Mësimi nga përvoja për mjedis dhe edukim më të mirë mbi ndryshimet klimatike

Mësuesit e shkollave fillore dhe të enteve të edukimit parashkollor e eksplorojnë mënyrën se si ta integrojnë mësimin mbi ndryshimet klimatike përmes eksperimenteve

06 Tetor 2022
UNICEF Dep. Representative giving opening remarks at the conference on experiential learning
Eco Logic

Shkup, 5-6 tetor 2022: Në Ditën Botërore të Mësuesit, mësues dhe edukatorë nga rreth 100 shkolla dhe kopshte do të mblidhen në një konferencë dy-ditore për të diskutuar se si të integrohet mësimi eksperimental në programet mësimore, për ta mbështetur edukimin mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike në edukimin parashkollor dhe arsimin fillor.

Në këtë eveniment të organizuar në partneritet ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ambasadës Suedeze në Shkup, UNICEF-it dhe partnerëve, pjesëmarrësit do ta shpalosin përvojën e tyre dhe mësimet e nxjerra nga pjesëmarrja në nismën zhvillimore të kapaciteteve të të mësimit nga përvoja.

Dita e parë e konferencës përfshin mësuesit e arsimit fillor të përfshirë në këtë iniciativë, ndërsa dita e dytë do t’i bashkojë edukatorët e ciklit parashkollor. Një fokus i veçantë i konferencës do të jetë në përfshirjen e komunitetit profesional të të mësuarit, në mënyrë që mësuesit dhe edukatorët të mund të vazhdojnë t’i ndajnë njohuritë, këshillat dhe mjetet e tyre dhe ta sigurojnë përdorimin e gjerë të kësaj qasjeje në procesin e mësimdhënies dhe të nxënit në shkolla.

“Përmes mësimit të bazuar në lojë, fëmijët e shprehin dhe zgjerojnë të kuptuarit e tyre për veten dhe ndikimin që kjo mënyrë e mësimit e ka në botën përreth tyre,” tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale. “Konferenca ofron një mundësi të madhe për edukatorët e enteve parashkollore, të cilët kanë marrë pjesë në këtë program, në drejtim të ofrimit të mbështetjes për kolegët e tyre dhe për shkëmbim të aftësive dhe njohurive të tyre me kolegët e tjerë.”

Gjatë dy viteve të fundit, mësuesit e enteve parashkollore dhe shkollave fillore kanë marrë pjesë në një iniciativë të UNICEF-it dhe partnerëve të mbështetur për ngritjen e kapaciteteve mbi ndryshimet klimatike përmes eksperimenteve, aktiviteteve praktike dhe reflektimit kritik mbi përvojën e tyre. Kjo nismë u krijua për të ofruar qasje të reja për t’i ndihmuar nxënësit t’i ndërlidhin më mirë gjërat që i mësojnë në shkollë me jetën dhe praktikat e tyre të përditshme.

“Mësuesit kanë treguar se njohuritë nuk duhet të përcillen vetëm përmes librave dhe mësimieve, por edhe përmes ndërveprimit praktik dhe mësimit përmes veprimit,” tha ekselenca e saj Ami Larson-Xhain, ambasadore e Suedisë në Maqedoninë e Veriut. Ajo vazhdoi të theksojë se një sistem arsimor që është fleksibël dhe inovativ është më i aftë për t'i pajisur nxënësit për një të ardhme dinamike dhe sfiduese.

“Kriza klimatike është një çështje e të drejtave të fëmijëve. Kuptimi i fëmijëve mbi klimën dhe krizën mjedisore është thelbësor për funksionin dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Kjo është arsyeja pse fillimi me edukimin mjedisor nga mosha më e re është një element thelbësor i përgjigjes sonë ndaj sfidës më të madhe të kohës sonë - ndryshimit të klimës dhe degradimit të mjedisit”, tha Artur Ajvazov, Zëvendës përfaqësues i UNICEF-it. “Në veçanti na gëzon fakti që mësuesit dhe edukatorët e përfshirë në këtë iniciativë e zbatojnë mësimin përmes eksperimenteve. Qasjet e të mësuarit të bazuar në lojë mund t’i transformojnë përvojat arsimore të fëmijëve dhe ta forcojnë motivimin dhe rezultatet e të nxënit. Mësimi i koncepteve komplekse shkencore përmes eksperimenteve mund ta nxisë kuriozitetin te fëmijët dhe të ndërtojë personalitete që do të mësojnë gjatë gjithë jetës.”

 “Deri më tani më shumë se 10,000 fëmijë nga kopshtet dhe shkollat fillore janë përfshirë në testimin e eksperimenteve dhe aktiviteteve praktike, madje reagimet e tyre ishin befasuese. Nga përvoja jonë në ofrimin e mësimit eksperimental mbi edukimin klimatik dhe mjedisor definitivisht mund të konkludojmë se është një nga metodat më të rëndësishme për ta zgjeruar të kuptuarit e fëmijëve rreth fenomeneve mjedisore dhe për mënyrën se si sjellja jonë ndikon në ekosistemet”, tha Nikola Neshkoski, drejtor i OSHC Eko Logic.

Mësimdhënia e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike përmes eksperimenteve dhe aktiviteteve praktike është pjesë e programit “Fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve për të vepruar si agjentë ndryshimi, me qëllim të reduktimit të cenueshmërisë së ndryshimeve klimatike ndaj komuniteteve”, financuar nga Suedia dhe zbatuar nga Zyra e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.