Harmful norms
Ndryshimi i qëndrimeve për realizimin e të drejtave të fëmijëve
- English
- Македонски
- Shqip
Çdo fëmijë ka të drejtë të përfshihet, të respektohet dhe të ketë mundësi të barabarta.
Por, edhe kur shërbimet ekzistojnë, jo çdo fëmijë i përdor ato për shkak të stigmës, diskriminimit dhe normave të dëmshme shoqërore që qëndrojnë në rrugën e tyre.
Ndryshimi i sistemeve është i domosdoshëm, por ndryshimi i qëndrimeve, sjelljeve dhe normave shoqërore është ai që bën që këto sisteme të funksionojnë për çdo fëmijë.
Sfida
Shumë fëmijë në Maqedoninë e Veriut, vazhdojnë të përballen me barriera që nuk janë të shkruara në ligje ose politika, por janë formuar nga bindjet, qëndrimet dhe normat shoqërore.
Stigma dhe stereotipet ende i pengojnë fëmijët të kenë qasje në shërbimet dhe mundësitë që u nevojiten.
Për shembull, shpeshherë fëmijët romë përballen me përjashtim dhe diskriminim që e kufizon qasjen e tyre në arsim, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Ata kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri dhe më pak të ngjarë të kenë qasje në shërbimet thelbësore, jo vetëm për shkak të barrierave ekonomike, por edhe për shkak të përjashtimit social afatgjatë.
Edhe fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me barriera të padukshme. Keqkuptimet rreth aftësisë së kufizuar, pritjet e ulëta dhe stigma shoqërore mund t’i pengojnë ata të përfshihen në arsim, në jetën komunitare dhe në proceset vendimmarrëse.
Normat gjinore vazhdojnë t’i formësojnë mundësitë si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Pritjet rreth roleve, sjelljes dhe zgjedhjeve mund ta kufizojnë pjesëmarrjen në arsim dhe udhëheqje madje në disa raste i vendosin fëmijët në rrezik më të madh nga dhuna dhe përvojat e dëmshme.
Këto pengesa shpesh janë të rrënjosura thellë në qëndrimet shoqërore, në atë që shihet si “normale”, në atë që pranohet dhe në atë që është e pritshme.
Njëkohësisht, përmirësimi i vetëm i shërbimeve nuk është i mjaftueshëm. Edhe kur shërbimet janë të disponueshme, familjet mund të mos kenë qasje në to nëse u mungon besimi, informacionet ose siguria.
Pa zgjidhjen e këtyre shtytësve të sjelljes dhe të shoqërisë, vazhdojnë pabarazitë, ndërsa fëmijët më të prekshëm mbeten të përjashtuar.
Zgjidhja
Përparimi i të drejtave të fëmijëve kërkon të bëhet më shumë sesa politikat dhe shërbimet. Ky përparim kërkon ndryshimin e normave dhe sjelljeve shoqërore që i formësojnë vendimet dhe mundësitë e përditshme.
UNICEF punon me partnerë për t’i nxitur ndryshimet shoqërore të sjelljes, duke ndihmuar komunitetet, sistemet dhe institucionet të bëhen më gjithëpërfshirëse, mbështetëse dhe të përgjegjshme në raport me secilin fëmijë.
Ndryshimi shoqëror dhe ndryshimi i sjelljes shkon përtej rritjes së ndërgjegjësimit. Ai përqendrohet në të kuptuarit pse njerëzit sillen sipas mënyrës që sillen dhe në adresimin e faktorëve individualë, shoqërorë dhe strukturorë, të cilët i formësojnë këto sjellje.
E tërë kjo fillon me dëgjim. UNICEF-i punon me komunitetet për t’i kuptuar besimet, pengesat dhe motivimet, duke siguruar që zgjidhjet të jenë të rrënjosura në përvoja dhe kontekst real.
Kjo gjithashtu do të thotë angazhimin e fëmijëve dhe komuniteteve si partnerë në ndryshim. Përmes dialogut, pjesëmarrjes dhe fuqizimit, komunitetet mund të sfidojnë normat e dëmshme dhe të promovojnë sjellje pozitive që mbështesin mirëqenien e fëmijëve.
Komunikimi luan rol kyç përmes fushatave, rrëfimin e historive dhe mediave për t’i ndryshuar perceptimet, për t’i sfiduar stereotipet dhe për ta promovuar përfshirjen. Në fakt, komunikimi është vetëm një pjesë e qasjes më të gjerë që përfshin gjithashtu: angazhimin e komunitetit dhe mobilizimin shoqëror, njohuritë dhe provat e sjelljes dhe forcimin e sistemeve për të qenë më të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.
Një fokus i veçantë i kushtohet përfshirjes, duke vendosur në qendër të përpjekjeve për ndryshim fëmijët që më shpesh përjashtohen.
Kjo përfshin punën për ta zvogëluar stigmën rreth aftësisë së kufizuar dhe për ta promovuar përfshirjen; sfidimin e diskriminimit ndaj fëmijëve romë dhe mbështetjen e qasjes së tyre të barabartë në shërbime; adresimin e sistemeve të dëmshme ushqimore që kontribuojnë në mbipeshën dhe obezitetin në moshën e fëmijërisë duke promovuar mjedise dhe sjellje më të shëndetshme; trajtimin e bullizimeve kibernetike dhe dëmtimeve në internet, duke fuqizuar fëmijët dhe bashkësitë për të krijuar hapësira digjitale më të sigurta; duke mbështetur prindërit me njohuri dhe aftësi mbi kujdesin përmes platformave inovative; dhe duke promovuar barazinë gjinore, me çka çdo vajze dhe djali do t’i mundësohet të përfshihet plotësisht dhe ta përmbushë potencialin e vet të plotë.
Duke adresuar shkaqet rrënjësore të përjashtimit dhe praktikave të dëmshme, ndryshimi shoqëror dhe ndryshimi i sjelljes ndihmon në funksionimin e duhur të sistemeve të hartuara për t’i mbështetur të gjithë fëmijët të funksionojnë mirëfilli.
Ndryshimi i normave. Ndryshimi i jetëve.
Kur ndryshojnë qëndrimet, hapen mundësi të reja.
Fëmijët përfshihen dhe përparojnë në shkolla, komunitete dhe shërbime. Familjet mbështeten për të marrë vendime pozitive. Sistemet bëhen më të përgjegjshme dhe më të drejta.
Ndryshimi shoqëror dhe i sjelljes i bën të dukshme barrierat e padukshme dhe ndihmon në largimin e tyre.
Sepse ndryshimi i vërtetë ndodh kur përfshirja dhe kujdesi bëhen normë, kur diversiteti vlerësohet dhe kur çdo fëmijë shihet, dëgjohet dhe mbështetet.
Dhe kur kjo ndodh, çdo fëmijë ka një mundësi të drejtë për të përparuar.