1 në 10 fëmijë në Maqedoninë e Veriut i nënshtrohet eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë

Të dhënat e reja tregojnë se abuzimi më së shpeshti kryhet nga dikush që fëmija e ka njohur më parë, ndërsa rrjetet sociale dhe platformat online përdoren për kryerjen e abuzimit, si në internet ashtu edhe në jetën reale

26 Gusht 2026
Disrupting Harm event promotion of report findings
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2026

Shkup, 26 gusht 2026: Një në dhjetë fëmijë që përdorin internetin të moshës 12-17 vjeç (10%) në Maqedoninë e Veriut – rreth 12,000 fëmijë - iu nënshtruan eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë në një vit të vetëm, sipas raportit të ri të ”Disruptin Harm" në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar nevojën urgjente për sisteme më të forta të parandalimit, mbrojtjes dhe mbështetjejes për fëmijët.

Eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi i fëmijëve me ndihmën e teknologjisë i referohet situatave që përfshijnë teknologjitë digjitale, internetin dhe komunikimin në çdo fazë të keqtrajtimit ose eksploatimit. Mund të ndodhë tërësisht onlajn, përmes një kombinimi të ndërveprimeve onlajn dhe personale, ose përmes keqtrajtimit në prezencë fizike që regjistrohet, shpërndahet ose lehtësohet me ndihmën e teknologjisë.

Pasojat për fëmijët e prekur janë të thella dhe kërkojnë mbështetje dhe shërbime në kohë, të ndjeshme ndaj fëmijëve. Fëmijët që i nënshtrohen eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë kishin 11 herë më shumë gjasa të përfshiheshin në vetë-lëndim dhe 12 herë më shumë gjasa të përjetonin mendime ose sjellje vetëvrasëse krahasuar me fëmijët që nuk kishin përjetuar një keqtrajtim të tillë. Profesionistët e intervistuar që punojnë me fëmijë përshkruajnë ndikimet afatgjata, duke përfshirë turpin, humbjen e kontrollit, shqetësimet e gjumit, stresin dhe frikën se materiali keqtrajtues do të mbetet në internet për një kohë të pacaktuar.

“Pas çdo statistike në këtë raport është një fëmijë, besimi i të cilit është thyer, siguria e të cilit është komprometuar dhe mirëqenia e të cilit është në rrezik. Ajo që e bën këtë hulumtim kaq të rëndësishëm nuk është vetëm se për herë të parë matet shkalla e problemit, por gjithashtu kap zërat dhe përvojat e jetuara të vetë fëmijëve dhe të rinjve," tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it. "Dëshmitë nuk lënë asnjë dyshim se mbrojtja e fëmijëve në epokën digjitale kërkon ligje më të forta, shërbime më të mira, mjedise më të sigurta në internet dhe biseda të hapura me fëmijët." 

Gati gjysma e fëmijëve të prekur (48%) përjetuan më shumë se një formë të keqtrajtimit në vitin para se të anketoheshin. Më shumë se gjysma e incidenteve të regjistruara përfshinin mediat sociale, ndërsa gati një e treta ndodhi përmes mjediseve të lojrave onlajn. Studimi gjithashtu tregon se djemtë dhe vajzat janë prekur në një masë të ngjashme, pa dallime të konsiderueshme për sa i përket gjinisë, moshës, vendbanimit, aftësive digjitale apo nivelit të arsimit të prindërve.

Në kundërshtim me perceptimet se eksploatimi seksual onlajn shkaktohet kryesisht nga të huajt, hulumtimi zbuloi se gati katër në pesë fëmijë (78%) iu nënshtruan keqtrajtimit që përfshinte dikë që e njihnin. Më shumë se gjysma e kryerësve ishin të rritur (57%) - partnerë intimë aktualë ose të mëparshëm, apo persona ndaj të cilëve fëmija kishte simpati, ishin mjaft të zakonshme (39% e rasteve), ndërsa në më shumë se një të katërtën e rasteve (27%) ishin të përfshirë anëtarë të familjes. Kjo thekson se si lëndimi shpesh shpaloset nëpër mjedise digjitale dhe fizike dhe është i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e besimit dhe normat më të gjera shoqërore që normalizojnë dhunën dhe stigmatizojnë viktimat e keqtrajtimit seksual. 

