1 në 5 fëmijë në 21 shtete kanë përjetuar eksploatim seksual dhe keqtrajtim me ndihmën e teknologjisë – UNICEF

Raporti i ri zbulon se më shumë se gjysma e keqtrajtimit ndodhi në platformat kryesore të mediave sociale; më pak se 1 përqind e të gjitha përvojave u raportuan tek institucionet

03 Shtator 2026
Një person i ri mban një telefon celular ndërsa qëndron jashtë përpara një muri prej xhami.
UNICEF/UNI698637/Wall

NJU JORK, 3 shtator 2026 Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç – pothuajse 1 në 5 – kanë qenë të ekspoyuar ndaj të paktën një forme të eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë në një vit të vetëm në 21 shtete, sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF. 

“Përmes syve të fëmijëve: Si teknologjitë digjitale mundësojnë abuzimin seksual të fëmijëve” bashkon dëshmitë e fëmijëve me bazat më të mëdha të të dhënave të disponueshme nga anketat, për të paralajmëruar mbi një trend të përhapur të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si online ashtu edhe offline, të lehtësuar nga teknologjia.

Raporti vlerëson se mbi 15 milionë fëmijë ishin të ekspozuar ndaj përmbajtjes së padëshiruar seksuale, 9 milionë fëmijëve iu kërkua të përfshiheshin në biseda seksuale ose të ndanin fotografi seksuale kundër vullnetit të tyre dhe 4 milionë fëmijë kishin fotografi seksuale të tyre të ndara pa pëlqimin e tyre. Megjithatë, shkalla e vërtetë e çështjes ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë për shkak të rasteve të shumta që nuk raportohen nga fëmijët. 

“Raporti zbulon një realitet të dhimbshëm. Më shumë se 20 milionë fëmijë në të gjitha shtetet e përfshira në hulumtim iu nënshtruan përmbajtjes ose eksploatimit seksual të padëshiruar onlajn, shpesh në hapësirat digjitale ku mësojnë, luajnë dhe lidhen me miqtë," tha Drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Ketrin Rasëll. "Këto përvoja shkaktojnë shqetësime të thella emocionale dhe psiqike. Shumë fëmijë vuajnë në heshtje, të pasigurt se ku të drejtohen për ndihmë. Nuk mund të kthejmë sytë diku tjetër.”

Sipas gjetjeve, gati 60 për qind e rasteve ndodhën në mediat sociale duke përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, dhe 14 për qind e rasteve ndodhën në lojërat në internet, me tiparet, funksionet dhe dizajnin e platformave të përdorura për të shfrytëzuar besimin. Në Malin e Zi, më shumë se 80 përqind e rasteve të raportuara përfshinin platforma të mediave sociale, ndërsa në Kolumbi ato ishin të lidhura me më shumë se gjysmën e rasteve.

Në vendet e përfshira me hulumtimin, 57 përqind e rasteve përfshinin dikë që fëmija tashmë e njihte, duke përfshirë bashkëmoshatarët, partnerët romantikë, miqtë dhe anëtarët e familjes, duke sfiduar supozimet se keqtrajtimi në internet kryhet kryesisht nga personat e panjohur. Në të njëjtën kohë,  38 përqind e fëmijëve u përballën për herë të parë me kryerësin onlajn, me dëshmi që tregojnë se si lehtësohet keqtrajtimi, ndër të tjera, përmes profileve të rrejshme dhe mesazheve private.

Eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë mund të ketë një ndikim të thellë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, ndjenjën e sigurisë dhe besimin tek të tjerët. Përvojat e përshkruara nga fëmijët gjatë intervistave kërkimore shpesh përqendroheshin në frikë, turp, konfuzion dhe izolim, me shumë që përpiqeshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur ose ku të kërkonin ndihmë.

“Nuk dija si të reagoja... U ndjeva pak e tronditur," tha një grua e re nga Republika Dominikane, pasi qarkulluan fotografi private pa pëlqimin e saj në moshën 14 vjeçare. Një tjetër pjesëmarrëse në hulumtim, duke reflektuar mbi një përvojë të ngjashme, tha se ndihej "si personi më i përdorur, më i pistë, më i keqi".

