Riorganizimi i domosdoshëm i resurseve shkollore për përmirësimin e cilësisë së arsimit

07 Korrik 2023
School optimization
UNICEF/2023

Shkup, 6 korrik 2023: Riorganizimi i rrjetit të shkollave fillore mund ta përmirësojë cilësinë e arsimit - ky ishte konkluzioni i forumit të sotëm ndërkombëtar në të cilin morën pjesë politikëbërës, ekspertë dhe praktikues për të diskutuar mbi mësimet e nxjerra dhe faktorët kryesorë të suksesit nga riorganizimi i rrjetit të shkollave në vendet evropiane.

Forumi në fjalë është organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, UNICEF-i dhe Banka Botërore, me qëllim të marrjes së informacioneve që do të ndihmojnë në realizimin e punës aktuale lidhur me optimizimin e rrjetit të shkollave në Maqedoninë e Veriut.

Me qëllim që të gjendet përgjigje adekuate ndaj sfidave aktuale në arsim, në rrjedhë e sipër është zbatimi i iniciativës për optimizimin e rrjetit të shkollave fillore, e cila e përfshin edhe rishikimin e formulës për financimin e arsimit fillor në Maqedoninë e Veriut. Dhjetë pilot komuna aktualisht po marrin mbështetje për zbatimin e planeve lokale të optimizimit. Kjo iniciativë bëhet në konsultim të ngushtë me nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shkollave.

Optimizimi i rrjetit të shkollave në bashkëpunim me komunat është një nga aktivitetet prioritare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. “Komunat nuk duhet të shqetësohen për çështjen e optimizimit, sepse do të punojmë së bashku me to për ta realizuar me sukses këtë proces. Në rastet kur nuk kemi numër të mjaftueshëm nxënësish për shkak të uljes së natalitetit apo migrimit, do të konsultohemi me komunitetin lokal për t’i identifikuar nevojat rreth shndërrimit të hapësirës së papërdorur të shkollës për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve nga shërbimet tjera sociale.”

Patrizia
UNICEF/2023

“Rritja e fondeve publike dhe investimeve në arsim është parakusht për përmirësimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes së arsimit për të gjithë fëmijët,” tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani. "Ne duhet të përfitojmë më shumë nga investimi i bërë në arsim, mirëpo për ta arritur këtë duhet t’i shtyjmë përpara reformat e programit mësimor, të cilat sigurojnë që fëmijët të fitojnë njohuri, shkathtësi dhe aftësi të nevojshme në mënyrë që të prosperojnë në shoqërinë moderne. Po ashtu, duhet të ruhet një fokus më i madh mbi mënyrë që burimet e siguruara të orientohen në fushat ku mund të arrihen më së miri përmirësimet në rezultatet e mësimdhënies dhe mësimit. Sistemi i financimit duhet të sigurojë burime adekuate për arsimin në shkolla me mësim në më shumë gjuhë, si dhe për fëmijët në rrezik social, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që vijnë nga familjet më të varfra”, theksoi, Di Xhovani.

Bojana
UNICEF/2023

“Aktualisht jemi duke punuar në finalizimin e formulave të financimit të arsimit fillor dhe të mesëm dhe për metodologjitë e optimizimit të rrjetit të shkollave në arsimin fillor. Përfitimet kryesore që mund t’i presim si rezultate janë siç vijon:

1) Sipas formulave të reja mjetet financiare do ta ndjekin nxënësin dhe nevojat e tij, në një mënyrë që nxënësit më vulnerabël të kenë përparësi;

2) Do të stimulohen dhe shpërblehen shkollat ​​që punojnë mirë dhe me përgjegjësi bazuar në kritere të qarta

3) Do të përmirësohet efikasiteti, gjë që do të krijojë më shumë hapësirë ​​për investime në ambientin mësimor dhe mbështetjes së mësuesve”, tha Bojana Naceva, specialiste e lartë për arsimin nga Banka Botërore.

