Shpërblimi im më i madh është përqafimi i një fëmije, i arritur përmes besimit
Aneta, punonjëse sociale nga Probishtipi, shpjegon sfidat dhe shpërblimet e punës së saj.
- English
- Македонски
- Shqip
Aneta Tomeva punon si punonjëse sociale në Qendrën për Punë Sociale në Probishtip për më shumë se 15 vjet. Ajo tregon se në profesionin e saj, kurrë nuk ka pasur ditë pa sfida, andaj sipas saj është e pamundur të punosh sipas një agjende praprakisht te definuar.
“Kjo është një punë shumë dinamike. Duhet të reagosh shpejt dhe t’u japësh përparësi çështjeve të caktuara. Në një çast përgatit dokumentet për përfitime në para, në momentin tjetër merr një thirrje për një rast dhune në familje.”
Edhe pse sfiduese, Aneta e sheh profesionin e saj si një dritë shprese për familjet që e gjejnë veten në situata të vështira.
“Kur na paraqitet një familje, kjo do të thotë se ata kërkojnë mbështetje shtesë për t’i tejkaluar sfidat e tyre. Ata shpesh kanë humbur besimin në vetvete dhe në sistem, andaj ne duhet të punojmë së bashku për ta rikthyer stabilitetin dhe normalitetin në jetën e tyre.”
Puna e Anetës ndjek një proces të strukturuar të menaxhimit të rasteve - duke filluar me vlerësimin e nevojave të fëmijës dhe familjes, planifikimin e mbështetjes, koordinimin me sektorët kyç si arsimi dhe shëndetësia, referimin te shërbimet përkatëse në komunitet. Paralelisht me këtë, ata vazhdimisht e monitorojnë progresin përmes mbikëqyrjeve të rregullta.
Në varësi të situatës dhe cenueshmërisë së tyre, familjet mund të kenë qasje në lloje të ndryshme të përfitimeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sociale. Familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet me persona me aftësi të kufizuara mund të aplikojnë për përfitime në para dhe shtesa fëmijërore. Për situata më komplekse, veçanërisht për fëmijët në situata të pasigurta familjare, ekzistojnë shërbime të mbrojtjes sociale, të cilat kërkojnë një qasje praktike në bashkëpunim të ngushtë me familjet.
“Në rastet e marrëdhënieve të tendosura martesore, dhunës në familje ose fëmijëve në rrezik, është shumë më rëndësi këshillimi dhe mbështetja jonë e drejtpërdrejtë për familjet. Ne së bashku e zhvillojmë një plan pune me familjen dhe biem dakord për ndërhyrjet, duke përfshirë mbështetjen psikosociale dhe punën me prindërit për përmirësimin e marrëdhënieve me fëmijët e tyre. Në këto raste, vizitat në familje janë thelbësore”, thotë Aneta, e cila e sheh këtë pjesë të punës si thelbin e asaj që do të thotë të jesh punonjës social.
Rëndësia e vizitave në familje
Një nga familjet të cilave Aneta u ofron mbështetje të rregullt është përballur me sfida të ndryshme, duke përfshirë varfërinë dhe problemet shëndetësore. Aneta i njeh marrëdhëniet e tyre familjare, historinë mjekësore, progresin akademik të fëmijëve - pothuajse si një anëtar i besuar i familjes.
Në një nga vizitat e saja të rregullta, ajo e kontrollon shëndetin e babait, i cili përballet me sëmundjen e kancerit në fyt. Ajo e pyet për gjendjen e tij shëndetësore dhe për barërat që i merr, dhe i jep informacion për referimin te një mjek. Aneta gjithashtu pyet për fëmijët, dy vajza adoleshente, dhe kontrollon nëse ata e ndjekin mësimin në shkollë.
Nëna tregon se kohët e fundit vajza e saj më e vogël ka përjetuar sulme paniku. “Le të vijë në zyrën time nesër”, thotë Aneta. Ajo planifikon të flasë me vajzën dhe nëse është e nevojshme, ta referojë te një psikolog për mbështetje shtesë. Megjithatë, referimi për mbështetje shtesë është gjithmonë një sfidë, pasi nuk ka psikolog në Probishtip. Psikologu më i afërti është në Koçanë, rreth 23 km larg.
Mbështetja e familjeve që përballen me cenueshmëri të shumëfishta shpesh kërkon ndjekje të vazhdueshme për disa vite. Për disa familje që përballen me varfëri dhe probleme serioze shëndetësore, mbështetja e vazhdueshme e sistemit të mbrojtjes sociale është thelbësore. Vizitat në familje janë mjeti më i rëndësishëm për punonjësit socialë për identifikim të nevojave në zhvillim dhe për vlerësim të progresit.
Barra administrative
Aneta viziton familje të ndryshme dy deri në katër herë në muaj në varësi të gjendjes familjare dhe llojeve të përfitimeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sociale, të cilat i shfrytëzojnë,. Vizitat duhet të jenë më të shpeshta, por kjo pjesë e punës është e kufizuar për shkak të përgjegjësive administrative që u caktohen punonjësve socialë. “Ndonjëherë ndihem më shumë si punonjëse administrative sesa si punonjëse sociale”, thotë Aneta. “Kur një familje është në rrezik social, është detyra jonë ta ndihmojmë atë të kthehet në jetë normale. Megjithatë, shpesh jemi të mbingarkuar me procedura dhe dokumente, të cilat na pengojnë nga ofrimi i shërbimit me cilësinë më të lartë.”
