Martesat në moshë të fëmijërisë i privojnë vajzat nga fëmijëria dhe paraqesin kërcënim për mirëqenien dhe ardhmërinë e shoqërisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Patricia di Xhovanni, përfaqësuesja e UNICEF-it bën thirrje për më shumë veprime për t’iu dhënë fund martesave në moshë të fëmijërisë

08 Mars 2024
Group of girls laughing, one puts a flower in the hair of her friend smiling (UNICEF North Macedonia)
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2019

Shkup, 8 mars 2024: “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, përderisa qëndrojmë së bashku për ta mbrojtur barazinë gjinore dhe për t’i dhënë përparësi mirëqenies së grave, nuk mund ta injorojmë njërën nga pasojat e rënda të pabarazisë gjinore thellësisht të rrënjosur, e që janë martesat e fëmijëve.

“Pavarësisht nga rënia e vazhdueshme e kësaj praktike të dëmshme gjatë dekadës së fundit, martesa e fëmijëve mbetet shqetësim për vajzat në Maqedoninë e Veriut. Tetë për qind e të gjitha grave të moshës 20-24 vjeç në vend ishin të martuara ose në bashkëjetesë para se t’i mbushnin 18 vjeç. Akoma më shqetësuese, 45 për qind e grave rome të moshës 20-24 vjeç në vend ishin të martuar ose në bashkëjetesë për herë të parë para se t’i mbushnin 18 vjeç, ndërsa 15 për qind e grave të së njëjtës grupmoshë ishin të martuara ose në bashkëjetesë para moshës 15 vjeçare [1]

Martesa e fëmijëve ua grabit vajzave fëmijërinë dhe ka efekte të dëmshme ndaj shëndetit dhe perspektivës së tyre ekonomike. Ajo ka efekte të dëmshme në zhvillimin e vajzave, qasjen në arsim dhe cilësinë e përgjithshme të jetës. Vajzat që martohen para moshës 18 vjeçare kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë në familje dhe më pak të ngjarë ta vazhdojnë shkollimin. Shpeshherë lindja e hershme e fëmijës është e ndërlidhur ngushtë me rrezikun e shtuar të komplikimeve gjatë shtatzënisë dhe lindjes.

“Maqedonia e Veriut është palë nënshkruese e Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve, dhe dy protokolleve të saja fakultative, si dhe e Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, e cila në mënyrë eksplicite i ndalon martesat e fëmijëve. Po ashtu, Veprimi i Konventës së Stambollit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kërkon që shtetet t’i kriminalizojnë martesat e detyruara të fëmijëve dhe të rriturve.

“Përderisa mosha ligjore për martesë në Maqedoninë e Veriut është 18, janë megjithatë janë të mundshme përjashtimet që i lejojnë fëmijët të martohen pasi t’i kenë mbushur 16 vjeç, por me miratim të gjykatës. Kjo krijon boshllëqe ligjore për martesat e fëmijëve. E drejta për pëlqimin “e lirë dhe të plotë” për një martesë njihet në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, por potencohet që pëlqimi nuk mund të jetë “i lire dhe i plotë”, kur palët nuk janë mjaftueshëm të pjekura për të marrë vendime të informuara për partnerin e tyre të jetës.

“Në vëzhgimet e tij përmbyllëse të lëshuara në vitin 2022, Komiteti i OKB-së për të drejtat e fëmijëve rekomandoi që Maqedonia e Veriut duhet “të zbatojë masa të synuara për t’i çrrënjosur martesat e fëmijëve dhe për ta rritur ndërgjegjësimin mbi ndikimet negative të praktikave të dëmshme tradicionale ndaj fëmijëve, veçanërisht në mesin e popullatës rome”. Gjendja e këtillë kërkon përpjekje më të mëdha për:

  • Fuqizimin e legjislacionit për ta hequr çdo boshllëk të mundshëm ligjor dhe të sigurohet përafrimi i plotë me standardet ndërkombëtare.
  • Vazhdimin e angazhimeve për uljen e varfërisë duke pasur parasysh se varfëria përjetëson praktikën e martesës së fëmijëve. Disa prindër e inkurajojnë martesën e vajzave të tyre me shpresën se martesa do t’u sjellë përfitime financiare dhe shoqërore, duke lehtësuar edhe barrën financiare të familjes. Vlen të përkujtohet se 30 për qind e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut jetojnë nën kufirin e varfërisë, një shkallë dyfish më e lartë se ajo e të rriturve.
  • Së fundi, duhet të sfidohen qëndrimet patriarkale, që u japin përparësi roleve tradicionale gjinore dhe nderit të familjes, që janë në kurriz të autonomisë dhe të drejtave të vajzës. Vendimi për martesën e fëmijëve shpesh merret nga anëtarët meshkuj të familjes me shpresën që vajzat t'i përshtaten kësaj norme. Ne kemi nevojë për më shumë përpjekje për të siguruar që komunitetet të jenë të angazhuara për ta promovuar mirëqenien dhe realizimin e secilës vajzë që ta përmbushë potencialin e saj të plotë, ta vazhdojë arsimin dhe të jetë në gjendje të vendosë me pëlqim të plotë për të ardhmen që e dëshiron.

“Investimi në fuqizimin e vajzave dhe grave, në njohuritë, aftësitë dhe pjesëmarrjen e tyre, si dhe në angazhimin me djemtë dhe burrat është provuar si një praktikë më e mirë për çrrënjosjen e martesave të fëmijëve në nivel global. Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, le të rreshtohemi të gjithë prapa vajzave dhe të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund kësaj praktike të dëmshme.”

 

[1] Multiple Indicator Cluster Survey 2018-2019 and North Macedonia Roma Settlements MICS, State Statistics Office

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.