Lista kontrolluese e privatësisë në internet dedikuar prindërve

Si ta mbroni identitetin dhe informacionet personale të fëmijës suaj në internet.

Two boys sitting on a couch looking at their phones
UNICEF Serbia / UN040855

Çdo klikim, ndarje (me të tjerët), koment dhe postim që bëjmë në internet krijon një shënim digjital, i cili mund të jetë e pamundur të fshihet. Sot, si kurrë më parë, fëmijët duke u rritur me teknologjinë digjitale, përballen me rreziqe për privatësinë, identitetin, reputacionin dhe sigurinë e tyre. Ne si prindër mund t’i mbështesim fëmijët tanë me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për të lundruar në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi në botën e internetit. Këtu janë dhënë disa këshilla thelbësore për të ndihmuar në mbrojtjen e privatësisë së fëmijës suaj në internet:

Lista e kontrollit të privatësisë në internet  
Supporting younger children 
Tips for older children and teens

 

Arrow

Lista e kontrollit të privatësisë në internet

Kontrolloni pajisjet  

Sigurohuni që të jenë të përditësuara dhe ta përdorin softuerin më të fundit të gjitha pajisjet, të cilat i përdor fëmija juaj, duke përfshirë telefonat e mençur, tabletët, kompjuterët dhe pajisjet e mençura (si lodrat e lidhura me internet, altoparlantët dhe orët). Ky veprim ju ndihmon në mbrojtjen nga rreziqet e sigurisë si qasja e paautorizuar, vjedhja e identitetit dhe shkeljet e të dhënave.

Kontrolloni cilësimet e privatësisë për secilën pajisje, me qëllim që t’i minimizoni të dhënat që mblidhen dhe ndahen me të tjerët (p.sh. vendndodhjen dhe fotot) dhe kontrolloni qasjen në kamera dhe mikrofona. Mbajini të mbuluara kamerat e internetit kur nuk janë në përdorim.

Kontrolloni cilësimet

Rishikoni seksionin e cilësimeve të platformave, lojërave dhe aplikacioneve të mediave sociale, të cilat i përdor fëmija juaj. Hulumtoni mbi privatësinë, sigurinë dhe cilësimet e llogarisë për të menaxhuar se kush mund t’i shohë informacionet e tyre dhe kush mund t’i kontaktojë ata.

Shumë prej këtyre platformave dhe aplikacioneve kërkojnë gjithashtu qasje në kamerën, mikrofonin, kontaktet, fotot dhe vendndodhjen tuaj. Rishikoni lejet për secilën dhe çaktivizoni ose kufizoni ato që duken të tepërta ose të papërshtatshme për moshën dhe zhvillimin e fëmijës suaj.

Vendosni kontrollet prindërore

Ka një sërë kontrollesh prindërore, që mund t’i përdorni në shumë pajisje, platforma, aplikacione, lojëra dhe ofrues të shërbimeve të internetit. Këto mjete ju lejojnë t’i menaxhoni cilësimet e privatësisë, si dhe gjëra të tilla si përmbajtja e përshtatshme, kufizimet e kohës së kaluar para ekranit dhe blerjet në internet. Përpiquni të jeni në dijeni me atë që disponohet në secilën prej tyre – nëse e kërkoni në internet emrin e pajisjes, platformës ose lojës dhe “kontrollet prindërore”, duhet t’i gjeni udhëzimet dhe këshillat nga ekspertët e sigurisë në internet dhe nga prindërit tjerë.

Për më shumë udhëzime kontrolloni faqet e sigurisë në internet dhe komunitetet e prindërve. Për shembull, internetmatters.org ka një udhëzues të dobishëm për kontrollet prindërore për çdo pajisje, aplikacion etj.

Jepini përparësi privatësisë së familjes suaj

Rishikoni mjetet që përdorni ju dhe familja juaj, si shfletuesit e internetit, ofruesit e postës elektronike dhe platformat e mesazheve. Zgjidhni ato që e parandalojnë gjurmimin, bllokojnë reklamat dhe ofrojnë më shumë privatësi.

