Edukimi parashkollor është bazament i jetës për të gjithë fëmijët, pavarësisht aftësive të tyre
Kopshti i fëmijëve në Shuto Orizarë që promovon praktika gjithëpërfshirëse tregon se fëmijët me aftësi të kufizuara përfitojnë nga parashkollori në të njëjtën mënyrë si fëmijët me zhvillim tipik
- English
- Македонски
- Shqip
“Kam punuar për shumë vite me fëmijët, që përballen me gjendjen e të qenit në rrugë, më pas kam punuar si edukatore parashkollore, kurse në moshën 42 vjeçare e kam mbaruar pedagogjinë në universitetin shtetëror. Për mua, gjëja më e rëndësishme është mësimi,” thotë Imerzade Toçi, pedagoge në kopshtin e fëmijëve “8 Prilli” në Shuto Orizarë, një komunitet kryesisht rom në kryeqytetin e Shkupit.
Imerzadeja punon në një komunitet, ku ndjekja e edukimit parashkollor është në nivel shumë të ulët në krahasim me mesataren shtetërore, e cila është njashtu shumë e ulët në raport objektivin e Bashkimit Evropian. Grupi më i cenueshëm dhe me më pak mundësi për ta ndjekur edukimin parashkollor janë fëmijët romë me aftësi të kufizuara.
Asaj i kujtohet Aldini, një nga fëmijët e parë me aftësi të kufizuara, që e ndiqte edukimin parashkollor në komunën e Shuto Orizarit. Ndonëse fillimisht kishte ankth për ta kaluar edhe pragun e derës së kopshtit, ai tani e ndjek mësimin në klasën e parë në një shkollë fillore të rregullt.
“Detyra ime e parë ishte të krijoja për të një mjedis të sigurt dhe mbështetës. Atij i pëlqejnë rebuset si shumë fëmijëve tjerë me spektrin e autizmit, kështu që u përkujdesa që të kishte rebuse, me të cilat mund të luante. Mirëpo qëllimi im nuk ishte vetëm ta nxisja atë të luante – por synoja ta inkurajoja gradualisht atë dhe fëmijët tjerë të luanin së bashku dhe të ndërveprojnë.” Imerzadja mori mbështetje përmes iniciativës së mbështetur nga UNICEF-i “Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parashkollor”, të zbatuar nga Shoqata për Teknologji Ndihmëse “Hapni Dritaret” (Open the Windows). Imerzadja dhe koleget e saja morën udhëzime, të cilat iu ndihmuan atyre në përshtatjen e qasjes së tyre dhe në kryerjen e rregullime të vogla të ambientit të punës, siç është shmangia e shpërndarjes së pakove arsimore dhe lodrave, sepse ambienti i tillë mund të shpërqendronte Aldinin.
Dragana Dojçinovska, logopede nga “Hapni Dritaret”, i rikthehet qasjes së saj ndaj punës me fëmijët me aftësi të kufizuara. “Përderisa vlerësojmë aspekte të ndryshme të funksionimit të fëmijës, siç janë aftësitë njohëse, motorike dhe ato gjuhësore, ne fokusohemi në ndërtimin e pikave të forta dhe aftësive të fëmijës. Po ashtu kemi një sërë pajisjesh ndihmëse teknologjike të cilat i përdorim, siç është ekrani i madh me prekje, me qëllim të drejtimit dhe përmirësimit të vëmendjes së fëmijës.”
Gjërat që i mësoi Imerzadja në teori, u vërtetua se ishin mjaft praktike. Fëmijët gjithmonë gjejnë një mënyrë për të bashkëvepruar dhe luajtur së bashku. Me kalimin e kohës, Aldini u përshtat me mjedisin mjaft të gjallë, por edhe fëmijët e tjerë iu përshtatën nevojës së tij për t’u përqendruar ndonjëherë në detyrë me qetësi.
“Sa herë që shfaqej i shqetësuar, fëmijët i afroheshin dhe i thoshin: “Ej, Aldin, a mund të më tregosh si të bëj rebuse?”
“Mendoj se ai u ndje i pranuar dhe me kalimin e kohës u relaksua, njashtu u relaksuan edhe fëmijët tjerë. Ai filloi t’i ndajë lodrat me të tjerët, gjë që nuk ndodhte në fillim”, thotë Imerzadi.
