Ushqimi i shëndetshëm fillon me një spërkatje ngjyrash

Mësimi i shprehive të shëndetshme të të ushqyerit në edukimin parashkollor është vendimtar për shëndetin afatgjatë të fëmijëve.

UNICEF
The educator explains why it is good for the plate to be colorful.
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025
04 Mars 2025

Në kopshtin e fëmijëve “8 Marsi” në Shkup, mësimi i sotëm përmes aktivitetit të lojës quhet “Ylberi”. Edukatorja, Maja, solli një pjatë të madhe, të mbushur me fruta shumëngjyrëshe. Ajo i ftoi fëmijët ta emërtojnë secilin prej tyre, si dhe t’i identifikojnë ngjyrat dhe format e tyre. Fëmijët mësuan për rëndësinë e të pasurit shumëllojshmëri ngjyrash në pjatat e tyre dhe se si çdo ngjyrë përfaqëson lëndë ushqyese të ndryshme, të cilat i ndihmojnë ata të rriten të fortë dhe të shëndetshëm. Fëmijët u angazhuan me shumë zell dhe më pas u argëtuan duke e bërë dhe ngrënë sallatën e tyre të frutave.

Children cut the fruit themselves with a wooden knife...
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025 Fëmijët i prenë vetë frutat me një thikë druri...
Pastaj ata e hëngrën sallatën e frutave, që bënë për vetë.
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025 Pastaj ata e hëngrën sallatën e frutave, që bënë për vetë.

Ky aktivitet angazhues është një nga shumë aktivitete mësimore të bazuara në lojëra, të përfshira në “Doracakun për stafin e kopshtit lidhur me zhvillimin e shprehive të shëndetshme të të ushqyerit për fëmijët e moshës parashkollore”, i zhvilluar me mbështetjen e UNICEF-it.

Në partneritet me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, UNICEF-i i ka mbështetur kopshtet e fëmijëve në të gjithë vendin, duke trajnuar mbi 3,100 anëtarë të stafit, përfshirë drejtorët, bashkëpunëtorët profesionistë, stafin e kuzhinës, kujdestarët dhe edukatorët me qëllim të krijimit të shprehive të shëndetshme të të ushqyerit te fëmijët e moshës parashkollore. Kjo është pjesë e një nisme më të gjerë ndërsektoriale për ta trajtuar obezitetin në fëmijëri.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, stafi i kuzhinës mblodhi dhe ua ndau prindërve recetat për ushqime të shëndetshme, duke u siguruar që mësimet e marra në klasë, të zbatohen  edhe në shtëpi. 

Një vajzë ia tregon shoqes së saj lëvozhgën e bananes gjatë aktivitetit “Ylberi” në kopshtin “8 Marsi”
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025 Një vajzë ia tregon shoqes së saj lëvozhgën e bananes gjatë aktivitetit “Ylberi” në kopshtin “8 Marsi”

Mësimi i shprehive të shëndetshme të të ushqyerit në edukimin parashkollor është vendimtar për shëndetin afatgjatë të fëmijëve. Inkurajimi i fëmijëve që në moshë të re për të ngrënë një shumëllojshmëri të frutave, perimeve, drithërave integrale dhe proteinave pa yndyrë, mund t’i ndihmojë ata të zhvillojnë një marrëdhënie pozitive me ushqimin dhe të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme gjatë gjithë jetës së tyre.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme, kur merren parasysh normat e obezitetit të fëmijëve në vend. Pothuajse një e treta e fëmijëve të moshës 7 deri në 9 vjeç janë mbipeshë dhe rreth 15 për qind janë fëmijë me obezitet, prej të cilëve djemtë janë më të prekur se vajzat.

Fëmijët që janë mbi peshën e shëndetshme, janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje serioze si diabeti i tipit 2, problemet kardiovaskulare dhe problemet e frymëmarrjes. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të fitojnë vetëbesim të dobët dhe të kenë cilësi më të ulët të jetës. Këto pasoja shpesh vazhdojnë në adoleshencë dhe në moshë madhore, duke gjeneruar rreziqe të konsiderueshme për shëndetin. Kjo është arsyeja pse UNICEF-i punon me partnerët për t’i trajtuar këto çështje nga shumë këndvështrime. Mësimi i shprehive të shëndetshme në vitet e para të jetës është vetëm fillimi.

Një grup fëmijësh në kopshtin “8 Marsi” janë gati të fillojnë me ushqimin e tyre të shëndetshëm
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025 Një grup fëmijësh në kopshtin “8 Marsi” janë gati të fillojnë me ushqimin e tyre të shëndetshëm

Duke përdorur një qasje të të menduarit sistematik, UNICEF-i bashkëpunoi me partnerë në sferat e shëndetësisë, arsimit dhe politikave sociale për t’i identifikuar barrierat dhe prioritetet për përmirësimin e të ushqyerit në fëmijëri. Gjithashtu duke pasur parasysh mjedisin e përgjithshëm, edukimin mbi ushqyerjen, politikat, praktikat e biznesit dhe bashkëpunimin ndërsektorial, partnerët e theksuan nevojën për ta adresuar si prioritet kryesor qasjen ndaj ushqimeve të pashëndetshme brenda dhe përreth shkollave.

Qasja e lehtë dhe e përballueshme në meze të lehta, ushqime të shpejta dhe pije të ëmbëlsuara me sheqer brenda dhe përreth shkollave i cenon ndjeshëm përpjekjet për ta promovuar ushqimin e shëndetshëm dhe e rrit rrezikun e obezitetit tek fëmijët dhe adoleshentët.

UNICEF-i së bashku me partnerët është i angazhuar në fuqizimin e  politikave për t’i ndihmuar fëmijët të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme ushqimore. Ne fuqishëm i mbështesim standardet ushqyese për vaktet e shkollës, që përfshijnë produkte lokale, të stinës përkatëse, me çka nëpër shkolla zvogëlohet disponueshmëria e pijeve dhe ushqimeve të ëmbëlsuara me sheqer dhe njëkohësisht rregullohen  llojet e ushqimeve që mund të tregtohen në dyqanet në afërsi të shkollave.

Krijimi i mjedisit mbështetës është thelbësor për t’u siguruar që fëmijët të kenë qasje në opsionet e ushqimit të shëndetshëm. Duke kufizuar qasjen në ushqime të pashëndetshme dhe duke promovuar zgjedhje nutritive, kopshtet dhe shkollat ​​mund të ndikojnë në zakonet e të ngrënit të fëmijëve. Kjo qasje proaktive mund ta zvogëlojë dominimin e obezitetit në fëmijëri dhe të sigurojë që çdo fëmijë të ketë mundësinë të rritet i shëndetshëm dhe ta përmbushë potencialin e tij të plotë.

Gjatë përgatitjes së sallatës së frutave, fëmijët në kopshtin “8 Marsi” praktikojnë edhe aftësitë motorike, këmbënguljen dhe pavarësinë.
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2025 Gjatë përgatitjes së sallatës së frutave, fëmijët në kopshtin “8 Marsi” praktikojnë edhe aftësitë motorike, këmbënguljen dhe pavarësinë.