Një ekip për të drejtat e fëmijëve
Fëmijët e marrin përsipër fushën e sportit të ndeshjes miqësore të futbollit, duke bërë thirrje që të gjithë të mblidhen për të drejtat e fëmijëve
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 21 nëntor 2022: Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë e organizuan ndeshjen miqësore të futbollit “Fëmijët e marrën përsipër fushën e sportit”. Në këtë ndeshje luajtën fëmijët, lojtarët profesionistë nga ekipi i Përfaqësueses së futbollit, lojtarëve nga Olimpiada speciale dhe zyrtarëve të lartë.
“Në këtë ditë, të gjithë ne të rriturit, së bashku me fëmijët, ia kujtojmë vetes se cilat janë prioritetet tona, ku duhet t’i drejtojmë sytë, çfarë duam të arrijmë për të siguruar një fëmijëri pa brenga për të gjithë fëmijët dhe sigurisht një të ardhme më të mirë dhe mundësi për zhvillim”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski. “Dita Botërore e Fëmijëve është kujtesa jonë për detyrimet që ne si shoqëri i kemi ndaj fëmijëve tanë, veçanërisht ndaj atyre që kanë pozitë shumë të ndjeshme”.
“Çdo djalë dhe vajzë, pavarësisht nga aftësitë e tyre fizike dhe intelektuale, prejardhja e tyre etnike, gjendja financiare e familjes së tyre, i kanë të njëjtat të drejta dhe për sa kohë që ne ndërmarrim veprime për t’i promovuar të drejtat e fëmijëve, ne duhet të përpiqemi më tej të sigurojmë që asnjë fëmijë të mos ngel pas për shkak të paaftësisë, varfërisë, përkatësisë etnike ose gjinisë,” tha përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia Di Xhovani. “Mbrojtja e të drejtave të secilit fëmijë – pavarësisht se kush është dhe nga vjen – është e rëndësishme sot për fëmijët, por është gjithashtu mënyra më e mirë për të ndërtuar një botë më paqësore, më të begatë dhe të drejtë për të gjithë.”
Dita Botërore e Fëmijëve, e cila shënohet çdo vit më 20 nëntor, nxjerr në pah çështjet më të rëndësishme që e prekin jetën e fëmijëve dhe e mbështet pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve si mbrojtës të të drejtave të tyre. Këtë vit, Dita Botërore e Fëmijëve bie në të njëjtën ditë me fillimin zyrtar të Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar, duke ofruar kështu një mundësi të rrallë për t’i vendosur çështjet e fëmijëve në krye të agjendës globale.
Ndeshja është pjesë e fushatës së përbashkët të UNICEF-it dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë, nën sloganin “Të gjithë jemi një ekip”, e cila u bën thirrje të gjithëve të bashkohen për të drejtat e fëmijëve.
“Futbolli do të thotë përhapja e miqësisë, barazisë dhe promovimit të një stil jetese të shëndetshëm dhe kulturë sportive. Ne i inkurajojmë të gjithë të rinjtë që të marrin pjesë aktive në aktivitete që e përçojnë mesazhin e pranisë së miqësisë dhe barazisë në terrenet sportive, por edhe në jetën e përditshme”, tha drejtori i Përfaqësues së futbollit, Deni Masev.
Në këtë aktivitet morën pjesë fëmijë, mësues, ministra, ambasadorë, ekipe të futbollit të të rinjve dhe futbollistë nga Olimpiada Speciale. Veprimtaria u moderua nga Kika, Filipi, Anastasia dhe Miha, fëmijë nga seriali “Dajte Muzika” (Lëshoni muzikë), të cilët e përfaqësuan Maqedoninë e Veriut në Eurovizionin për Fëmijë.
Dita Botërore e Fëmijëve është thirrje vjetore për veprim për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të rëndësishme për fëmijët dhe për ta krijuar një botë më të drejtë, dhe më gjithëpërfshirëse për çdo fëmijë. UNICEF dhe partnerët i bëjnë thirrje të gjithë shoqërisë që t’i përkrah aktivitetet për ta mbështetur:
- Kujdesin shëndetësor cilësor, për çdo fëmijë, duke përfshirë veprimet për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë qasje në kujdes shëndetësor cilësor, ushqim dhe të jenë të mbrojtur nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.
- Arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës, për çdo fëmijë, duke përfshirë rritjen e investimeve dhe përmirësimin e efikasitetit dhe barazisë në shpenzimet e arsimit për të ndihmuar në ndërtimin e shkathtësive të shekullit 21 të çdo fëmije dhe fuqizimin e vajzave dhe djemve për t’u bërë persona të rriturit, që do t’i transformojnë ekonomitë dhe shoqëritë.
- Shëndetin dhe mirëqenien mendore të fëmijëve dhe të rinjve, duke përfshirë krijimin e programeve që e promovojnë shëndetin dhe mirëqenien mendore, si në shkolla po ashtu edhe në komunitet, në mënyrë që çdo fëmijë ta gëzojë fëmijërinë, që meriton dhe të ketë të drejtë për të.
- Mjedisin e shëndetshëm, duke përfshirë krijimin e hapësirave për fëmijët dhe të rinjtë që të jenë në qendër të projektimit të veprimeve klimatike dhe ofrimit të zgjidhjeve novatore për sfidat mjedisore me të cilat përballemi sot.
- Shansin e drejtë për çdo fëmijë, duke përfshirë veprimet për të trajtuar diskriminimin dhe përjashtimin e vazhdueshëm, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pas për shkak të paaftësisë, varfërisë, përkatësisë etnike ose gjinisë.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.