“Për Aldinin shkuarja në kopsht ishte një përgatitje e shkëlqyer për shkollën. Ai punonte në një mjedis ekipor. Në fakt e kam vërejtur se ai bëhej më i sigurt në aftësitë e tija sociale, gjë që vërehej në mënyrën sesi shprehej. Është arritje e madhe që komuniteti ynë, prindërit, kolegët e mi bëhen më gjithëpërfshirës dhe e kuptojnë se fëmijët mund të bëjnë gjëra, kur u jepet mbështetje dhe dashuri.”
Së bashku me 156 profesionistë të tjerë të arsimit, Imerzadeja mori pjesë në një sërë punëtorish për ngritjen e kapaciteteve mbi përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parashkollor.
Për të, përfitimet më të vlefshme nga ngritja e kapaciteteve ishin se si të dalloheshin shenjat e hershme të ngecjeve në zhvillim, si t’i ndihmonin prindërit me referimin në shërbime të specializuara dhe të flisnin me ta “miqësisht”, si dhe përfitimet nga krijimi i ekipeve gjithëpërfshirëse në kopshtet për fëmijë dhe këshillave për angazhimin e prindërve në mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve të tyre në shtëpi.
Në procesin e përfshirjes, kopshtet marrin mbështetje nga partneri i UNICEF-it, Shoqata për Teknologjinë Ndihmëse “Hapni Dritaret”, e cila bën ndërlidhjen me shërbimet e specializuara për zbulimin dhe ndërhyrjen e hershme dhe ofron këshilla për krijimin e një mjedisi stimulues për secilin fëmijë në kopsht.
Imerzadja flet se si identifikimi dhe ndërhyrja e hershme në edukimin parashkollor, edhe nëse ka të bëjë vetëm me identifikimin e ngecjeve të thjeshta zhvillimore, mund të bëjë ndryshim të madh për një fëmijë. Në këtë proces luajnë rol aftësitë e vëzhgimit dhe kreativiteti i edukatores në entin për edukim parashkollor.
Për shembull, edukatorja dyshoi se një fëmijë mund të ketë probleme me shikimin dhe i udhëzoi prindërit e fëmijës ta dërgojnë atë te oftalmologu. Kur për herë të parë fëmija duhej të mbante syzet, Imerzadja e ndjeu se fëmija ishte në ankth. “Edhe unë vendosa të vij në punë me syze”, buzëqesh ajo. “Këto janë syze leximi me dioptri shumë të ulët, të cilat zakonisht edhe nuk i mbaj, mirëpo i thashë vetes le ta bëjmë një gjest mbështetës. Ky veprim më ndihmoi ta ridrejtoja kureshtjen e fëmijëve tjerë drejt meje, duke mos i lënë vend fëmijës që të ndihej në siklet. Njashtu në këtë mënyrë ia bëra me dije se nuk ishte e vetme dhe se është shumë mirë të mbash syze.”
“Kopshti është bazament i jetës për fëmijët me aftësi të kufizuara njësoj si për fëmijët me zhvillim tipik. Këtu të gjithë ata mësojnë për ndarjen e gjërave mes vete, për punën së bashku, pastaj ua mësojmë aftësitë themelore sociale, si t’i menaxhojnë emocionet, ua mësojmë mirësinë, sjelljet e mira dhe si të fitojnë zakone higjienike. Këtu ata mësohen të ndërveprojnë dhe t’i pranojnë të tjerët dhe të ndërtojnë vetëbesimin e tyre, i cili, për mendimin tim dhe përvojën time personale, është një aleat i madh gjatë gjithë fëmijërisë dhe gjatë gjithë jetës në moshë të rritur”, thotë Imerzadja.
Aktivitet në kopshtin “8 Prilli” janë pjesë e iniciativës “Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parashkollor”, e cila zbatohet nga UNICEF-i me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim. Synimi i iniciativës është të stimulojë një klimë gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët në kopshte përmes trajnimit të ngritjes së kapaciteteve të punonjësve të kopshteve dhe krijimit të ekipeve gjithëpërfshirëse.