Krijoni fjalëkalime të forta për t’ju ndihmuar t’i mbani llogaritë tuaja të sigurta. Kur është e mundur, për siguri shtesë përdorni verifikimin me shumë faktorë. Merrni parasysh përdorimin e një vegle për menaxhim të fjalëkalimeve dhe mos i ndani kurrë fjalëkalimet me të tjerët.

Përdorni softuer antivirus për t’i mbrojtur pajisjet tuaja. 

Qëndroni të përditësuar

Cilësimet e privatësisë dhe karakteristikat e tyre janë gjithmonë në zhvillim e sipër. Caktoni një përkujtues për të kontrolluar çdo disa muaj mbi përditësime dhe për t’i rregulluar cilësimet e privatësisë sipas nevojës.

Mbështetni edukimin digjital të fëmijës suaj

Cilësimet e privatësisë dhe kontrollet prindërore janë mjete të rëndësishme për ta mbrojtur të drejtën e fëmijëve tanë për privatësi dhe për t’i mbajtur ata të sigurt në internet. Me rëndësi është që ata të mësojnë se si të lundrojnë në botën e internetit me përgjegjësi dhe në mënyrë të pavarur. 

Si të filloni me fëmijët më të vegjël

Online privacy - a group of children take a selfie photo together
UNICEF/UN0366611/Margaryan
Filloni herët

Kur të fillojë fëmija juaj t’i përdorë pajisjet digjitale, gjeni mënyra për t’ia prezantuar idenë e privatësisë si një e drejtë dhe si çelës për të qëndruar i/e sigurt në internet. Përdorni gjuhën e përshtatshme me moshën dhe zhvillimin e fëmijës, për t’i shpjeguar se pse duhet t’i mbajmë të sigurta informacionet personale dhe se si ajo që bëjmë në internet lë një shënim të vazhdueshëm ose “gjurmë digjitale”.

Zgjidhni platforma miqësore për fëmijët

Gjeni aplikacione dhe lojëra të përshtatshme që i japin përparësi sigurisë dhe privatësisë për fëmijën tuaj. Kontrolloni faqet si Common Sense Media (Mediat e arsyeshme) për komente dhe flisni me prindërit e tjerë për rekomandimet e tyre.

Vendosni rregulla familjare  

Shpjegoni atyre se për çfarë informacione duhet të kenë gjithmonë kujdes në lidhje me shpërndarjen në internet, si emri i plotë, ditëlindja, adresa, numri i telefonit, emri i shkollës ose detaje tjera personale. Kujtojuni që të mos ndajnë (me të tjerët) asnjë fjalëkalim, qoftë edhe me miqtë e tyre të ngushtë. Kini kujdes për sjelljen tuaj në internet dhe se si mund të jepni një shembull pozitiv. 

Drejtoni aktivitetin e tyre në internet

Provoni së bashku aplikacione, lojëra dhe platforma të reja dhe ndihmojini ata të bëjnë zgjedhje të sigurta. Kur përfshini diçka të re, sigurohuni që në fillim cilësimet të jenë vendosur për ta minimizuar mbledhjen e të dhënave.

Eksploroni së bashku se si të krijoni fjalëkalime të forta dhe të përdorni fjalëkalime të ndryshme për secilën llogari. Fjalëkalimet duhet të jenë diçka e lehtë për t’u mbajtur mend, por jo edhe për t’u supozuar nga të tjerët (pra pa informacione personale); të përbëhen me mbi tetë karaktere; dhe të përfshijnë numra, shkronja, shkronja të mëdha dhe simbole.

Ndërtoni mendim kritik

Shpjegojini fëmijës tuaj se, ashtu si në jetën reale, jo të gjithë personat që i takojnë në internet janë të besueshëm. Mësojini të jenë të kujdesshëm kur ndërveprojnë me të tjerët në internet, të mos klikojnë ose ndajnë linka (vegëza) të dyshimta ose bashkëngjitje në postën elektronike. Shpjegoni se kujt mund t’ia besojnë informacionet personale si adresa e banimit. Kontrolloni që sajtet, të cilat i vizitojnë, të fillojnë me "https" dhe ta kenë simbolin drynit në shiritin shfletues.

