Partneritetet ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe vauçerët për fëmijët nga familjet e cenueshme – pjesë e modeleve për zgjerimin e përfshirjes së fëmijëve në kopshte
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 18 qershor 2026: Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, zëvendësministri Gjoko Vellkovski dhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller, paraqitën mesazhet kyçe për përforcimin sistemik të edukimit dhe të kujdesit parashkollor, si dhe për zgjerimin e përfshirjes së fëmijëve në edukimin dhe arsimin parashkollor.
Në konferencën me titull “Fillim i hershëm, përfitime afatgjata – kopsht për çdo fëmijë”, u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e analizës mbi modelet inovative të financimit të edukimit dhe të kujdesit parashkollor.
Maqedonia e Veriut mund ta përshpejtojë zgjerimin e qasjes në kopshte në rast se i kombinon investimet publike me mbështetjen për kopshtet private dhe punëdhënësit, me çka do të sigurohen shërbime të përballueshme financiarisht dhe gjithëpërfshirëse, tregon analiza e re e mbështetur nga UNICEF-i, e prezantuar sot.
Gjetjet theksojnë urgjencën, por edhe mundësitë ekzistuese: më shumë se 79.000 fëmijë të moshës 0–6 vjeç nuk janë të regjistruar në asnjë formë të kujdesit parashkollor, ndërsa për të arritur objektivin kombëtar prej 65% të fëmijëve të regjistruar në kopshte deri në vitin 2032, nevojiten rreth 19.000 vende shtesë.
Kërkesa tashmë e tejkalon ofertën, kështu që në vitin 2025 kishte pothuajse 5.000 fëmijë në listat e pritjes. Përfshirja sipas komunave ndryshon dukshëm, nga përqindje të larta në disa zona deri në më pak se 10% ose mungesë të plotë regjistrimesh në të tjera. Fëmijët më të cenueshëm, si fëmijët romë, fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata që jetojnë në varfëri, vazhdojnë të kenë qasjen më të kufizuar në këto shërbime.
Ministri Fatmir Limani theksoi se Ministria po punon për zgjerimin e kapaciteteve përmes ndërtimit dhe rikonstruktimit të objekteve, por edhe përmes modeleve alternative të kujdesit, si grupet për kujdesin e fëmijëve në hapësira të tjera dhe qendrat për zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Gjithashtu, po punohet për rritjen e qasjes në edukimin parashkollor dhe mbështetjen e ofruesve privatë të shërbimeve.
“Në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe me UNICEF-in, do të propozojmë një model vauçerësh me të cilët fëmijët nga familjet e cenueshme dhe fëmijët që ndodhen në listat e pritjes do të mund të regjistrohen në kopshte private. Ky qasje, nëse jep rezultate të mira në praktikë, mund të bëhet një politikë e përhershme që do të kontribuojë në rritjen më të shpejtë të përfshirjes,” tha ministri Limani.
Në fjalimin e saj, përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesli Miller, theksoi:
“Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme janë ndër investimet më të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve, gatishmërinë e tyre për shkollim dhe kapitalin njerëzor afatgjatë. Rritja e numrit të vendeve në kopshte është thelbësore, por do të japë rezultate vetëm nëse qasja është e barabartë, gjithëpërfshirëse, e përballueshme dhe cilësore. Nëse nuk krijojmë një sistem që përfshin fëmijët më të cenueshëm, ekziston rreziku të thellojmë pikërisht ato pabarazi që përpiqemi t’i zvogëlojmë. Qëllimi nuk është vetëm më shumë vende në kopshte, por mundësi më të mira për çdo fëmijë, në çdo komunitet.”
Analiza tregon se sistemi aktual, i cili mbështetet kryesisht në fonde publike, nuk mund ta përmbushë mjaftueshëm shpejt kërkesën. Vetëm 7% e fëmijëve të regjistruar ndjekin kopshte private, ndërsa rastet kur punëdhënësit organizojnë shërbime të tilla për fëmijët e të punësuarve janë shumë të rralla. Zgjerimi i infrastrukturës publike do të kërkonte dekada dhe investime mbi 100 milionë euro, si dhe një forcë pune dukshëm më të madhe.
Mënyra më efikase për rritjen e përfshirjes është kombinimi i zgjerimit të infrastrukturës publike me bashkëfinancimin e kopshteve private dhe të punëdhënësve. Analiza propozon që deri në vitin 2032 të hapen rreth 13.500 vende të reja në kopshte private dhe 5.300 vende në kopshte publike, përmes një modeli bashkëfinancimi që do t’i bëjë shërbimet të qasshme për të gjitha familjet, përfshirë edhe ato më të cenueshme.
Për të siguruar barazi më të madhe në qasjen në kopshte, analiza propozon masa konkrete si përjashtimi nga pagesa për familjet më të cenueshme, tarifa të ndryshueshme sipas të ardhurave të prindërve, mbështetje për transportin dhe regjistrimin e fëmijëve më të cenueshëm, duke bërë që vendet e reja të jenë një mundësi reale për të gjithë fëmijët, përfshirë ata që janë në rrezik përjashtimi.
Mbështetja shtesë për fëmijët me aftësi të kufizuara do të përfshinte masa praktike si përmirësimi i qasjes fizike në objekte dhe ndarja e mjeteve të dedikuara për komunat, me qëllim që të mundësohet pjesëmarrja e plotë e tyre në edukimin cilësor parashkollor.
Pjesëmarrësit në ngjarje u pajtuan se zgjerimi i qasjes në edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme nuk është vetëm çështje infrastrukture, por kërkon një transformim më të gjerë të sistemit. Koordinimi më i mirë ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal, kopshteve dhe punëdhënësve, së bashku me investime të qëndrueshme në cilësi, fuqi punëtore dhe përfshirje, do të jenë vendimtare që çdo fëmijë të ketë mundësinë më të mirë në fillim të jetës së tij.
Ngjarjen e përmbylli zëvendësministri Vellkovski, i cili në fjalën përfundimtare deklaroi:
“Nevoja për vende në kopshte po rritet, ndërsa detyrimi ynë është të përgjigjemi me zgjidhje konkrete. Andaj, po investojmë në kapacitete të reja që do të mundësojnë kujdes për 3.515 fëmijë shtesë në mbarë vendin. Mirëpo, suksesi i vërtetë nuk do të matet vetëm me numrin e vendeve të reja, por me faktin se sa kemi arritur të sigurojmë qasje për çdo fëmijë, veçanërisht për ata që për kohën më të gjatë kanë qenë jashtë sistemit”.
Për më shumë informacione, kontaktoni
Suzi Papas Çapovska | Tel: (02) 3231-244 | [email protected]
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.