Partneritet i ri mes UNICEF-it dhe Federatës Maqedonase të Futbollit

Ky partneritet nën sloganin “Të gjithë në të njëjtin ekip për fëmijët” do t’i mbështesë iniciativat për mbrojtje të të drejtave të të gjithë fëmijëve në sport

19 Shtator 2022
Partnership MoU UNICEF FFM
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022

Shkup, 19 shtator 2022: Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Federata Maqedonase e Futbollit e shpalosën partneritetin e ri në vigjilje të Ditës Botërore të Fëmijëve, për ta promovuar rëndësinë e përfshirjes, mosdiskriminimit dhe barazisë së fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë edhe sportin dhe lojën.

Këtë vit, Dita Botërore e Fëmijëve do të shënohet në të njëjtën ditë me nisjen e Kupës Botërore në futboll, gjë që krijon një mundësi unike për ta përdorë fuqinë e futbollit për t’u bashkuar dhe për t’i kujtuar botës se mund të ketë vetëm një ekip kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve.  

“Pa marrë parasysh se cilin shtet e mbështesim në Kupën e Botës, kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, ne të gjithë jemi në të njëjtin ekip. Çdo fëmijë meriton të ndihet i sigurt, i mbrojtur dhe festiv”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Sporti dhe loja janë më shumë sesa thjesht një argëtim. Për fëmijët ata janë një shans për të qenë pjesë e një komuniteti, për ta ndarë suksesin ose dështimin me të tjerët dhe për të mësuar mësime të rëndësishme të jetës mbi respektin, përfshirjen, bashkëpunimin dhe udhëheqjen,” shtoi ajo.

“Ne jemi të kënaqur që këtë vit, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, në partneritet me UNICEF-in dhe para fillimit të Kampionatit Botëror të futbollit, e kemi mundësinë ta dërgojmë një mesazh të përbashkët për përfshirjen, mosdiskriminimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve,” tha kryetari i Federatës së Futbollit, Muamed Sejdini.

Mesazhi, të cilin do ta përcjellin futbollistët tanë paraqet kujtesë për secilin prej nesh, që t’i respektojmë të drejtat e fëmijëve, t'ia japim mundësinë e barabarta çdo fëmije, t’iu sigurojmë arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, jetë në një mjedis të shëndetshëm jetësor dhe shëndet të mirë mendor. Ne po përpiqemi ta bëjmë futbollin një vend model, ku do të respektohen të drejtat e fëmijëve dhe do t'u jepet një shans të gjithë fëmijëve, por edhe ta krijojmë si një platformë nga e cila do të thirren protagonistë tjerë në shoqërinë tonë, që do ta bëjnë të njëjtën gjë”.

Nisma do të përfshijë një fushatë të përbashkët multimediale nën sloganin “Të gjithë në të njëjtin ekip për fëmijët me futbollistë nga ekipet kombëtare dhe fëmijë me sfonde të ndryshme, duke shkëmbyer së bashku mesazhe pozitive të barazisë dhe përfshirjes për çdo fëmijë. Në ditën botërore të fëmijëve, më 20 nëntor, do të zhvillohet një ndeshje miqësore e futbollit mes futbollistëve të Kombëtares maqedonase dhe fëmijëve.

Nëpërmjet këtij partneriteti UNICEF dhe FMF synojnë të inicojnë diskutime publike dhe ta rrisin ndërgjegjësimin për të drejtën e lojës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, vajzave në sport, pastaj për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve në sport dhe rëndësinë e sportit dhe lojës për mirëqenien dhe shëndetin mendor, si dhe qëndrueshmërinë e fëmijëve dhe të rinjve.

Rreth Ditës Botërore të Fëmijëve

Duke u shënuar çdo vit më 20 nëntor, në përvjetorin e miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Dita Botërore e Fëmijëve thekson çështje kritike që e prekin jetën e fëmijëve dhe e mbështet angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve si mbrojtës të të drejtave të tyre.

Në vitet e kaluara, UNICEF-i në Maqedoninë e Veriut ka organizuar me sukses ngjarje të nivelit të lartë për fëmijët në bashkëpunim me Qeverinë, ministritë kryesore si dhe kabinetin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut. Këtë vit, duke u mbështetur në emocionin global që buron nga Kupa e Botës në futboll, Dita Botërore e Fëmijëve po fokusohet në angazhimin e komunitetit rreth lojës, sportit dhe të drejtave të fëmijëve.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

 

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.