Loja nuk është vetëm argëtim për fëmijët – ajo është çelësi i të mësuarit, shëndetit dhe ndërtimit të qëndrueshmërisë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lojës, UNICEF-i bën thirrje për rritje të investimeve në programet e prindërimit, edukimit në fëmijëri të hershme dhe mësimit përmes lojës për secilin fëmijë - deklaratë e Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 11 qershor 2025 – “Këtë vit me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Lojës, nën moton “Zgjidhni lojën – secilën ditë”, UNICEF-i i bashkohet komunitetit global në festimin e fuqisë transformuese të lojës në jetën e çdo fëmije.
“Loja nuk është luks – ajo është një e drejtë. Prandaj ajo është me rëndësi thelbësore për të mësuarit gjatë gjithë jetës, për shëndetin dhe për qëndrueshmërinë.”
“Zhvillimi i fëmijës fillon përmes lojës që nga ditët e para të jetës. Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, ndërveprimet e këndshme stimulojnë zhvillimin e trurit dhe ndihmojnë në ndërtimin e lidhjeve të sigurta emocionale. Për fëmijët e moshës parashkollore, loja ofron mundësi për t’i eksploruar aftësitë e tyre, për të ngjallë kureshtjen, për të ndërtuar vetëbesimin dhe për t’i hedhur themelet e të mësuarit gjatë gjithë jetës.
“Për fëmijët e cenueshëm, loja është me rëndësi thelbësore që ata të ndihen të përfshirë dhe të shprehin emocione të vështira, duke hapur rrugën për lidhje dhe shërim. Pra kur prindërit bashkëveprojnë me fëmijët e tyre përmes lojës, ata e forcojnë shëndetin e tyre mendor dhe forcojnë lidhjen prind-fëmijë.”
“Megjithatë, pavarësisht përfitimeve të lojës në zhvillimin e fëmijës, të mësuarit përmes lojës nuk vlerësohet mjaftueshëm.”
“Të dhënat e disponueshme tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, 57.2% e nënave dhe vetëm 5.4% e baballarëve janë të përfshirë në aktivitete mësimore mbi bazë të lojës me fëmijët e tyre të moshës 3-4 vjeç. Aktivitetet përfshijnë leximin e librave, rrëfimin e historive, këndimin e këngëve, daljen jashtë me fëmijën, lojën me fëmijën, emërtimin e gjërave, numërimin ose vizatimin së bashku.
“Ky ndryshim tregon se ekziston një nevojë urgjente që prindërit dhe kujdestarët - veçanërisht baballarët - të ndihmohen me njohuri/aftësi dhe mbështetje për t’u angazhuar në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë përmes lojës.
“Programet e prindërimit që promovojnë mësimin e bazuar në lojë dhe prindërimin pozitiv nuk janë vetëm të dobishme - ato janë thelbësore për parandalimin e praktikave të dëmshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, ku 73% e fëmijëve të moshës 1 deri në 14 vjeç janë të ekspozuar ndaj ndëshkimit fizik dhe agresionit psikologjik nga prindërit dhe kujdestarët.
“Një disavantazh shtesë është qasja e kufizuar në mësim, e organizuar përmes lojës – pasi më pak se gjysma e fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Zgjerimi i qasjes në edukimin parashkollor është me rëndësi thelbësore, andaj investimi në programe cilësore prindërore e forcon mësimin e hershëm duke mbështetur ndërveprimet mbi bazë të lojës në shtëpi.”
“Prindërimi, brenda të cilit në mënyrë të vetëdijshme përdoret loja për të krijuar lidhje, për ta mësuar dhe zhvilluar një fëmijë nuk është vetëm një çështje familjare – ajo është investim shoqëror.”
“Për të mundësuar që çdo fëmijë ta gëzojë të drejtën e tij për të luajtur, ndërkohë duke synuar përparimin e të drejtave dhe zhvillimin më të gjerë të fëmijëve, qeveritë, bizneset dhe komunitetet duhet:
- Të ofrojnë më shumë programe prindërimi, të cilat e promovojnë lojën, lidhjen e sigurt dhe prindërimin pozitiv, duke përfshirë programet e ofruara përmes infermiereve të patronazhit, shkollave dhe shërbimeve tjera të bazuara në komunitet.
- Të mundësojnë qasje në edukimin parashkollor dhe të bazuar në lojë për çdo fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos privohet nga mundësitë e barabarta për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë.
- Të promovojnë politika dhe strategji të favorshme për familjen: pushim prindëror me pagesë; mbështetje për ushqyerjen me gji; përfitime për fëmijët; shërbime cilësore, të arritshme dhe të përballueshme për fëmijët, siç janë kopshtet; dhe mbështetje për shëndetin mendor - në mënyrë që çdo nënë dhe baba të ketë kohë, mundësi dhe mbështetje të duhur për të ofruar kujdes dhe edukim, i cili do ta nxisë përparimin dhe suksesin e fëmijëve.
- Të investojnë në hapësira lojërash dhe kënde lojërash të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të mirëmbajtura në të gjitha komunitetet.
“Sigurimi i të drejtës për lojë do të thotë investim në mjedise, marrëdhënie dhe shërbime që i mundësojnë çdo fëmije të zhvillohet, të mësojë dhe të lulëzojë. Kur krijojmë hapësirë për lojë, krijojmë hapësirë që çdo fëmijë të rritet, të lidhet - dhe të ndërtojë ndjenjë përkatësie.“
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.