Mbështetja e ofruar me kohë për fëmijët dhe familjet mund ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimit të fëmijëve

UNICEF-i e mirëpret planin shumësektorial për forcimin e ndërhyrjeve të përqendruara te familja në fëmijërinë e hershme

16 Maj 2025
UNICEF Representative with Ministers for Education, Social Policy and Health
Ministry of Social Policy, Demographics and Youth 2025

Shkup, 16 maj 2025: Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi për vënien e themeleve të  një sistemi të ri në vend mbi ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme, të orientuar drejt familjes. 

Pilotimi i shërbimeve të reja do të kryhet nga profesionistë të trajnuar nga qendrat shëndetësore për rehabilitim, kopshtet, qendrat e burimeve shkollore dhe ofruesit e licencuar të shërbimeve sociale në Qytetin e Shkupit, me qëllim të forcimit të familjeve dhe mbështetjes së fëmijëve në rrezik të vonesave në zhvillim e aftësive të kufizuara, përmes punës këshillimore me prindërit dhe shërbimet e specializuara.

Ndërhyrja në fëmijëri të hershme me fokus te familja përqendrohet në nxitjen e ndërveprimeve të ngushta dhe edukative me fëmijët, të cilët janë në rrezik për vështirësi në zhvillim dhe aftësi të kufizuara në vitet e para të jetës - periudhë kur zhvillimi është më i shpejtë. Në këtë kontekst theksohet roli i prindërve dhe ofruesve të shërbimeve në mbështetjen e zhvillimit të fëmijëve në mjedisin e tyre natyror dhe në vitet e para të jetës, kur fëmijët kanë potencial më të madh për të mësuar, rritur dhe përshtatur.

“Kjo çështje kërkon që sektorët tanë – arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale – të mos vazhdojnë të funksionojnë paralelisht, por të veprojnë në sinergji. Pra, kërkon që profesionistët tanë të punojnë së bashku, jo të ndarë nga kufijtë administrativë. Njashtu kërkon që politikat tona të jenë të harmonizuara – në mënyrë që jo vetëm t’i arrijmë rezultatet e dëshiruara, por edhe t’i arrijmë ato në mënyrë efikase, të drejtë dhe në kohë të duhur”, tha Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

"Duke zgjidhur herët problemet zhvillimore, fëmijët kanë më shumë gjasa të kenë sukses në shkollë dhe derisa rriten do të kenë më pak nevojë për shërbime të veçanta. Veç kësaj, ajo që është shumë më me rëndësi, ndërhyrja e hershme mund ta përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së këtyre fëmijëve, dhe ata mund të jenë më shumë të përfshirë në jetën familjare, shkollore dhe shoqërore”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

“Ky memorandum është një mundësi shtesë për ta riafirmuar angazhimin tonë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të organizuar në mënyrë sistematike për një sistem ndërhyrjeje në fëmijërinë e hershme, të përqendruar te familja”, tha Jovica Andovski, zëvendësministër i Shëndetësisë.

Në Maqedoninë e Veriut, vlerësohet se mbi 17,000 fëmijë nën moshën gjashtë vjeçare mund të kenë nevojë për shërbime të ndërhyrjes së hershme. Megjithatë, Analiza e Situatës së Ndërhyrjeve të Hershme e vitit 2023 vuri në pah mangësi të konsiderueshme në sistemin ekzistues të vendit për shqyrtimin dhe ndërhyrjet në zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Gjithashtu analiza vuri në pah se iniciativa për udhëzim zakonisht vjen nga prindërit, në vend që shërbimet të jenë proaktive, me identifikim dhe referim të hershëm.

Për t’i tejkaluar këto mangësi, me mbështetjen e UNICEF-it, u hartua një dokument për zhvillimin e politikave në partneritet me Shoqatën e Edukatorëve Specialë dhe Rehabilituesve, për t’i mbështetur sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale në krijimin e një zgjidhjeje sistematike, e cila do të sigurojë që të gjithë fëmijët e moshës parashkollore në rrezik për vështirësi në zhvillim dhe/ose paaftësi, të marrin shërbime të ndërhyrjes së hershme.

“Në vitet e para të jetës fëmija zhvillohet më shpejt se në çdo kohë tjetër të jetës. UNICEF-i e mirëpret këtë qasje të re, përmes së cilës familjet do t’i marrin udhëzimet dhe shërbimet e specializuara, që u nevojiten për t'u përballur me sfidat e përditshme dhe për ta nxitur zhvillimin optimal të fëmijëve të tyre”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it.

Marrëveshja shumësektoriale përfshin gjithashtu një detyrim për Ministrinë e Shëndetësisë për të vendosur një skrining universal për të gjithë fëmijët deri në moshën tre vjeçare, me qëllim të zbulimit dhe ndërhyrjes me kohë në nivel nacional. Pas përfundimit të fazës së pilotimit, shërbimet e orientuara drejt familjes do të zgjerohen gradualisht në të gjithë vendin.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.