Sipas analizës, fëmijët që i nënshtrohen eksploatimit me ndihmën e teknologjisë kishin katër herë më shumë gjasa të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetë-lëndime dhe raportuan nivele dukshëm më të larta të ankthit. Në Meksikë dhe Maqedoninë e Veriut, për shembull, rreziku i mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse ishte më shumë se tetë herë më i lartë në mesin e fëmijëve që përjetuan keqtrajtim, ndërsa në Pakistan rreziku i vetë-lëndimit ishte mbi shtatë herë më i lartë.

Më shumë se 40 përqind e rasteve të keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë nuk u ndanë kurrë me askënd, ndërsa më pak se 1 përqind u raportuan tek institucionet si policia, punonjësit socialë ose linjat telefonike të ndihmës. Në nivel global, arsyeja më e shpeshtë pse fëmijët kanë heshtur ishte se nuk dinin ku të drejtoheshin ose kujt t'ia tregonin atë që u kishte ndodhur. Në disa shtete të anketuara, niveli i mosraportimit ishte edhe më i lartë, përfshirë Armeninë, ku më shumë se gjysma e rasteve nuk u ndanë kurrë me askënd.

Gjetjet tregojnë për një nevojë urgjente për veprim nga qeveritë, kompanitë e teknologjisë dhe palët e tjera të interesit për të mbrojtur më mirë fëmijët në epokën digjitale. Raporti bën thirrje për veprim urgjent për të:

  • Bërë platformat digjitale më “të sigurta që në dizajn”, përmes masave më të forta për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, kufizimeve ndaj kontakteve të padëshiruara nga të rriturit, sistemeve më të sigurta të rekomandimeve dhe mekanizmave më të mirë për zbulimin dhe raportimin e rasteve të abuzimit.
  • Përforcuar ligjet, rregullat dhe llogaridhënien, duke siguruar që qeveritë të kenë mjetet dhe masat e zbatimit për të adresuar format në zhvillim të keqtrajtimit, duke përfshirë zhvatjen seksuale dhe materialin e keqtrajtimit seksual të gjeneruar nga IA.
  • Ndërtuar sisteme të raportimit dhe mbështetjes që fëmijët mund t'u besojnë, duke përfshirë investimet në mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin, drejtësinë dhe shërbimet sociale.
  • Zhvendosur barrën e mbrojtjes nga fëmijët, duke siguruar që familjet, shkollat dhe komunitetet të reagojnë ndaj raportimeve duke ofruar mbështetje dhe ndihmë, dhe t’u mundësojnë fëmijëve të kërkojnë ndihmë në mënyrë të sigurt.
  • Reduktuar dobësitë ekonomike që kryerësit shfrytëzojnë përmes mbështetjes më të fortë të familjes dhe zgjerimit të arsimit dhe mundësive të punësimit për fëmijët dhe të rinjtë.
  • Adresuar normat shoqërore dhe gjinore që normalizojnë seksualizimin e vajzave dhe stigmatizojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

 

"Të gjithë ne, përfshirë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur fëmijët online," tha Rasëll. 

#####

Shënim për redaktorët

Eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë i referohet mënyrave se si teknologjitë dhe platformat digjitale përdoren për të mundësuar ose përforcuar keqtrajtimin dhe eksploatimin seksual të fëmijëve si onlajn ashtu edhe në mjedise me prezencë fizike.

Raporti Nëpërmjet syve të fëmijës: Si teknologjitë digjitale mundësojnë keqtrajtimin seksual të fëmijëve mbështetet në anketat përfaqësuese kombëtare të afërsisht 21,000 fëmijëve që përdorin internetin të moshës 12 deri në 17 vjeç në 21 shtete, së bashku me intervista të thelluara me 100 të rinj që përjetuan keqtrajtim në fëmijëri. Meqenëse mostra e anketës përfshin vetëm fëmijët që përdorin internetin, gjetjet janë përfaqësuese të fëmijëve që përdorin internetin në vend të të gjithë fëmijëve, veçanërisht në shtetet me lidhje më të ulët të internetit. Hulumtimi u krye nga UNICEF si pjesë e projektit Disrupting Harm, i zbatuar bashkërisht nga UNICEF, ECPAT International dhe INTERPOL. 

