Prindërimi në epokën e inteligjencës artificiale
Si t’i qaseni inteligjencës artificiale (IA) me fëmijët tuaj.
- English
- Македонски
- Shqip
Nga çatbot-et e deri te asistentët zanorë dhe aplikacionet edukative, gjithnjë e më shumë inteligjenca artificiale (IA) po bëhet pjesë e jetës së përditshme të shumë familjeve. Kjo teknologji, e cila po evoluon në mënyrë rapide, ofron shumë mundësi emocionuese për fëmijët, për të mësuar dhe për t’u angazhuar me botën në mënyra të reja. Sidoqoftë IA-ja bart në vete edhe rreziqe serioze. Për t’i ndihmuar prindërit të lundrojnë në IA me familjet e tyre, biseduam me Jing Xu, profesoreshë e asociuar për IA në mësimdhënie dhe edukim në Universitetin e Harvardit.
Nga cila moshë duhet të fillojnë prindërit të flasin me fëmijët e tyre mbi inteligjencën artificiale?
Jing Xu: Prindërit mund të fillojnë të flasin për IA-në qysh kur fëmijët janë mjaft të vegjël, sepse shumë fëmijë që në moshë të hershme e hasin IA-në në jetën e tyre të përditshme. Madje edhe nëse një fëmijë nuk i përdor vetë veglat e IA-së, ai mund t’i ketë ato në shtëpi dhe mund të dëgjojë për këto vegla nga shokët, t’i shohë në shkollë ose t’i vërejë në media. Në këtë frymë qasje e dobishme është ndjekja e kureshtjes së fëmijës: Kur një fëmijë parashtron një pyetje ose vëren diçka që ka të bëjë me IA-në, ai moment parqet një pikënisje të natyrshme dhe të përshtatshme me moshën e fëmijës.
Ne kemi parë dy modele të qëndrueshme. Fëmijët shpesh janë kureshtar se si funksionojnë gjërat, përfshirë inteligjencën artificiale, andaj kjo kureshtje i bën bisedat më të lehta nga vetë pritshmëritë e shumë të rriturve. Madje edhe fëmijët e moshës parashkollore mund të kuptojnë ide të thjeshta se çka është inteligjenca artificiale dhe çfarë mund dhe nuk mund të bëjë. Prezantimi i hershëm i këtyre bazamenteve mund t’i ndihmojë ata të ndihen më rehat dhe të sigurt, derisa hasin vegla të IA-së në mjediset e tyre të përditshme.
Si mund prindërit t’ua shpjegojnë inteligjencën artificiale fëmijëve të vegjël në një mënyrë të e përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tyre?
Jing Xu: Shpeshherë fëmijët e vegjël e kuptojnë më mirë inteligjencën artificiale atëherë kur mund ta ndërlidhin atë me shembuj të njohur dhe të përditshëm. Tashmë disa familje përdorin mjete të mundësuara nga inteligjenca artificiale, si roboti me fshesë elektrike, altoparlanti inteligjent ose lodrat e thjeshta robotike. Nëse këto pajisje janë të disponueshme, ato mund të shërbejnë si pika fillestare të dobishme. Ju mund të shpjegoni se këto mjete ndjekin udhëzimet, njohin modelet ose u përgjigjen zërave tanë, por ato nuk “mendojnë” ose “ndiejnë” ashtu siç bëjnë njerëzit.
Gjithashtu eksplorimi i inteligjencës artificiale mund t'i bëjë këto ide më konkrete. Për shembull, nëse fëmijë ka një pyetje, mund ta shkruani pyetjen së bashku me të në një çatbot dhe më pas ta shikoni përgjigjen së bashku. Pastaj mund të flisni për atë që ka bërë vegla e IA-së: Cilat pjesë të përgjigjes duken të dobishme? Cilat pjesë duken konfuze ose jo plotësisht të sakta? Si mund ta ketë krijuar vegla atë përgjigje?
