Reformimi i ndihmës financiare mund ta ulë ndjeshëm varfërinë e fëmijëve dhe ta përmirësojë gjendjen në tregun e punës.

06 Maj 2026
Group of participants on a conference
UNICEF North Macedonia/2026

Shkup, 6 Maj 2026: Sot Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve dhe UNICEF-i mbajtën një diskutim të nivelit të lartë me titull “Investimi në fëmijë - Promovimi i kapitalit njerëzor, punësimit të grave dhe rritjes gjithëpërfshirëse”, duke paraqitur prova të reja që tregojnë se duke reformuar përfitimet në para për familjet me fëmijë, varfëria e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut mund të zvogëlohet deri në 6 pikë përqindjeje.

Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë, deputetë, përfaqësues të komunitetit akademik, sektorit të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë për të shqyrtuar opsionet e politikave që jo vetëm do të adresonin varfërinë, por edhe do të forconin qëndrueshmërinë demografike, do të mbështesnin punësimin e grave dhe do të nxisnin rritjen ekonomike afatgjatë.

Pavarësisht reformave në mbrojtjen sociale, pothuajse një e treta e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut - rreth 120,000 fëmijë - mbeten në rrezik varfërie, një normë që është dukshëm më e lartë se mesatarja nacionale. Rreziku i varfërisë është veçanërisht i lartë tek fëmijët që rriten në familje të mëdha, në familje me një prind të vetëm dhe në komunitetet rome, me pothuajse një në dy fëmijë që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

"Sot jemi në një fazë ku nevojitet hapi tjetër, më i guximshëm. Pika kyçe është e qartë: Nevojitet një brez i ri reformash të dotacioneve për fëmijë me mbulim më të mirë, mbështetje më të përshtatshme, përqendrim te fëmija dhe kohezion më i mirë ndërmjet mbrojtjes sociale me tregun e punës. Prandaj, ne e shohim analizën e sotme si bazë për një reformë thelbësore. Një nga modelet që po shqyrtohet është përfshirja e një përfitimi universal për secilin fëmijë, gjë që ka efekte të provuara në uljen e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të tregut të punës. Paralelisht me këtë,  po shqyrtohet edhe zgjerimi i fushëveprimit dhe sasisë së përfitimeve ekzistuese për fëmijë. Qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë një sistem më gjithëpërfshirës dhe më efikas të përfitimeve për fëmijë, të orientuar drejt interesave më të mira të fëmijës, i cili njëkohësisht do të krijojë nxitje, e jo një pengesë, për punësimin formal”, tha Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. 

Pjesëmarrësit theksuan se varfëria e fëmijëve nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat e kufizuara. Ajo ndikon gjithashtu në ushqyerjen, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve. Sfida të tilla mund të çojnë në arritje më të ulëta arsimore dhe perspektiva më të dobëta ekonomike më vonë gjatë jetës, duke krijuar një cikël varfërie ndërmjet brezave. Shkalla e lartë e varfërisë gjithashtu mund të dobësojë qëndrueshmërinë demografike, pasi familjet mund të vonojnë ose shmangin lindjen e fëmijëve, gratë mund të shtyhen jashtë tregut të punës dhe të rinjtë mund të migrojnë diku tjetër për të gjetur mundësi më të mira.

“Rezistenca demografike do të thotë krijimi i kushteve në të cilat familjet kanë mundësinë të rrisin fëmijë me siguri, dinjitet dhe besim në të ardhmen. Përfitimet e besueshme dhe të parashikueshme për fëmijë janë një pjesë kyçe e zgjidhjes, duke i ndihmuar familjet të përballen me presionet ekonomike, të parandalojnë varfërinë dhe të mbrojnë investimet në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve – të cilat janë bazamenti  i fuqisë punëtore të ardhshme të vendit dhe kapitalit njerëzor afatgjatë”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut.

Analiza e paraqitur ofron dy mundësi reformash të bazuara në prova: (1) Përfitim universal për fëmijë, i cili do të siguronte mbështetje financiare bazë për të gjithë fëmijët, me përfitime shtesë për ata që jetojnë në varfëri, në familje më të mëdha ose fëmijët që janë në arsim; dhe (2) Qasje e përforcuar e testimit të mjeteve, e cila do t’i rriste përfitimet, do të zgjeronte të drejtën për t'u përfituar dhe do të hiqte kufizimet në numrin maksimal të fëmijëve të mbështetur në një familje. Të dyja opsionet tregojnë potencialin për të ulur varfërinë e fëmijëve deri në 6 pikë përqindjeje, brenda implikimeve të arsyeshme fiskale.

Diskutimet në panel shqyrtuan se si një projektimi më i mirë i dotacioneve për fëmijë mund të sigurojë një fillim të drejtë për çdo fëmijë, duke mbështetur njëkohësisht aktivizimin e grave në tregun e punës. Folësit theksuan se mbështetja e parashikueshme dhe e qëndrueshme e të ardhurave është veçanërisht e rëndësishme në fëmijërinë e hershme dhe në tranzicionet kryesore të jetës, dhe se mbrojtja sociale duhet të mbështesë, e jo të penalizojë, kalimin në punësim formal.

Fjalën përmbyllëse në fund të aktivitetit e mbajti Sekretari i Shtetit i Ministrisë, Fatmir Sabriu.

"Për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, diskutimi i sotëm është jashtëzakonisht i vlefshëm. Na jep një pamje të qartë të sfidave kryesore, por edhe të mundësive që shtrihen përpara. Në periudhën në vijim, do të vazhdojmë me një analizë të kujdesshme të opsioneve të propozuara, me qëllim identifikimin e zgjidhjeve të cilat që janë:

  • vërtetë efektive në uljen e varfërisë,
  • të drejta për kategori të ndryshme familjesh,
  • dhe gjithsesi, të qëndrueshme nga aspekti fiskal.

“Procesi do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës. Ne e trajtojmë ngjarjen e sotme si fillimin e një dialogu dhe bashkëpunimi më të thellë dhe gjithëpërfshirës me të gjithë palët përkatës drejt përmirësimit të sistemit të përfitimeve në para, që kanë të bëjnë me fëmijët dhe familjet me fëmijë”, theksoi Sabriu.

Ai falënderoi UNICEF-in për partneritetin dhe mbështetjen e tij në përgatitjen e kësaj analize dhe për kontributin aktiv të të pranishmëve në diskutim. 


Për më shumë informacione:

Suzie Pappas Capovska | Tel: (02) 3231-244 | [email protected]

Simona Mirkoska | Tel: (02) 3231-253 | [email protected]

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.