Ky raport kombinon dëshmi nga dy raunde të hulumtimit të Disrupting Harm të kryer në 21 shtete. Raundi i parë, me të dhënat e mbledhura kryesisht në vitet 2020–2021, mbuloi Kamboxhian, Etiopinë, Indonezinë, Keninë, Malajzinë, Mozambikun, Namibinë, Filipinet, Tanzaninë, Tajlandën, Ugandën dhe Vietnamin. Raundi i dytë në 2024-2025 zgjeroi hulumtimin në Armeni, Brazil, Kolumbi, Republikën Dominikane, Meksikë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Pakistan dhe Serbi.

Linku i raportit është këtu

Materialet multimediale të disponueshme janë këtu.


Shënime për redaktorët në Maqedoninë e Veriut

Të dhënat për Maqedoninë e Veriut janë nxjerrë nga studimi i promovuar së fundmi, Disrupting Harm në Maqedoninë e Veriut: Dëshmi mbi eksploatimin seksual dhe keqtrajtimin e fëmijëve me ndihmën e teknologjisë. Disa tregues në analizën globale janë harmonizuar dhe rregulluar për të lejuar krahasimin midis shteteve pjesëmarrëse dhe për këtë arsye mund të ndryshojnë pak nga shifrat e paraqitura në raportin kombëtar. Në varësi të indikatorit, krahasimet bazohen ose në 21 shtete që marrin pjesë në programin më të gjerë të Disrupting Harm ose në një nëngrup prej 9 shtetesh që morën pjesë në raundin e dytë të studimit, i cili përfshinte pyetje shtesë mbi format e reja të keqtrajtimit në internet, karakteristikat e kryerësve dhe rrugët e keqtrajtimit.

Ndërsa krahasimet e shteteve duhet të interpretohen me kujdes, analiza globale ndihmon në vendosjen e gjetjeve të Maqedonisë së Veriut në një perspektivë ndërkombëtare. Ajo thekson si rreziqet specifike me të cilat përballen fëmijët në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe mundësitë e rëndësishme për të përforcuar shërbimet e parandalimit, raportimit, shëndetit mendor dhe mbrojtjes dhe përgjigjet nga platformat digjitale dhe palët e tjera të interesit për të mbrojtur më mirë fëmijët onlajn.

Gjetjet kryesore për Maqedoninë e Veriut përfshijnë:

Rreth 11,727 fëmijë që përdorin internetin të moshës 12-17 vjeç (9.4%) në Maqedoninë e Veriut përjetuan të paktën një formë të eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit të fëmijëve me ndihmën e teknologjisë në vitin para anketës, krahasuar me një prevalencë mesatare prej 18% në të gjithë 21 shtetet e përfshira në analizë. Ndërsa Maqedonia e Veriut raportoi prevalencë më të ulët për disa forma të eksploatimi seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë sesa mesatarja në të gjitha vendet pjesëmarrëse, gjetjet zbulojnë rreziqe në zhvillim që kërkojnë vëmendje urgjente.

Maqedonia e Veriut regjistroi prevalencën më të lartë midis nëntë shteteve të përfshira në raundin e dytë të studimit të fëmijëve që u kërcënuan ose u shantazhuan në përfshirjen në aktivitete seksuale (4.4%, krahasuar me një mesatare prej 3%) dhe të fëmijëve që u kërcënuan me shpërndarjen e fotografive ose videove seksuale të tyre (4.2%, krahasuar me një mesatare prej 2%).

Maqedonia e Veriut gjithashtu regjistroi prevalencën më të lartë midis nëntë shteteve të fëmijëve që raportuan se ishin krijuar fotografi ose video seksuale të krijuara nga IA në të cilat paraqiteshin ato (4.3%), më shumë se dyfishi i mesatares së përgjithshme të nëntë shteteve që është 2.0%. Këto gjetje nxjerrin në pah se si teknologjitë në zhvillim po krijojnë rreziqe të reja për sigurinë e fëmijëve onlajn.

