Fëmijët përbëjnë 70 për qind të të gjitha viktimave të identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore nga Maqedonia e Veriut
Në Ditën Botërore kundër trafikimit të qenieve njerëzore, UNICEF-i bën thirrje për më shumë investime në parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale dhe forcimin e partneritetit për t'i dhënë fund trafikimit të fëmijëve
- English
- Македонски
- Shqip
SHKUP, 30 korrik 2024: Me rastin e Ditës botërore kundër trafikimit të qenieve njerëzore, derisa komuniteti global bashkohet nën maksimën “Të mos lihen asnjë fëmijë prapa në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, UNICEF bën thirrje për më shumë investime në përpjekjet për ta parandaluar eksploatimin dhe abuzimin e fëmijëve dhe për mbrojtjen e të drejta e të tyre.
Përderisa shpeshherë fëmijët viktima të trafikimit mbeten të pazbuluar dhe të paraportuar në mbarë botën, të dhënat e disponueshme nga Komisioni nacional për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit të paligjshëm, i cili e ka të shtrirë veprimtarinë e tij në dy dekada (2001-2021), tregojnë se fëmijët përbëjnë 70 për qind të viktimave në Maqedoninë e Veriut. Kjo shifër e tejkalon ndjeshëm vlerësimin global, ku gati një e treta e të gjitha viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë fëmijë. Veçanërisht, mosha mesatare e fëmijëve viktima në vend është 15 vjeç, ndërsa vajzat preken në mënyrë disproporcionale, shpesh të nënshtruara ndaj formave të dyfishta të eksploatimit: si të atij seksual, po ashtu edhe në eksploatimin e punës.
Kjo prevalencë alarmante, veçanërisht tek vajzat e reja, e thekson një prirje shqetësuese, e cila përkeqësohet nga epoka digjitale. Trafikantët në mbarë botën i kanë shfrytëzuar përparimet teknologjike për të vepruar më fshehurazi dhe për ta rritur përfitimin e tyre. Nëngrupi nacional për luftë kundër trafikimit të fëmijëve raporton se trafikantët i synojnë gjithnjë e më shumë fëmijët nëpërmjet teknologjisë, përmes grupeve ndërkombëtare të krimit të organizuar dhe përmes grabitqarëve në internet.
Duke njohur përpjekjet e vazhdueshme të partnerëve nacional për t’i mbrojtur fëmijët nga trafikimi, gjendja e këtillë kërkon përkushtim dhe investim më të madh për ta rritur parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale dhe zhvillimin e partneriteteve përmes:
- Rritjes së investimeve në sistemet dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve për t’i trajtuar shkaqet kryesore të trafikimit të fëmijëve. Varfëria, mosfunksionimi i familjes dhe diskriminimi i vendosin fëmijët në rrezik më të madh për t'u bërë viktima të trafikimit. Dështimi për të zbatuar mbrojtjen e fëmijëve dhe ligjet e punës edhe më shumë i japin vrull gjendjes së tillë. Mbështetja dhe shërbimet parandaluese duhet ta përfshijnë qasjen në mbrojtjen sociale, shëndetësi dhe arsim për fëmijët dhe familjet e tyre.
- Forcimit të kapaciteteve për zbulimin dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima të trafikimit, duke përfshirë ata që janë në rrezik nga trafikimi. Mungesa e asistencës afatgjatë, rehabilitimit dhe mbështetja e vazhdueshme e vendosjes së fëmijëve në strehimoret e papërshtatshme, i lë fëmijët në rrezik të traumatizimit dhe riviktimizimit të mëtejshëm. Urgjentisht duhet përmirësuar mekanizmat e identifikimit dhe ofrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për fëmijët e cenueshëm, si dhe të bëhen investime shtesë për të siguruar që sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ta ofrojë kujdestarinë e duhur dhe rregullimet tjera alternative të kujdesit.
- Rritjes së kapaciteteve për të siguruar që fëmijët të kenë qasje në drejtësi dhe autorët të ndiqen penalisht. Investimet janë të nevojshme për zbatimin e ligjeve ekzistuese, duke përfshirë procedurat për hetimin, deponimin dhe ruajtjen e provave elektronike. Kjo kërkon investime të vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve të prokurorëve, njësive prokuroriale, gjyqësorit, policisë së specializuar dhe profesionistëve dhe praktikuesve të tjerë përkatës për t'u marrë me sfidat e reja në shfrytëzimin dhe abuzimin e lehtësuar nga teknologjia.
- Nxitjes së partneriteteve shumë-sektoriale në luftën për çrrënjosjen e trafikimit të fëmijëve. Bashkëpunimi me shoqërinë civile, fëmijët e mbijetuarit, grupet e drejtuara nga fëmijët e mbijetuar janë çelësi për të siguruar strategji dhe përgjigje parandaluese dhe sisteme adekuate, të mirinformuar për traumat e fëmijëve. Bashkëpunimi ndërkufitar dhe bashkëpunimi me kompanitë e teknologjisë nevojitet për të siguruar gjithashtu që përpjekjet t’i adresojnë rreziqet e reja. Angazhimi me komunitetet dhe grupet në rrezik të fëmijëve dhe adoleshentëve është thelbësor për rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e trafikimit të qenieve njerëzore, siç është shpërndarja e informacioneve praktike se si të raportohen incidentet dhe si të kërkohet ndihmë.
Trafikimi i fëmijëve mund të parandalohet, ndërsa të mbijetuarve patjetër duhet t'u ofrohet mbrojtje dhe qasje në drejtësi. Fëmijët e trafikuar përballen me realitete të paimagjinueshme dhe shpesh i nënshtrohen eksploatimit dhe abuzimit të rëndë. Të pazbuluar dhe të pambrojtur, ata mbeten të padukshëm, të privuar nga kujdesi dhe mbështetja, të mohuarit e drejtësisë dhe shumë shpesh, të bllokuar në një cikël torturues abuzimi dhe eksploatimi deri në moshën madhore.
UNICEF-i mbetet i përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet e qeverisë në përshpejtimin e veprimeve shumë-sektoriale për t’i forcuar kornizat legjislative dhe politike, përgjigjet e drejtësisë penale, mbështetjen e viktimave dhe programet arsimore. Duke trajnuar profesionistë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe drejtësisë, UNICEF-i synon të ofrojë kujdes të mirinformuar mbi traumat për të mbijetuarit dhe të përmirësojë më tej menaxhimin e të dhënave për rastet e trafikimit të fëmijëve.
Vetëm përmes një përpjekjeje të bashkuar dhe të intensifikuar, vendi mund të sigurojë që çdo fëmijë të mbrohet dhe asnjë fëmijë të mos ngel pas në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.