Përdorimi i shembujve të thjeshtë nga shtëpia, së bashku me momentet e përbashkëta të eksplorimit, i ndihmon fëmijët ta ndërtojnë një ndjenjë të hershme të asaj se çka mund dhe çka nuk mund të bëjë që inteligjenca artificiale. Gjithashtu u jep kujdestarëve një mënyrë natyrale për ta drejtuar të menduarit e fëmijëve, derisa ata hasin këto vegla në jetën e tyre të përditshme.
Si mund të ndihmojë inteligjenca artificiale në promovimin e mësimit te fëmijët dhe adoleshentët?
Jing Xu: IA-ja mund ta mbështesë në disa mënyra mësimin e fëmijëve. Shumë vegla mund t’i shpjegojnë qartë idetë, t’u përgjigjen pyetjeve sipas kërkesës dhe të ofrojnë praktikë të personalizuar. Hulumtimet tregojnë se kur sistemet e IA-së janë të dizajnuara për të mësuar aftësi ose njohuri specifike, fëmijët shpesh mësojnë po aq efektivisht nga këto vegla sa edhe nga instruktorët njerëzorë. Njashtu për familjet e zëna, IA-ja mund të ofrojë ndihmë të shpejtë dhe të qasshme, kur një i rritur nuk është menjëherë i disponueshëm.
Sidoqoftë hasen edhe shqetësime qenësore. Studimet kanë zbuluar se disa fëmijë fillojnë t’ia bartin inteligjencës artificiale përgjegjësitë e tyre të mësimit. Derisa kjo ndonjëherë mund të shihet si një formë mbështetjeje, shumë edukatorë shqetësohen se ndihma e tepërt mund t’ua zbehë fëmijëve përpjekjet produktive, të cilat janë të rëndësishme për mësimin afatgjatë.
Shpeshherë vetë nxënësit e dallojnë këtë rrezik. Sondazhet sugjerojnë se disa nxënës mendojnë se mbështetja te inteligjenca artificiale mund të ndikojë negativisht në aftësinë e tyre për të menduar mbi problemet dhe për t’i zgjidhur ato në mënyrë të pavarur. Një shqetësim edhe më i madh është krijimi i shprehive: Pasi fëmijët zhvillojnë shprehinë për t’iu drejtuar IA-së për përgjigje, kjo mbështetje mund të jetë e vështirë për t’u ndryshuar - edhe kur ata duan ta ndërpresin atë shprehi.
Si mund prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre ta mbrojnë privatësinë e tyre, kur e përdorin inteligjencën artificiale?
Jing Xu: Veglat e IA-së ndryshojnë shumë për nga llojet e informacioneve, të cilat i grumbullojnë. Disa sisteme kërkojnë detaje themelore për ta krijuar një llogari, siç është mosha e fëmijës, informacionet e kontaktit të prindit ose detajet e faturimit për aplikacionet me pagesë. Përveç kësaj, shumë familje janë të shqetësuara për shkak të informacioneve personale, të cilat fëmijët mund t’i ndajnë gjatë përdorimit të përditshëm. Kjo mund ta përfshijë emrin e tyre, shkollën, rutinat në shtëpi, miqësitë ose ndjenjat.
Nuk është gjithmonë e qartë për fëmijët se çka llogaritet si “informacion i ndjeshëm”. Disa shembuj, si adresa e shtëpisë ose numri i telefonit, janë më të lehtë për t’u dalluar. Informacionet tjera varen nga konteksti. Për shembull, kur një fëmijë ose adoleshent përdor inteligjencën artificiale për të pyetur rreth emocioneve, miqësive ose shëndetit, ata mund të zbulojnë informacione shumë personale pa e kuptuar se sa të ndjeshme janë ato.
Mbështetja e privatësisë së fëmijëve përfshin edhe hapa praktikë edhe biseda të vazhdueshme. Prindërit, së bashku me fëmijën e tyre, mund t’i rishikojnë cilësimet e privatësisë, të kontrollojnë se çfarë të dhënash mbledhin platforma të ndryshme dhe t’i inkurajojnë fëmijët të vetëpërmbahen para se të ndajnë detaje rreth vetes ose të tjerëve. Biseda e rregullt rreth asaj që duket e sigurt për t’u zbuluar dhe çfarë mund të jetë më mirë të ngelë private, i ndihmon fëmijët që me kalimin e kohës të ndërtojnë shprehi të mira.
