Garancia Evropiane për Fëmijët - një shteg drejt zvogëlimit të varfërisë së fëmijëve në vend

15 Mars 2024
European Child Guarantee - a pathway to reduce child poverty in the country
Finance Think

Shkup, 14 mars 2024: Në një panel diskutimi mbi varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve, palët e përkatëse nga qeveria, partnerët për zhvillim, bota akademike dhe shoqëria civile ranë dakord mbi nevojën për një qasje ndërsektoriale dhe afatgjatë për trajtimin e varfërisë shumëdimensionale të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Futja e Garancisë Evropiane për Fëmijët në vend u theksua si një ndërhyrje me premtimin më të madh për të depërtuar tek fëmijët më të cenueshëm dhe për të siguruar qasje sistematike në shërbimet sociale. 

Varfëria e fëmijëve nuk varet vetëm nga të ardhurat e familjes, por njashtu rezulton edhe për shkak të privimeve nga përkujdesja, nga furnizimet dhe shërbimet e ofruara nga prindërit dhe autoritetet publike. Çdo i treti fëmijë në vend jeton nën kufirin e varfërisë – kjo është dukshëm më e lartë se ajo e popullsisë së përgjithshme. Për më tepër, një analizë e mbështetur nga UNICEF-i ka treguar se privimet nga arsimi, zhvillimi në fëmijëri të hershme, ushqimi, siguria, dashuria dhe kujdesi janë ndër pesë kontribuuesit kryesorë në varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve.

“Varfëria e fëmijëve nuk është problem i një qeverie apo një partie politike. Varfëria e fëmijëve kërkon një përgjigje të qëndrueshme dhe sistematike në nivel nacional dhe lokal. Shkalla e lartë e varfërisë së fëmijëve është një sfidë që ka vazhduar në vend për shumë vite,” tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Meqenëse po iu afrohemi zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, duhet të kujtojmë se varfëria e fëmijëve nuk është e pashmangshme; mirëpo çrrënjosja e saj është zgjedhje politike.”

“Si pjesë e misionit të saj për uljen e varfërisë, shtrirjen e prosperitetit dhe ruajtjen e planetit, Banka Botërore, së bashku me partnerët e saj në vend, bashkëpunon për tema dhe çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht të fëmijëve të kategorisë më vulnerabil, duke punuar në përmirësimin e shtrirjes dhe cilësisë së shërbimeve në sferën e arsimit, shërbimeve sociale dhe shëndetësisë”, tha Bojana Naceva, specialiste për arsim të lartë në Bankën Botërore, gjatë panel debatit të zhvilluar.

Diskutimi i përmblodhi rezultatet nga një sërë konsultimesh sektoriale të fokusuara në varfërinë e fëmijëve nga aspekti i arsimit, shëndetësisë, të ushqyerit dhe mbrojtjes sociale.

Panelistët ranë dakord për pikat e mëposhtme të veprimit:

  • Nevoja për t’i bërë të dukshëm fëmijët që jetojnë në varfëri, nëpërmjet monitorimit, matjes dhe veprimit të provave.
  • Rritja e qasjes në shërbimet sociale dhe kujdesi për trajtimin e varfërisë së fëmijëve, promovimi i mbështetjes duke pasur familjen në qendër dhe ndërhyrjet për mbrojtjen e fëmijëve për të depërtuar te më të cenuarit.
  • Sigurimi i ndihmës së drejtpërdrejtë financiare për familjet nëpërmjet ndihmës sociale.
  • Vazhdimi i trendit të zgjerimit të qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme, duke e pasur parasysh rëndësinë e tij në raport me rezultatet e ardhshme të jetës.
  • Trajtimi i privimeve arsimore që kontribuojnë në varfërinë e fëmijëve përmes programeve për reduktimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit dhe mbështetjes për përfshirjen e fëmijëve që janë jashtë procesit arsimor dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara mund të shkojnë krah për krah me njëra tjetrën.
  • Sigurimi i qasjes në kujdesin shëndetësor për çdo fëmijë duke përmirësuar shtrirjen e sigurimeve shëndetësore për fëmijët, si dhe duke forcuar shërbimet e vizitave në shtëpi dhe sistemet e imunizimit.

Në përpjekjen për ta trajtuar varfërinë e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, vendi po zbaton përvojat nga Bashkimi Evropian duke përfshirë Garancinë Evropiane për Fëmijët - një mekanizëm i cili synon ta parandalojë dhe luftojë përjashtimin social të fëmijëve duke garantuar qasje në një sërë shërbimesh themelore sociale dhe ndihma financiare.

Është në rrjedhë e sipër puna e drejtuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF-in për ta hapur rrugën për zbatimin e Garancisë Evropiane për Fëmijët në vend.

Rezultatet e diskutimit të sotëm dhe dialogut të mëparshëm të politikave mbi varfërinë shumëdimensionale të fëmijëve do të futen në Planin nacional të veprimit për të drejtat e fëmijëve dhe Planin për zbatimin e Garancisë Evropiane për Fëmijët në vend.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.