Ndërsa 88% e fëmijëve që u eksploatuan ose keqtrajtuan i treguan dikujt për përvojën e tyre, raportimi dhe kërkimi i ndihmës përmes kanaleve zyrtare mbeti jashtëzakonisht i ulët (nën 1%). Fëmijët përmendën turpërimin, stigmën, pasigurinë në lidhje me proceset e raportimit dhe mungesën e besimit në institucione si pengesa kryesore për të kërkuar ndihmë formale.

“Ky raport na ndihmon të kuptojmë realitetin në shoqërinë tonë - si personat e rinj sillen onlajn, cilat rreziqe janë më prevalente, dhe ku institucionet duhet të intervenojnë në mënyrë më efektive. Ai ofron udhëzime për përforcimin e kornizës ligjore, mbështetjen e profesionistëve që punojnë me fëmijët, dhe përmirësimin e mekanizmave praktik për parandalim dhe mbrojtje," tha Astrit Iseni, zëvendës ministër i punëve të brendshme. "Le të shërbejë si udhërrëfyes për veprim konkret: parandalim të fuqishëm në komunitete dhe shkolla, ndarje më efektive të informatave mes institucioneve, procedura të qarta për raportimin dhe reagimin në raste, mbështetje gjithëpërfshirëse për fëmijë të prekur dhe familjet e tyre."

Raporti tregon se ndërsa teknologjia po ndryshon mënyrën e kryerjes së keqtrajtimit, legjislacioni nuk ka mbajtur gjithmonë ritmin. Ai identifikon disa zbrazëtira ligjore që i lënë fëmijët të cenueshëm – veçanërisht ata të moshës 14-17 vjeç dhe bën thirrje për reforma ligjore që do të ndihmonin në mbylljen e boshllëqeve, sigurimin e llogaridhënies për kryerësit dhe sigurimin e masave mbrojtëse më të mira për të gjithë fëmijët në mënyrë të barabartë.

Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e masave më të forta të sigurisë onlajn për fëmijët dhe bëjnë thirrje për veprime urgjente në të gjithë sektorët për të modernizuar legjislacionin, për të siguruar qasje në drejtësi, për të përmirësuar sistemet e raportimit dhe shërbimet e mbrojtjes, përfshirë shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale, për të rritur investimet në parandalimin si për fëmijët ashtu edhe për prindërit, kërkojnë dizajn më të sigurt të platformës dhe bashkëpunim të zgjeruar ndërsektorial midis sektorëve të ndryshëm në institucionet qeveritare, kompanitë e teknologjisë, ofruesit e shërbimeve të internetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.

Raporti nga "Disrupting Harm" në Maqedoninë e Veriut u krye përmes bashkëpunimit midis zyrës së strategjisë dhe dëshmive të UNICEF – Innocenti, ECPAT International dhe INTERPOL, me financim nga Safe Online dhe në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. 

Fëmijët dhe kujdestarët që janë të shqetësuar ose të prekur duhet të kërkojnë mbështetje nga shërbimet sociale, shkollat, policia ose shërbimet e specializuara mbështetëse. Asnjë fëmijë nuk është përgjegjës për keqtrajtimin ose eksploatimin ndaj të cilit është i ekspozuar.