Sidoqoftë, përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi familjet. Gjithashtu edhe kompanitë e teknologjisë dhe politikëbërësit duhet të krijojnë standarde më të sigurta. Kjo përfshin kufizimin e kohëzgjatjes së ruajtjes së të dhënave, zvogëlimin e mbledhjes së panevojshme të të dhënave* dhe qartësimin e mënyrës se si përdoren informacionet. Të rinjtë janë ende në proces të mësimit se si ta gjykojnë rrezikun, kështu që produktet duhet të dizajnohen duke pasur parasysh nevojat dhe dobësitë e tyre. Detyrimisht mbrojtja efektive e privatësisë kërkon që edhe familjet të jenë të informuara, por edhe sistemet të jenë të përgjegjshme.
> Mësoni më shumë rreth: Listës së kontrollit për privatësinë në internet dedikuar për prindërve
* UNICEF-i rekomandon që vendimmarrësit dhe programuesit duhet t’iu përmbahen parimeve të mbledhjes dhe përpunimit minimal të të dhënave në përputhje me qëllimin specifik, duke respektuar privatësinë e fëmijëve. Mësoni më shumë në Udhëzimet e UNICEF-it mbi IA-në dhe fëmijët.
Si mund prindërit t’i mbështesin fëmijët e tyre që t’i zhvillojnë njohuritë mbi inteligjencën artificiale?
Jing Xu: Shumë të rritur ndihen të pasigurt se si t’i udhëzojnë fëmijët e tyre, përderisa inteligjenca artificiale evoluon kaq shpejt. Mund të jetë më e dobishme shmangia nga ideja se prindërit duhet të veprojnë gjithmonë si ekspertë ose mbikëqyrës. Aktualisht, në shumicën e rasteve të rriturit dhe fëmijët mësojnë me një ritëm të ngjashëm, andaj pikënisje efektive mund të jetë qasja ndaj inteligjencës artificiale si persona që mësojnë bashkërisht, duke qenë të hapur, kureshtarë dhe të gatshëm për t’u përballuar së bashku me pasiguritë.
Ekzistojnë burime të jashtme të qasshme për kujdestarët, të cilët e kanë kohën e kufizuar për të mësuar teknologji të reja nga e para. Këto burime mund të luajnë rol të rëndësishëm mbështetës. Për shembull, Common Sense Media ofron tani vlerësime për disa aplikacione të inteligjencës artificiale, të cilat mund t'u ofrojnë prindërve një pikë hyrëse të dobishme.
Gjithashtu disa shkolla mbajnë lista të veglave të inteligjencës artificiale, të miratuara për përdorim në klasë, veçanërisht në fushat si leximi dhe matematika. Zakonisht këto vegla i nënshtrohen një niveli të caktuar të verifikimit të brendshëm dhe mund t’u ofrojnë familjeve një pikënisje praktike dhe të besueshme, veçanërisht për kujdestarët të cilët kanë kohë ose ekspertizë teknike të kufizuar.
Cilat janë disa nga rreziqet që inteligjenca artificiale mund të paraqesë për fëmijët?
Jing Xu: Kur njerëzit flasin për rreziqet e inteligjencës artificiale për fëmijët, fokusi shpesh është te vetë teknologjia – fjala bie te privatësia e të dhënave, përmbajtja e papërshtatshme ose dizajni manipulues. Këto shqetësime janë të rëndësishme. Disa vegla të inteligjencës artificiale mbledhin informacione personale të fëmijëve, i ekspozojnë ato ndaj materialeve mashtruese ose të dëmshme, ose inkurajojnë shpërndarjen në mënyra jo të përshtatshme për sa i përket zhvillimit të fëmijëve. Veglat tjerat janë dizajnuara për t’i mbajtur fëmijët të angazhuar, duke qenë në shërbim të qëllimeve komerciale, në vend se t’i shërbejnë mirëqenies së fëmijëve.
