Loja është e drejtë: Nisma e re për zgjerimin e mësimit të bazuar në lojë
- English
- Македонски
- Shqip
Tetovë, 12 dhjetor 2025 – Gjatë një vizite në kopshtin “Mlladost-Rinia” në Tetovë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, UNICEF-i dhe partnerët e saj nisën iniciativën e re “Mësimi përmes lojës dhe edukimi në fëmijërinë e hershme” me qëllim të promovimit të qasjeve të integruara ndaj lojës në kuadër të edukimit në fëmijërinë e hershme.
Iniciativa në fjalë, e mbështetur nga Stiftung Kinderförderung von Playmobil (Fondacioni Playmobil), është pjesë e programit më të gjerë të UNICEF-it për avancimin e zhvillimit në fëmijërinë e hershme. Ky program synon të sigurojë që të gjithë fëmijët, pavarësisht nga prejardhja ose rrethanat e tyre jetësore, të kenë mundësi të vazhdueshme për zhvillim dhe mësim përmes lojës.
Për t’i vendosur qasjet e bazuara në lojë në bërthamën e edukimit në fëmijëri të hershme, iniciativa përfshin mbështetje për zhvillimin e një Programi të ri për arsimin parashkollor, si dhe rishikimin e Standardeve nacionale të mësimit dhe zhvillimit të hershëm.
“Investimi në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë është investim në të ardhmen e shoqërisë sonë. Loja është gjuha e fëmijëve - përmes saj ata mësojnë, rriten dhe përgatiten për jetën”, tha Fatmir Limani, Ministër i Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Gjithashtu si pjesë e nismës “Mësimi përmes lojës dhe edukimi në fëmijëri të hershme”, Fondacioni Playmobil dhuroi mbi 9,000 komplete lojërash për UNICEF-in. Këto komplete lojërash u shpërndanë në të gjitha kopshtet publike dhe entet tjera për kujdesin e fëmijëve. Pakot e tilla shërbejnë për t’i mësuar fëmijët në mënyrë argëtuese dhe atraktive rreth të ushqyerit të shëndetshëm, riciklimit, mbrojtjes së mjedisit dhe barazisë midis djemve dhe vajzave.
“Loja është me rëndësi thelbësore për mësimin, shëndetin dhe reziliencën”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it.“ Që nga ditët e para të jetës, ndërveprimet argëtuese stimulojnë zhvillimin e trurit dhe ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve të sigurta emocionale. Për fëmijët e moshës parashkollore, loja ofron një mundësi për t’i eksploruar aftësitë, për ta ushqyer kuriozitetin, për ta ndërtuar vetëbesim dhe për t’i ngritur themelet e mësimit gjatë gjithë jetës.”
Përkundër këtyre përfitimeve, të mësuarit me anë të lojës nuk vlerësohet në masë të gjerë në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat tregojnë se 57% e nënave dhe vetëm 5% e baballarëve përfshihen në aktivitete e të mësuarit me anë të lojës me fëmijët e tyre të moshës 3-4 vjeç.
Andaj për ta adresuar këtë boshllëk, iniciativa do t’i mbështesë përpjekjet për t’i fuqizuar prindërit dhe kujdestarët duke ndërtuar kapacitetet e infermiereve të patronazhit dhe duke zgjeruar aplikacionin e prindërimit Bebbo me informacione, burime dhe strategji për të përfshirë lojën në jetën e përditshme.
“Jemi të kënaqur që e mbështesim këtë projekt të vlefshëm si me një donacion ashtu edhe me materiale Playmobil”, thanë Andrea Möhringer dhe Florian Löffler, anëtarë të Bordit të Fondacionit. “Dhe jemi kuriozë të mësojmë jo vetëm se si do të zhvillohet kurrikula, por edhe si do të rriten mundësitë për zhvillim dhe të nxënit përmes lojës.”
Duke mbështetur punonjësit në vijën e parë të shërbimit dhe familjet, iniciativa “Mësimi me anë të lojës dhe edukimi në fëmijëri të hershme” synon të sigurojë që çdo fëmijë të ketë mundësi të rritet, të mësojë dhe të lulëzojë përmes fuqisë së lojës.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.