Varfëria e fëmijëve

Çfarë duhet të dini për varfërinë e fëmijëve dhe për punën e UNICEF-it për t’u përballë me të

Child carrying a cage with a bird in front of his home
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2020

Në mbarë botën, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, fëmijët kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri sesa të rriturit. Ata janë gjithashtu më të cenueshëm ndaj pasojave të saj.

Fëmijët mund të përjetojnë varfëri në shumë dimensione – qofshin të privuar nga strehimi, ushqimi, uji, arsimi, kujdesi shëndetësor ose mbrojtja. Të rritesh pa këto gjëra të domosdoshme paraqet shkelje të të drejtave të fëmijës, me pasoja të cilat mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.

Çfarë është varfëria e fëmijëve?

Varfëria mund të përcaktohet në dimensione të shumta, duke përdorur matje të ndryshme. Në rrafshin global, të jetosh në “varfëri ekstreme” do të thotë të mbijetosh me më pak se 2.15 dollarë në ditë. Në Maqedoninë e Veriut, varfëria monetare matet si përqindje e njerëzve të ardhurat e të cilëve janë dukshëm më të ulëta në krahasim me standardet e jetesës së shumicës së popullsisë.

Mirëpo, varfëria është më shumë se një shumë parash, sidomos shikuar nga prizmi i fëmijës. Fëmijët përjetojnë varfëri kur nuk e gëzojnë ushqimin, ujin, strehimin, arsimin ose kujdesin shëndetësor, që u nevojitet për të mbijetuar dhe për të lulëzuar. Kjo quhet “varfëri shumëdimensionale” dhe e përshkruan privimin nga të drejtat e shumta themelore.

Në Maqedoninë e Veriut, UNICEF-i e prezantoi Indeksin shumëdimensional të varfërisë së fëmijëve, i cili përfshin dymbëdhjetë dimensione: të ushqyerit, qasjen në ujë dhe kanalizime, shëndetësinë, strehimin, arsimin, informacionet, shërbime tjera sociale, kujdesin dhe dashurinë, sigurinë, mbrojtjen nga eksploatimi, zhvillimin në fëmijëri të hershme dhe mirëqenien materiale. Indeksi në fjalë është krijuar për t’i ndihmuar politikëbërësit të planifikojnë politika të synuara mirëfilli, efektive dhe efikase për ta reduktuar dhe eliminuar varfërinë e fëmijëve.

Sa fëmijë jetojnë në varfëri?

Në Maqedoninë e Veriut, rreth 120,000 fëmijë, ose çdo i treti fëmijë, jetojnë në varfëri monetare.

Varfëria e fëmijëve paraqet çështje globale. Ndodh në vendet me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta në shkallë dhe pasoja të ndryshme.

Rreth 1 miliard fëmijë në mbarë botën përjetojnë varfëri shumëdimensionale – që do të thotë se atyre u mungojnë nevojat si ushqimi, uji, strehimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Rreth 333 milionë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme, duke mbijetuar me më pak se 2.15 dollarë çdo ditë. Ndonëse varfëria ekstreme është çështje që haset gjithnjë e më shumë në Afrikën Sub-Sahariane, megjithatë edhe në disa nga vendet më të pasura të botës miliona fëmijë janë të prekur nga varfëria.

Në Maqedoninë e Veriut, rreth 120,000 fëmijë, ose çdo i treti fëmijë, jeton në varfëri monetare. Çdo familje e dytë me 3 e më shumë fëmijë dhe me prindër të vetëm jeton në varfëri.

Kur bëhet fjalë për varfërinë shumëdimensionale, një studim i UNICEF-it arriti në përfundimin se privimet nga arsimi, zhvillimi në fëmijëri të hershme, ushqimi, siguria, dashuria dhe kujdesi janë ndër 5 kontribuuesit kryesorë në varfërinë e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Fëmijët romë kanë tre herë më shumë gjasa të përjetojnë varfëri shumëdimensionale në krahasim me popullsinë e përgjithshme të fëmijëve. Dy rajone, ai lindor dhe ai juglindor, kanë një prevalencë të lartë të varfërisë shumëdimensionale, ndonëse edhe rajoni i Pollogut dhe i Shkupit njashtu shfaqin cenueshmëri të lartë.

