të mund të fitojnë njohuri dhe aftësi përkatëse që do t’i përgatisin ata të lulëzojnë në botën moderne. Mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesionistë kanë nevojë për qasje të vazhdueshme në mundësi të zhvillimit profesional cilësor, të dhëna dhe burime cilësore arsimore.
Në vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të bashkërenduara për të marrë pjesë në vlerësimet ndërkombëtare të nxënësve dhe gjithashtu përgatitet ta nisë modelin e ri nacional të vlerësimit të nxënësve. Ne duam t’i njohim dhe lavdërojmë këto përpjekje dhe ta theksojmë rëndësinë e përdorimit më të mirë të të dhënave të marra nëpërmjet vlerësimeve të tilla për analiza, diagnostikime të sistemit, përmirësime dhe sigurim të cilësisë në nivel lokal dhe nacional. Megjithatë, të dhënat dhe provat duhet të nxisin veprime në nivel të shkollës dhe nxënësit.
Përfundimisht, fëmijët kanë të drejtë të konsultohen për të gjitha vendimet që ndikojnë në jetën e tyre dhe vendimet në sistemin arsimor, që sigurisht përshtaten me këtë kategori. Duke përshëndetur miratimin e Ligjit për arsimin fillor, i cili e parashikon krijimin e parlamentit të nxënësve dhe Ombudspersonin e nxënësve, Komisioni e rekomandon nxitjen e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve brenda familjeve, shkollave dhe komuniteteve, si dhe zbatimin e mekanizmave për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje për çështjet që i prekin ata.
Këtë vit, kur Maqedonia e Veriut e feston 30 vjetorin nga ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe 30 vjet që kur UNICEF-i zyrtarisht e vendosi bashkëpunimin pasi vendi u bë shtet i pavarur, ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë që t’i mbështesim partnerët në përpjekjet e tyre për të ofruar arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për secilin fëmijë.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.