Edukimi për zhvillimin e aftësive bazë

Çdo fëmijë meriton të mësojë dhe të ketë sukses

Two children playing
UNICEF North Macedonia / 2022

Arsimi është një nga forcat më të fuqishme të zhvillimit – ai formëson të ardhmen e fëmijëve, forcon komunitetet dhe nxit rritjen ekonomike. Por në Maqedoninë e Veriut, ndjekja e shkollës nuk nënkupton gjithmonë edhe të nxënit.

Sfida

Maqedonia e Veriut përballet me krizë arsimore - krizë e cila i pengon fëmijët dhe e kufizon të ardhmen e vendit.

Të dhënat e fundit ndërkombëtare tregojnë se shumë fëmijë e mbarojnë shkollimin pa zotëruar aftësitë bazë. Sipas rezultateve të PISA 2022, tre nga katër 15-vjeçarë kanë vështirësi në lexim, ndërsa dy nga tre kanë rezultate nën nivelet bazë në matematikë dhe shkencë.

Këto nuk janë vetëm statistika. Ato përfaqësojnë mundësi të humbura - për fëmijët, për familjet dhe për vendin në tërësi.

Rrënjët e sfidës shfaqen herët. Shumë fëmijë nuk marrin bazën e fortë që u nevojitet për zhvillim dhe të nxënë të mëtejshëm. Vetëm rreth 46% e fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç janë të përfshirë në arsimin parashkollor, ndërsa përfshirja është dukshëm më e ulët për fëmijët romë dhe fëmijët nga grupet e tjera të cenueshme.

Që në moshë të hershme, pabarazia ndikon në procesin e të nxënit. Fëmijët nga familjet me të ardhura më të ulëta, zonat rurale, komunitetet rome dhe fëmijët me aftësi të kufizuara kanë më pak mundësi për të pasur qasje në arsim cilësor të hershëm, duke rritur rrezikun e vështirësive në shkollim më vonë.

Me kalimin e fëmijëve nëpër sistemin arsimor, këto dallime thellohen. Shpërndarja e pabarabartë e mësuesve dhe burimeve, si dhe qasjet e vjetruara në mësimdhënie dhe të nxënë, kontribuojnë në rezultate të dobëta. Nxënësit kalojnë më pak kohë duke mësuar krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera, ndërsa mësuesve shpesh u mungon mbështetja, trajnimi dhe mjetet e nevojshme për një arsim modern dhe gjithëpërfshirës.

Rezultati është një sistem ku shumë fëmijë mbeten prapa, pabarazitë thellohen dhe njohuritë e fituara nuk shndërrohen në aftësi të nevojshme për jetën reale.

Pa reforma thelbësore, sistemi arsimor rrezikon të thellojë edhe më tej pabarazitë dhe të kufizojë kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e ardhshëm të vendit.

Zgjidhja

Përmirësimi i rezultateve të arsimit kërkon më shumë sesa ndryshime graduale. Ai kërkon reformë në të gjithë sistemin e përqendruar në cilësi, efikasitet, barazi, siguri dhe përfshirje.

UNICEF punon me Qeverinë dhe partnerët për të transformuar arsimin në mënyrë që çdo fëmijë të mund të mësojë, të zhvillohet dhe të ketë sukses.

Kjo fillon me forcimin e themeleve. Zgjerimi i qasjes në arsim cilësor në fëmijërinë e hershme u mundëson të gjithë fëmijëve – veçanërisht atyre më të cenueshëm – të fillojnë shkollën të përgatitur për të mësuar.

Kjo gjithashtu do të thotë përmirësim i mënyrës se si është organizuar sistemi. Mbështetja e optimizimit të rrjetit shkollor, financimi më i barabartë dhe përdorimi më i mirë i burimeve njerëzore mund të ndihmojnë në sigurimin që çdo fëmijë, kudo që jeton, të ketë qasje në arsim cilësor.

Njëkohësisht, vëmendje e veçantë i kushtohet asaj që ndodh në klasë. Programet mësimore moderne, formimi më cilësor dhe zhvillimi profesional i mësuesve, si dhe mjediset më të mira të të nxënit, janë vendimtare për përmirësimin e rezultateve të nxënies, duke zhvilluar aftësi bazë, të transferueshme dhe aftësi jetësore, dhe duke e bërë arsimin më të përshtatshëm për botën e sotme.

Të nxënit ndodh vetëm kur fëmijët ndihen të sigurt, të mbështetur dhe të përfshirë. Forcimi i përpjekjeve për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe diskriminimit në shkolla, ndërkohë që promovohet një klimë pozitive shkollore dhe mirëqenia e nxënësve, ndihmon në krijimin e një mjedisi ku çdo fëmijë mund të mësojë dhe të përparojë.

Për më tepër, duke forcuar sistemin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe grupet e tjera të margjinalizuara, sigurohet që sistemi arsimor të mos lërë askënd pas, por të punojë aktivisht për ngushtimin e hendekut.

Me shfaqjen e sfidave të reja, sistemi duhet të evoluojë. Investimet në infrastrukturë shkollore të sigurt dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, së bashku me të nxënit digjital dhe inovacionin, sigurojnë që arsimi të mbetet i qasshëm dhe i pandërprerë, edhe në kohë krizash.

E gjithë kjo duhet të mbështetet në prova. Të dhënat më cilësore, monitorimi më i fortë dhe të mësuarit e vazhdueshëm mund të sigurojnë që politikat të jenë të informuara, të targetuara dhe efektive.

Një e ardhme më e mirë përmes arsimit

Kur arsimi funksionon, ndryshon gjithçka.

Fëmijët pajisen me aftësi themelore, të transferueshme dhe jetësore për sukses, hapen rrugë drejt punësimit, zvogëlohen pabarazitë dhe forcohet shoqëria në tërësi.

Megjithatë kjo ndodh vetëm kur çdo fëmijë ka qasje në arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Duke transformuar sistemin për t'u përqendruar në mësimin, barazinë dhe përfshirjen, Maqedonia e Veriut do të sigurojë që çdo fëmijë jo vetëm të shkojë në shkollë, por ta mbarojë shkollimin me njohuri, aftësi dhe vetëbesim për ta formësuar të ardhmen e tij/saj.

Sepse çdo fëmijë ka të drejtë për një arsim cilësor që i mundëson të mësojë dhe të ketë sukses.