Megjithatë, rreziqet e mundshme të IA-së nuk kanë të bëjnë vetëm me mënyrën se si ndërtohen këto produkte. Ato gjithashtu ndërlidhen edhe me mënyrën se si fëmijët rriten, mësojnë dhe krijojnë marrëdhënie.
Në disa situata, ndërveprimet me IA-në mund të duken të dobishme. Për shembull, një fëmije mund t’i rikthehet vetëbesimi nga një IA, kur ndjehet nervoz për fillimin e mësimit në një shkollë të re, ose merr ndihmë hap pas hapi me detyrat e shtëpisë. Në momente të caktuara këto përvoja mund të përjetohen si mbështetëse.
Sidoqoftë, ekzistojnë shqetësime afatgjata, të cilat duhet pasur parasysh. Njëra është se fëmijët mund të fillojnë të mbështeten në IA në vend që t’u drejtohen njerëzve tjerë. Në hulumtimin tonë me adoleshentët, disa thanë se biseda me IA-në i bën të ndihen më lehtë sesa biseda me bashkëmoshatarët ose të rriturit. Përderisa ende nuk e dimë nëse inteligjenca artificiale e zëvendëson në të vërtetë kohën e kaluar me të tjerët, ia vlen t'i kushtohet vëmendje kësaj preference.
Shqetësimi tjetër ka të bëjë me pritjet nga marrëdhëniet (me të tjerët). Marrëdhëniet e vërteta përfshijnë mosmarrëveshje, kompromise dhe zgjidhje të konflikteve. Shumë sisteme të inteligjencës artificiale, për nga vetë mënyra si janë projektuar, janë gjithmonë të këndshme dhe inkurajuese. Nëse fëmijët kalojnë shumë kohë me sisteme të tilla, ata mund të zhvillojnë ide jorealiste për atë se si funksionojnë miqësitë dhe marrëdhëniet.
Krejt në fund, rritja përfshin faktin se fëmijët duhet të mësojnë se si të përballen me sfidat sociale. Nëse ndërveprimet e inteligjencës artificiale zëvendësojnë përvojat e jetës reale, fëmijët mund t’i humbasin mundësitë për të praktikuar aftësi të rëndësishme si komunikimi, empatia dhe zgjidhja e konflikteve.
> Mësoni më shumë: Bota e re e rrezikshme e asistentëve (botëve) më miqësorë të teknologjisë - shoqëruesit me inteligjencë artificiale dhe fëmijët
Cilat janë disa nga shenjat paralajmëruese që nuk janë të shëndetshme ndërveprimet e fëmijës me inteligjencën artificiale?
Jing Xu: Disa shenja paralajmëruese të dobishme përfshijnë:
- Përdorimin e tepruar: Periudha të gjata të bisedës me IA-në ose ndjenja e ankthit kur i kërkohet ta ndërpresë përdorimin e IA-së.
- Ndryshimet në sjellje: Prirje drejt fshehtësisë, rritje të ankthit, ose mbështetja në IA për çështje emocionale, në vend që t’u drejtohen njerëzve të besuar.
- Zhvendosjen: Përdorimi i IA-së fillon ta zëvendësojë gjumin, kryerjen e detyrave të shkollës, kalimin e kohës me miqtë ose hobin.
Nëse prindërit i vënë re këto modele, është më mirë të fillojnë me pyetje të lehta dhe të hapura, në vend se të fillojnë me kritikave. Kur pyeten fëmijët se çfarë iu pëlqen te vegla e inteligjencës artificiale dhe a ka diçka që iu duket e padobishme, kjo mund të bëhet shkas për ta hapur një bisedë të qetë. Bashkërisht familjet mund të bien dakord për kufijtë e thjeshtë dhe verifikimet e rregullta, me qëllim që ta ruajnë baraspeshën e përdorimit të inteligjencës artificiale.