Hulumtoni të dhënat >

Cilat janë pasojat e varfërisë së fëmijëve?

Three boys walking in a neibourhood
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2017

Fundi i varfërisë së fëmijëve është zgjedhje politike.

Efektet e përjetimit të varfërisë në fëmijëri janë të rënda. Rritja, duke qenë të privuar nga çdo nevojë bazë – nga ushqimi deri te strehimi dhe arsimimi – e pengon zhvillimin fizik dhe kognitiv të fëmijëve, duke kufizuar mundësitë e tyre sociale dhe ekonomike si të rritur.

Në mbarë botën, fëmijët nga familjet më të varfra kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre më të pasur. Për ata që jetojnë nëpër kriza humanitare si konflikte të armatosura ose fatkeqësi natyrore, rreziqet e privimit rriten. Edhe në vendet më të pasura të botës, rreth një në pesë fëmijë ende jeton në varfëri.

Pavarësisht se ku janë, fëmijët që rriten në varfëri vuajnë nga standardet e dobëta të jetesës, zhvillojnë më pak aftësi për fuqinë punëtore dhe fitojnë paga më të ulëta kur të rriten. Kjo është arsyeja pse, në mungesë të programeve të mjaftueshme për ta trajtuar atë, varfëria tenton të vazhdojë nga brezi në brez.

 

A është e mundur të përballemi me varfërinë e fëmijëve?

Po, dhënia fund e varfërisë së fëmijëve është zgjedhje politike. Nuk ka mungesë të provave se si mund të përballemi me të.

Me prioritetet, politikat dhe programet e duhura, qeveritë mund të përballen me varfërinë e fëmijëve në të gjitha dimensionet e saj. Programet e mbrojtjes sociale – si transfertat e parave të gatshme, sigurimet shëndetësore, heqja dorë nga tarifat e arsimit dhe përfitimet e lehonisë – ndihmojnë për t'i dhënë çdo fëmije një shans të barabartë në jetë.

 

Si e trajton UNICEF varfërinë e fëmijëve?

Në nivel nacional, rajonal dhe global, UNICEF-i punon me qeveritë dhe partnerët tjerë për t’i ndihmuar vendet ta masin dhe trajtojnë varfërinë e fëmijëve në të gjitha format e saj.

Ne, në partneritet me Bankën Botërore, prodhojmë statistika globale mbi varfërinë ekstreme të fëmijëve, të cilat udhëzojnë vendimmarrësit drejt politikave dhe programeve efektive. Hulumtimi dhe avokimi ynë gjithashtu ndihmon qeveritë të bëjnë investime më të zgjuara në shërbimet sociale, të cilat kanë më shumë rëndësi për fëmijët.

Kjo është arsyeja pse UNICEF-i e promovon zgjerimin e përfitimeve të fëmijëve dhe programeve tjera të mbrojtjes sociale, sepse janë dëshmuar në vende dhe kontekste të ndryshme që e përmirësojnë shëndetin, edukimin dhe ushqimin e fëmijëve. Ne gjithashtu i mbështesim qeveritë në zbatimin e politikave miqësore ndaj familjes, të cilat e rrisin mirëqenien jo vetëm të fëmijëve, por edhe të kujdestarëve.

Si bashkë-drejtues, së bashku me “Shpëtoni fëmijët” (Save the Children), Koalicionin global për t'i dhënë fund varfërisë së fëmijëve, UNICEF luan rol kryesor në ngritjen e ndërgjegjësimit për varfërinë e fëmijëve dhe përshpejtimin e përpjekjeve globale për ta trajtuar atë.

Mësoni më shumë rreth varfërisë së fëmijëve në Maqedoninë e Veriut