Analiza krahasuese sfidon supozimet e zakonshme rreth keqtrajtimit onlajn. Tetë në dhjetë (80%) incidente përfshinin dikë që fëmija tashmë e njihte, duke përfshirë miqtë, anëtarët e familjes, partnerët romantikë ose të njohurit, krahasuar me një mesatare prej 57% në të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Kjo ishte përqindja më e lartë e raportuar midis shteteve të përfshira në studim.

Më shumë se gjysma e kryerësve (52.8%) u takuan për herë të parë në një vend publik, krahasuar me një mesatare prej 23% në nëntë shtetet e përfshira në analizë. Shkolla dhe shtëpia ishin gjithashtu mjedise të rëndësishme ku fëmijët u ndeshën për herë të parë me kryerësin: 18.3% i takuan për herë të parë në shkollë dhe 18.5% në shtëpi, krahasuar me mesataret përkatësisht 26% dhe 14%. Këto gjetje nënvizojnë se keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë nuk është vetëm një fenomen onlajn dhe shpesh del nga marrëdhëniet ekzistuese të fëmijëve dhe mjediset e përditshme.

Maqedonia e Veriut regjistroi gjithashtu përqindjen më të lartë të kryerësve të rritur midis nëntë shteteve të përfshira në raundin e dytë të studimit. Gati gjashtë në dhjetë incidente (59%) përfshinin një kryerës të rritur, krahasuar me një mesatare prej 34%.

Ndikimi në mirëqenien e fëmijëve është i thellë. Në Maqedoninë e Veriut, fëmijët që i nënshtrohen eskploatimit me ndihmën e teknologjisë kishin 8.6 herë më shumë të ngjarë të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe 9.4 herë më shumë të ngjarë të raportonin vetë-lëndim në krahasim me fëmijët që nuk ishin nënshtruar eksploatimit të tillë. Maqedonia e Veriut shënoi një nga lidhjet më të forta të evidentuara në mesin e 21 shteteve të përfshira në studim, duke theksuar se eksploatimi onlajn i fëmijëve nuk përbën vetëm një çështje të mbrojtjes së fëmijëve, por edhe një shqetësim të rëndësishëm për shëndetin mendor.

Në mënyrë inkurajuese, Maqedonia e Veriut regjistroi shkallën më të lartë të zbulimit midis shteteve pjesëmarrëse. Pothuajse nëntë në dhjetë fëmijë (87,6%) që përjetuan keqtrajtim i treguan dikujt për atë që ndodhi, krahasuar me mesataren prej 59%. Fëmijët më së shpeshti u tregonin nënave, miqve, baballarëve dhe vëllezërve ose motrave të tyre, duke theksuar rolin thelbësor të familjes dhe të rrjeteve të bashkëmoshatarëve në mbështetjen e fëmijëve. Megjithatë, si në shtetet e tjera, më pak se 1% e rasteve u raportuan në mekanizmat formalë të mbështetjes, siç janë policia, punonjësit socialë ose linjat e ndihmës.

Këto gjetje nënvizojnë se eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi i fëmijëve me ndihmën e teknologjisë nuk është vetëm një çështje onlajn. Shpesh i ka rrënjët në marrëdhëniet ekzistuese të fëmijëve dhe në mjediset e përditshme. Prandaj, mbrojtja e fëmijëve kërkon më shumë sesa masa të sigurisë onlajn. Maqedonia e Veriut duhet të mbështetet në gatishmërinë e fëmijëve për të folur duke siguruar që çdo zbulim të çojë në një përgjigje në kohë, të koordinuar dhe të përqendruar te fëmijët, duke përforcuar vetëdijen e familjes dhe komunitetit, duke promovuar marrëdhënie të shëndetshme dhe qëndrueshmëri digjitale, duke përmirësuar rrugët e raportimit, duke siguruar qasje në shërbime mbështetëse miqësore për fëmijët dhe duke rritur llogaridhënien e platformave teknologjike për të krijuar mjedise më të sigurta digjitale për fëmijët.

 

Për informacione të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni:  
Iris Bano Romero | Zyra Globale e UNICEF në Romë| [email protected]

Kontakte me mediat

Simona Mirkoska
Tel: (02) 3231-200
Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.