Fëmijët e drejtojnë nxitjen nacionale për hapësira digjitale më të sigurta dhe pa urrejtje

26 Shkurt 2026
Adolescent boy and girl wearing blouses with #NetWithoutHate logo present their initiatives in front of an audience
Foundation Telekom for Macedonia / 2026

Shkup, 25 shkurt 2026: Sot fëmijët dhe adoleshentët ishin në qendër të vëmendjes në aktivitetin e udhëhequr nga fëmijët mbi mbështetjen e bashkëmoshatarëve kundër bullizimit kibernetik dhe gjuhës së urrejtjes në internet, të organizuar nga UNICEF-i dhe Fondacioni Telekom për Maqedoni, në bashkëpunim me Shoqatën e Skautëve të Maqedonisë. Ata, duke shfaqur idetë dhe zgjidhjet e tyre, bënë thirrje për mbështetje në krijimin e ambienteve më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse digjitale.

Pesë ekipe mbështetësish të të drejtave të fëmijëve paraqitën ide kreative mbi nisma, të cilat synojnë t'i bëjnë mjediset e internetit më të sigurta dhe të mbrojtura nga urrejtja. Këto ide përfshijnë seri digjitale, të udhëhequr nga të rinjtë, paraqesin debate në stilin e podkasteve mbi urrejtjen në internet, module prind-fëmijë për të inkurajuar diskutime të hapura rreth bullizimit  kibernetik dhe përpjekje për ta forcuar rolin e mbështetësve të fëmijëve në shkolla me qëllim të mbrojtjes së të drejtave digjitale. Përveç kësaj, u prezantuan dy ide për platforma në internet, të drejtuara nga të rinjtë, të cilat ofrojnë këshilla praktike dhe mbështetje nga bashkëmoshatarët për fëmijët, të cilët përballen me presion në internet dhe me sfida ndaj shëndetit mendor. 

Po ashtu, të rinjtë prezantuan një Pako të re veglash për parandalimin e bullizmit kibernetik dhe gjuhës së urrejtjes, të krijuar dhe testuar së bashku me fëmijë dhe ekspertë. Ky resurs, i projektuar për mësues, psikologë, punonjës socialë dhe punonjës rinor, përmban 19 aktivitete interaktive, të cilat e promovojnë sigurinë digjitale, empatinë, sjelljen e përgjegjshme në internet dhe ndërgjegjësimin se si veprimet në internet ndikojnë ndaj të tjerëve.

Vesna Janevska, Minister of Education and Stefan Andonovski, Minister of Digital Transformation listening to children presenting their initiatives
Foundation Telekom for Macedonia / 2026

“Ne si Ministri, po punojmë vazhdimisht në forcimin e veprimeve sistemike kundër të gjitha formave të dhunës. Secila shkollë ka detyrim ligjor të kërkojë mbështetje nga Shërbimi Pedagogjik kur përballet me sjellje të papërshtatshme ose problematike midis nxënësve. Me qëllim të parandalimit dhe për ofrimit të mbështetjes më të madhe për shkollat, ne kemi krijuar adresën e email-it [email protected], ku nxënësit, mësuesit, prindërit dhe të gjitha palët e interesuara mund të raportojnë çdo formë dhune”, tha ministrja Janevska, duke shprehur mirënjohje për të gjithë partnerët e Ministrisë të përfshirë në adresimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve. “Në vitin shkollor aktual, ka pasur 34 raportime, mirëpo asnjëri nuk është ndërlidhur me dhunën në internet. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston, prandaj ne i inkurajojmë të rinjtë, kur përballen me situata të tilla, t’i raportojnë ato menjëherë në mënyrë që të marrin mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme.”

“Ajo që më la përshtypjen më të fortë është se iniciativat i kombinojnë aktivitete dhe mjete online dhe offline për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë. Dhuna kibernetike paraqet sfidë që nuk ekzistonte në kohën kur prindërit tuaj po rriteshin, prandaj është thelbësore të punojmë së bashku — me prindërit, shkollat, shërbimet profesionale dhe vetë të rinjtë. Ne, si institucione, jemi në dispozicionin tuaj dhe do t’ju mbështesim me mjete shtesë që do të jenë të dobishme për ju”, tha Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Digjital.

Lesley Miller, UNICEF Representative and Goran Markovic, Telekom CEO listening to children presenting their initiatives
Foundation Telekom for Macedonia / 2026

Goran Markoviç, drejtor ekzekutiv i Telekom Makedoni dhe president i Fondacionit Telekomi për Maqedoni, theksoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në mënyrë që ata vetë të mund ta udhëheqin ndryshimin pozitiv: “Kur filluam këtë udhëtim me UNICEF-in, e dinim me siguri se urrejtja në internet është një nga kërcënimet më të mëdha ndaj shoqërinë së barabartë digjitale, andaj duhet ta luftojmë atë. Gjithashtu e dimë se ky fenomen negativ prek veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, për këtë ne duhet t’u japim atyre kompetencë, mjete dhe fuqi për të krijuar një botë interneti më të sigurt dhe më humane. Derisa ata e udhëheqin këtë luftë, ne të gjithë e mbajmë përgjegjësinë për t’i mbrojtur ata.”

Lesley Miller, përfaqësuese e UNICEF-it, vlerësoi lidershipin dhe kreativitetin e demonstruar nga prezantuesit e rinj: “Sot pamë se si duket në të vërtetë pjesëmarrja kuptimplote e fëmijëve. Idetë e paraqitura janë të menduara mirë, janë kreative dhe të bazuara në përvojë reale. Ato bëjnë me dije se fëmijët dhe adoleshentët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Jemi krenarë që i mbështesim ata në shndërrimin e këtyre ideve në veprim, në mënyrë që çdo fëmijë të ndihet i sigurt dhe i respektuar në hapësirat digjitale. Mbrojtja e fëmijëve në internet paraqet përgjegjësi të përbashkët. Ne i bëjmë thirrje industrisë së teknologjisë, rregullatorëve, prindërve, mësuesve dhe qeverive që t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar që fëmijët janë të mbrojtur dhe të sigurt në internet.”

Group photo
Foundation Telekom for Macedonia / 2026

Iniciativat dhe pakoja e veglave të paraqitura janë pjesë e lëvizjes #NetWithoutHate (internet pa urrejtje), të udhëhequr nga fëmijë dhe adoleshentë, të cilët e mbrojnë një botë digjitale ku të gjithë ndihen të sigurt, të respektuar dhe të dëgjuar. Me mbështetjen e UNICEF-it dhe partneritetit me Fondacionin Telekom për Maqedoni, fëmijët dhe adoleshentët krijojnë së bashku solucione, duke forcuar mbështetjen midis bashkëmoshatarëve dhe duke i transformuar përvojat e përjetuara në veprime anë e kënd vendit. Gjatë vitit të ardhshëm, mbështetësit e fëmijëve dhe adoleshentëve do t’i zbatojnë iniciativat e tyre dhe do t’i shpalosin ato në të gjithë vendin, në mënyrë që të përfshijnë sa më shumë fëmijë.

Duke bashkuar fëmijët, institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile, eventi demonstroi se si veprimi i udhëhequr nga bashkëmoshatarët dhe i mbështetur nga partneritete të forta, mund të kontribuojë në krijimin e një dimensioni më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse të internetit, si dhe të ndihmojë në ndërtimin e një kulture digjitale të bazuar në empati, respekt dhe përgjegjësi.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.