###

Deklaratat nga partnerët e zbatimit: 

"Ndërtimi i një përgjigje efektive ndaj eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë kërkon një kuptim të fortë të rreziqeve me të cilat përballen fëmijët dhe mënyrën e kryerjes së këtyre veprave penale. Hulumtimi i "Disrupting Harm" në Maqedoninë e Veriut ofron njohuri të vlefshme mbi tendencat kryesore, zbrazëtirat dhe mundësitë për të përmirësuar parandalimin, hetimet dhe përgjigjet e përqendruara te viktimat. Duke i përkthyer këto gjetje në rekomandime praktike, iniciativa mbështet koordinimin e zgjeruar midis aktorëve kombëtarë dhe kontribuon në sisteme më të forta të mbrojtjes së fëmijëve. Kjo punë pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të INTERPOLIT ndaj qasjeve të bazuara në dëshmi, të përqendruara në viktima për të trajtuar veprat penale kundër fëmijëve në epokën digjitale." 

- Mark BEAVAN, Drejtues, Njësia e INTERPOLIT për veprat penale ndaj fëmijëve

Në mënyrë inkurajuese, gjithnjë e më shumë fëmijë në Maqedoninë e Veriut po flasin hapur për eksploatimin dhe keqtrajtimin të cilit i janë nënshtruar. Megjithatë, fëmijët dhe prindërit e tyre rrallë përdorin kanale formale të raportimit. Institucionet në Maqedoninë e Veriut duhet ta mbyllin këtë boshllëk duke krijuar besim në këto sisteme, ndërsa gjithashtu investojnë në trajnime të informuara për traumat dhe të ndjeshme ndaj gjinisë për profesionistët që punojnë me fëmijët. ” - Andrea Varrella, Drejtuese e programit: Drejtësia dhe të drejtat e fëmijëve, ECPAT International

"Raporti i Disrupting Harm në Maqedoninë e Veriut zbulon se fëmijët kanë shumë më shumë gjasa të përjetojnë eksploatimin seksual nga dikush që njohin sesa nga një person i panjohur - megjithatë vetëm 1% e rasteve raportohen zyrtarisht. Investimi prej 15 milionë USD i Safe Online në 25 shtet po ndihmon në kthimin e dëshmive në veprim për të siguruar që çdo fëmijë të mund të kërkojë ndihmë dhe të mbrohet. Ne përgëzojmë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ECPAT, INTERPOL, UNICEF dhe partnerët lokalë për udhëheqjen e tyre. ” - Marija Manojloviç, Drejtore ekzekutive, Safe Online

 


Shënim për redaktorët:
  • Vlerësimi i 12,000 fëmijëve bazohet në popullsinë e parashikuar kombëtare të fëmijëve që përdorin internetin të moshës 12-17 vjeç në Maqedoninë e Veriut.
  • Eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi i fëmijëve me ndihmën e teknologjisë që ndodh onlajn, oflajn me përfshirjen e teknologjisë, ose përmes një kombinimi të ndërveprimeve digjitale dhe personale. Anketa e "Disrupting Harm" shqyrtoi: Marrja e komenteve, fotografive ose videove të padëshiruara seksuale; Presioni për të folur për seksin; Kërkesat për përmbajtje seksuale; Përdorimi i imazheve seksuale të rrejshme, të krijuara nga IA; Ndarja ose kërcënimet për të shkëmbyer imazhe seksuale pa pëlqim; Ofertat e parave ose dhuratave për përmbajtje ose takime seksuale; Kërcënimet ose shantazhet për të detyruar aktivitetin seksual dhe eksploatimin seksual dhe keqtrajtimin të transmetuar drejtpërdrejt.
  • Studimi i "Disrupting Harm" kombinoi një anketë përfaqësuese kombëtare të 1,039 fëmijëve të moshës 12-17 vjeç dhe 1,039 prindërve dhe kujdestarëve me intervista me të rinj që i nënshtrohen eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit të fëmijëve me ndihmën e teknologjisë, ofruesit e shërbimeve të vijës së parë, profesionistët e policisë dhe drejtësisë dhe një analizë të ligjeve dhe politikave ekzistuese. 

 

Kontakte me mediat

Simona Mirkoska
Tel: (02) 3231-200
Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Resurse shtesë

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.