Vendi po përballet me një krizë arsimore, me çka suksesi i nxënësve është nën mesataren e Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe OECD-së. Ndryshimet e mëdha demografike, duke përfshirë rënien e nivelit të lindjeve, shtimin e migrimit dhe urbanizimin pa rregullime të mëdha të rrjetit të shkollave fillore, kanë rezultuar në mosshfrytëzimin e hapësirës dhe stafit shkollor në disa zona. Në të kundërt, shkollat ​​e tjera kanë shumë nxënës dhe mungesë të personelit, kështu që ato duhet ta organizojnë mësimin në dy turne – gjë që mund të ndikojë në rezultatet e mësimit.

Ndryshimet e këtilla kanë çuar në një shpërndarje joefikase dhe të pabarabartë të burimeve. Gjithashtu, pjesa më e madhe e shpenzimeve për arsimin fillor shërbejnë për mbulimin e pagave të personelit të shkollës, gjë që lë në dispozicion burime të pamjaftueshme financiare për mirëmbajtjen e objekteve në gjendje të mirë, gjegjësisht investim në pajisje moderne, futjen e metodave novatore në mësimdhënie dhe mësimit dhe zhvillimin profesional të personelit.

Rritja e efikasitetit dhe efektivitetit të rrjetit të shkollave të arsimit fillor, njëkohësisht duke siguruar barazi në qasjen në shkolla, paraqet sfidë për shumë vende.

Për të mësuar më shumë rreth përvojave nga vende tjera evropiane, pjesëmarrësit patën mundësi të bisedojnë me ekspertë nga Portugalia, Polonia, Danimarka, Norvegjia dhe Bullgaria gjatë tre sesioneve kushtuar financimit optimal, alokimit të përmirësuar dhe përdorimit të burimeve njerëzore në shkolla për përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë, bashkimit ose zgjerimit të shkollave si përgjigje ndaj ndryshimeve demografike, sigurimi i transportit dhe mjedisit të përshtatshëm për transferimin e nxënësve në shkolla, të cilat ofrojnë kushte më të mira mësimore.

School optimization
UNICEF/2023

Panelisti kryesor në këtë eveniment, Luka Boeskens, analist i politikave në OECD-së, ndau informacione rreth riorganizimit të rrjeteve të shkollave në disa vende të BE-së dhe mënyrën sesi ai proces kontribuoi në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë më të mirë të arsimit.

Sesionin e parë e hapi zëvendësministri i Financave, z. Filip Nikolloski.

“Investimi në arsim dhe kapital njerëzor është investim për të ardhmen dhe zhvillimin e shtetit, është forca lëvizëse në shoqëri, prandaj politikat që ne i zbatojmë - të cilat janë pjesë e procesit të përgjithshëm të reformës - synojnë të ofrojnë arsim gjithëpërfshirës dhe të integruar, i cili do t’u mundësojë gjeneratave të ardhshme të fitojnë njohuri, shkathtësi dhe kompetenca në përputhje me nevojat e një shoqërie demokratike multikulturore, tregun e punës dhe sfidat e reja në mjedisin global shkencor dhe teknologjik”, tha zëvendësministri i Financave, Filip Nikolloski, dhe shtoi se me qëllim të zbatimit të reformave rritet buxheti për arsim dhe bllok dotacione për komunat për shkak të transferimit të kompetencave.

Orce ZELS
UNICEF/2023

Ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov theksoi se Qeveria është e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim me komunat, vetëqeverisjen lokale dhe BNJVL-në me fokus në thelbin e problemit dhe zgjidhjet e nevojshme.

Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, në fjalën e tij e vuri në pah shpresën se përfundimisht do t’i jepet fund shpërndarjes së tanishme joreale dhe mbi të gjitha të pamjaftueshme të mjeteve financiare - të alokuara për arsimin fillor në komuna – si dhe do të zbatohet një metodologji më objektive, ku si bazë fillestare merret shuma e paracaktuar e të gjitha kostove për nxënës.

Sesionet tjera i hapën ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, shefi i departamentit operativ të Delegacionit të BE-së, Aleksandru Albu, dhe kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës. Orce Gjorgjievski. 

Për më shumë informacione vizitoni ueb faqen e konferencës dhe dokumentin mbi politikat “Sa janë shkollat në shërbim të nevojave të fëmijëve?”

Kontakte me mediat

Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172
Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.