Ndaloni dhe mendoni

Inkurajoni fëmijën tuaj të ndalojë dhe të mendojë përpara se të postojë ose të ndajë diçka në internet. Kujtojuni atyre se sapo diçka të shpërndahet në internet, mund të jetë e pamundur ta fshijnë dhe e njëjta mund të shihet edhe nga personat tjerët, të cilëve nuk iu dedikohet.

Për prindërit e fëmijëve më të rritur dhe adoleshentë

Group of adolescent girls smiling and taking a selfie
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2019
Inkurajoni bisedë të hapur

Mënyrë e shkëlqyeshme për ta filluar bisedën me fëmijët më të rritur është t’u kërkoni atyre t'ua mësojnë platformën e tyre të preferuar. Derisa jeni duke eksploruar së bashku, mund t’i pyesni nëse ata kanë ndier ndonjëherë presion për të ndarë informacione personale në internet apo njohin dikë që e ka bërë një gjë të tillë? Çfarë do të bënin nëse do të përjetonin një problem në internet? Eksploroni së bashku cilësimet e privatësisë dhe mjetet e sigurisë në platformat e tyre të preferuara.

Shfrytëzoni mundësinë për ta kaluar së bashku listën tonë të kontrollit të cilësimeve të privatësisë për t’u siguruar që ata të jenë të njohur me informacionet që mblidhet dhe ndahen (me të tjerët).

Për çdo pyetje ose shqetësim nxitini ata, që të vijnë gjithmonë te ju ose te një i rritur tjetër i besuar. Po ashtu bëjuani me dije se pavarësisht nga situata, siguria dhe mirëqenia e tyre është shqetësimi më i madh për ju. 

Flisni për gjurmën tonë digjitale

Nxitini ata të mendojnë me kujdes për atë që bëjnë në internet – dhe se si gjithçka që postojmë mund të ngelë përgjithmonë në internet. Diskutoni rreziqet që ndërlidhen me ndarjen e fotove me të tjerët në internet dhe se si këto foto mund të shihen dhe përdoren nga të tjerët. Kujtojuni atyre se veprimet tona në internet mund të kenë pasoja të dëmshme në jetën reale dhe madje mund të ndikojnë në shkollë dhe mundësitë tona për punësim në të ardhmen.

E drejta jonë për privatësi

Përkujdesuni që ata të jenë të vetëdijshëm për të drejtën e tyre të privatësi, duke përfshirë të drejtën e tyre për të kërkuar qasje, korrigjim dhe fshirje të të dhënave. Mund të jetë një aktivitet interesant ta ushtroni së bashku të drejtën e tyre për qasje në të dhëna dhe të zbuloni se çfarë informacione disponon një kompani e mediave sociale për ta. Raporte si “qasja së të dhënave” shpesh i përmbajnë të gjitha të dhënat, që burojnë nga aktivitetet tona në internet, duke përfshirë interesat personale, sjelljen dhe tiparet psikologjike. Nëse thjesht kërkoni për “raportin e qasjes në të dhëna” dhe emrin e platformës së mediave sociale, duhet të gjeni udhëzime se si ta parashtroni kërkesën.

Respektoni pavarësinë e tyre

Përfshini adoleshentin tuaj në vendimet në lidhje me privatësinë e tyre në internet. Flisni për shqetësimet tuaja dhe dëgjoni në mënyrë jo-gjykuese atë që ata kanë për të thënë. Derisa fëmijët tuaj fitojnë më shumë përvojë me internetin, përpiquni të gjeni mënyra për t’i fuqizuar ata të marrin më shumë përgjegjësi në proporcion me moshën, duke qëndruar të vetëdijshëm për aktivitetet e tyre në internet.