Qendrat për Punë Sociale përballen me sfida të konsiderueshme për shkak të mungesës së burimeve, fluksit të lartë të stafit, vështirësive në rekrutim dhe rritjes së ngarkesës me shtimin e numrit të rasteve. Mungesa e personelit të kualifikuar, së bashku me detyrat administrative, pengon menaxhimin efektiv të rasteve, veçanërisht në kuadër të punës sociale preventive.
Përndryshe, Aneta mendon se punonjësit socialë kanë nevojë për më shumë autonomi dhe fleksibilitet për të përcaktuar në mënyrë të pavarur ndihmën e duhur dhe urgjencën e adresimit të një problemi të bazuar në vlerësimin e tyre.
"Më herët, qendrat për punë sociale kishin një linjë të veçantë buxhetore, të cilën mund ta përdornin në situata të vështira, veçanërisht për të ofruar ndihmë të njëhershme, në mënyrë që qendrat të mund t’ia paguanin menjëherë një shumë të caktuar fondesh një personi që kishte nevojë për to. Tani nuk kemi buxhetin tonë dhe procesi na zgjat dy muaj.”
Bashkëpunimi shumësektorial është parësor
Pavarësisht sfidave, Aneta thekson bashkëpunimin e fortë ndërsektorial si një nga aspektet më të rëndësishme dhe pozitive në punën e saj. “Ne kemi bashkëpunim të mirë me policinë, shkollat, kopshtet, qendrat shëndetësore. Kudo që shfaqet një problem i caktuar, ne informohemi.”
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për rastet e dhunës në familje. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, ata kanë krijuar një grup shumësektorial në nivel vendor dhe kanë praktikuar zhvillimin e seancave të përbashkëta dëgjimore, për ta shmangur viktimizimin e mëtejshëm të të mbijetuarve të dhunës.
'Për këtë arsye, seanca dëgjimore zhvillohet bashkërisht dhe vetëm një herë. Ne ofrojmë të gjithë informacionet dhe mbledhim të gjitha nënshkrimet e nevojshme nga policia dhe për punonjësit socialë në të njëjtën kohë. Më pas, ne vazhdojmë punën tonë përmes mbështetjes psikosociale dhe llojeve tjera të shërbimeve të nevojshme. Nuk ka nevojë që i mbijetuari i dhunës të raportojë dhe të kalojë nëpër intervista të përsëritur.”
Mbajtja e familjeve së bashku
Aneta mendon se shpesh punonjësit socialë keqkuptohen si njerëz që largojnë fëmijët nga familjet e tyre. “Kjo nuk ka të bëjë fare me realitetin. Qëllimi ynë kryesor është t’i mbajmë familjet së bashku.” Megjithatë, ajo pranon se kur një punonjës social hyn në një shtëpi për herë të parë, fëmijët zakonisht janë më të frikësuarit, andaj nevojitet kohë, durim, qëndrueshmëri dhe empati për të fituar besimin e tyre.
"Kur ta fitoni besimin e tyre, lehtë mund ta vëreni atë në sytë e tyre. Vetëm atëherë fëmija ndihet mjaftueshëm i sigurt për t’ju përqafuar - ky është shpërblimi më i madh për punën tonë.”
Cilësia e sistemeve të mbrojtjes mbështetet në kompetencat dhe angazhimin personal të profesionistëve si Aneta, të cilët punojnë pa u lodhur për t’i ndihmuar familjet ta rifitojnë shpresën dhe stabilitetin. Përveç ekspertizës dhe përkushtimit të tyre, punonjësit socialë kanë nevojë edhe për mbështetjen e sistemit që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime. Për fëmijët kjo është edhe më e rëndësishme, pasi disavantazhet dhe përjashtimi në moshë të re kanë ndikim në aftësinë e tyre për të arritur sukses më vonë gjatë jetës.
Reformat e vazhdueshme në sistemin e mbrojtjes sociale dhe fuqia punëtore më e fortë e shërbimeve sociale janë thelbësore për të zgjeruar shërbimet parandaluese dhe për të siguruar që familjet vulnerabël ta marrin mbështetjen që u takon. Kjo është me rëndësi thelbësore për t’i dhënë çdo fëmije një shans të drejtë për ta arritur potencialin e tij të plotë, pavarësisht rrethanave të tyre familjare.
………………………………………………………………………………………………………………………………………..
UNICEF-i mbështet Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për ta përmirësuar strukturën organizative të Qendrave për Punë Sociale dhe për t’i avancuar kapacitetet e fuqisë punëtore të shërbimeve sociale për t’i mbrojtur në mënyrë efikase dhe efektive fëmijët në rrezik social dhe familjet e tyre. Që nga viti 2021, bazuar në përvojën në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, UNICEF-i mbështet vendin për ta përfshirë mekanizmin e Garancisë për Fëmijë, të hartuar për ta parandaluar dhe trajtuar varfërinë dhe përjashtimin social të fëmijëve duke garantuar që fëmijët e cenueshëm të kenë qasje në paketa minimale të shërbimeve sociale bazë, si dhe shërbime të synuara dhe të specializuara të përshtatshme dhe të pranueshme për fëmijët dhe familjet e tyre, të ofruara në një mënyrë jo-stigmatizuese dhe jo-diskriminuese.