> Mësoni më shumë: 10 mënyra për të krijuar zakone të shëndetshme digjitale në shtëpi
Si mund t'i qasen prindërit temës së inteligjencës artificiale dhe shkollës?
Jing Xu: Biseda funksionon më mirë kur fillon me transparencë dhe jo me rregulla. Nëse mesazhi i parë për fëmijët është “mos kopjoni me inteligjencë artificiale”, ata mund të tërhiqen. Prindërit mund të fillojnë duke pyetur se si përdoret inteligjenca artificiale - çfarë duket e dobishme për të mësuar, ku shohin sfida dhe çfarë lloj frustrimesh mund të përjetojë fëmija. Këto pyetje bëhen çelës për një bisedë më të sinqertë dhe më të hollësishëm.
Gjithashtu, ia vlen të kujtojmë se biseda për IA-në është në të vërtetë një mënyrë për të folur mbi çështje më të gjera. Në hulumtimin tonë, arsyeja kur fëmijët e keqpërdorin IA-në për detyrat e shkollës, shpeshherë pasqyron mosangazhimin ose vështirësinë me detyrat që burojnë nga lënda, në vend që thjesht të kenë qasje në veglën e IA-së. Madje edhe kur ata drejtohen te chatbot-et për shoqëri, kjo mund të tregojë diçka rreth asaj që po ndodh në botën e tyre shoqërore. Me fjalë tjera, shqetësimet në lidhje me IA-në shpesh ndërlidhen me biseda më të gjera rreth mësimit dhe mirëqenies së fëmijës suaj.
Përveç bisedave me fëmijët tuaj, bisedat me shkollat e tyre ndihmojnë gjithashtu në ofrimin e perspektivave shtesë. Është e rëndësishme t'i pyesni shkollat rreth qasjeve të tyre ndaj IA-së, për shembull, si sigurohen që IA-ja mbështet mësimin e nxënësve, si e trajtojnë integritetin akademik dhe si mendojnë për mirëqenien e nxënësve. Po ashtu e rëndësishme të pyesni për filozofinë më të gjerë të shkollës rreth mësimit dhe mbështetjes së nxënësve në përgjithësi.
IA mund të bëhet një thjerrëz për të kuptuar se çfarë u nevojitet fëmijëve dhe për çfarë interesohen ata. Prandaj, filloni me IA-në, por mos u ndalni aty.
Çfarë do të dëshironit që çdo prind të dinte kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale?
Jing Xu: Unë do të doja që prindërit ta kuptonin që IA-ja është e rëndësishme - por nuk është e gjithë historia. Fëmijët hasin gjithnjë e më shumë IA në lojë, në mësime dhe në jetën e tyre shoqërore, përderisa disa mjete mund të jenë vërtet mbështetëse, të tjerat paraqesin shqetësime reale.
Njëkohësisht, IA-ja përfaqëson vetëm një element brenda një peizazhi shumë më të gjerë zhvillimor. Marrëdhëniet, rutinat, interesat dhe sistemet mbështetëse të një fëmije kanë shumë më tepër rëndësi se çdo teknologji e vetme. IA-ja bëhet e dobishme ose e dëmshme bazuar në mënyrën se si përshtatet brenda atij ekosistemi më të gjerë.
Mesazhi qendror që shpresoj se duhet ta marrin prindërit është ky: Kushtojini vëmendje IA-së, por mos e ekzagjeroni rëndësinë e saj. Ajo që në fund të fundit ka rëndësi, nuk është vetë teknologjia, por mjedisi në të cilin fëmijët rriten, mësojnë dhe lulëzojnë. Prindërit janë pjesë qendrore e atij mjedisi.
Jing Xu është profesoreshë e asocuar e IA-së në mësim dhe edukim në Universitetin e Harvardit. Ajo drejton Laboratorin e IA-së në Harvard me fokus te fëmijët, i cili e avancon kërkimin dhe projektimin për të siguruar që IA-ja ta mbështesë mësimin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.