Nevojitet një pako e re e shërbimeve për ta përmbysur shkallën në rritje të varfërisë dhe të përjashtimit të fëmijëve
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 14 maj 2025:Në evenimentin e realizuar në rrafshin nacional, kushtuar trajtimit të varfërisë së fëmijëve dhe përjashtimit social, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, me mbështetjen e UNICEF-it, prezantoi rezultatet e analizës dhe rekomandimeve të politikave për një pako gjithëpërfshirëse të shërbimeve, të cilat do të merren në konsideratë në kuadër të Garancisë Evropiane për Fëmijë në Maqedoninë e Veriut.
Dialogu mbi politikat ndodh në një kohë kritike: fëmijët në Maqedoninë e Veriut kanë shumë më tepër gjasa të jetojnë në varfëri sesa të rriturit, pasi sipas të dhënave më të fundit 32% të fëmijëve jetojnë nën shkallën nacionale të varfërisë, madje 40% përjetojnë varfëri shumëdimensionale.
Pakoja e propozuar e Garancisë për Fëmijë synon të sigurojë që çdo fëmijë - veçanërisht ata më të cenueshmit - të kenë qasje të garantuar në shëndetësi, arsim, mbrojtje sociale dhe kujdes përmes mbështetjes së koordinuar dhe shumësektoriale.
“Pavarësisht disponueshmërisë së shërbimeve bazë si kujdesi shëndetësor, mbrojtja sociale dhe arsimi, fëmijët që përballen me varfëri dhe përjashtim hasin pengesa edhe më të mëdha, pasi nuk janë të përshtatura sistemet me nevojat e tyre. Për t’i tejkaluar këto sfida, me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka zhvilluar një Plan nacional të veprimi për të drejtat e fëmijëve 2025–2029, i cili është në fazat e fundit të miratimit. Një nga prioritetet e Planit është ulja e varfërisë tek fëmijët, duke përfshirë edhe futjen e Garancisë Evropiane për Fëmijë, si dhe një rritje prej 15% të përfitimeve në para të dedikuara për fëmijët”, tha Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Ai informoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë do të udhëheqë koordinimin me institucionet tjera qeveritare në zhvillimin e planit për zbatimin e Garancisë për Fëmijët.
Rekomandimet e politikave janë të fokusuara te fëmijët më në rrezik, duke përfshirë fëmijët romë, fëmijët me paaftësi, fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët në konflikt me ligjin dhe të tjerë. Ato përfshijnë shërbime të shumta, si përfitime të zgjeruara në para të gatshme, qasje më të madh në arsimin parashkollor, arsim gjithëpërfshirës, mbulim shëndetësor universal, ushqim falas në shkollë dhe e kështu me radhë.
“Fëmijët që rriten në varfëri kanë më shumë gjasa të ngelin të varfër kur të rriten, duke e përjetësuar ciklin e gjendjes së pafavorshme”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. “Garancia për Fëmijët po dëshmohet të jetë një kornizë premtuese për t’i përmbysur këto trende alarmante dhe për të siguruar që asnjë fëmijë të mos lihet pas dore.”
Rekomandimet e paraqitura synojnë t’i adresojnë shkaqet rrënjësore të varfërisë së fëmijëve, duke përfshirë vështirësitë financiare, qasjen e kufizuar në shërbime cilësore dhe barrierat sistemore si stigma, koordinimi i dobët institucional dhe pabarazitë gjeografike. Qasja thekson modelet e shërbimeve të integruara, shtrirjen proaktive dhe masat e synuara që i përgjigjen nevojave reale të fëmijëve dhe familjeve.
Ngjarja mblodhi shumë palë të interesit, duke përfshirë institucionet kyçe qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e fëmijëve, zbatimin e politikave dhe ofrimin e shërbimeve. Ata u përfshinë në një dialog të pasur dhe shkëmbim përvojash përmes dy diskutimeve në panel — së pari, për kalimin nga ofrimi sektorial i shërbimeve drejt pakove të integruara të shërbimeve, duke përfshirë përvoja dhe njohuri nga Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Arsimit dhe Shkencës, si dhe Shëndetësisë; dhe së dyti, për zbatimin praktik të Garancisë për Fëmijë në vendet anëtare të BE-së, ku përfaqësues qeveritarë të Austrisë, Kroacisë dhe Rumanisë treguan për eksperiencën e tyre.
Plani nacional i veprimit mbi Garancinë për Fëmijët pritet ta forcojë ofrimin e shërbimeve dhe mobilizimin e fondeve përgjatë implementimit përmes buxheteve qendrore dhe komunale. Deri në 3 milionë euro janë planifikuar tashmë për futjen e shërbimeve të fokusuara te fëmijët. Modelet e rishikuara të shërbimeve do të pilotohen në komuna të zgjedhura për të gjeneruar prova drejt shtrirjes në nivel nacional.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.