5 mënyrat drejt shëndetit më të mirë mendor në internet
Këshilla se si të kujdeseni për veten dhe të tjerët.
- English
- Македонски
- Shqip
Hyrja në internet mund të paraqesë shumë mundësi të shkëlqyera për t’u lidhur, mësuar dhe ndarë atë që është e rëndësishme për ju, mirëpo kjo ngërthen edhe sfidat e veta. Nëse media sociale ose interneti ju ka bërë ndonjëherë të ndiheni të stresuar, ziliqarë ose të vetmuar, ose të përjetoni ndjenja të vetëvlerësimit më të ulët ose ankthit social, dijeni se nuk jeni vetëm. Këtu janë pesë këshilla se si të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor dhe të jeni të këndshëm në internet.
1. Shmangni ndjekjen e përmbajtjeve negative
Kushtojini vëmendje të mirëfilltë mënyrës se si mediat sociale dhe përmbajtja në internet ndikojnë në emocionet, mendimet ose veprimet tuaja. Si ju bën të ndiheni? A ju bën leximi i lajmeve të ndiheni të informuar apo të stresuar? A ju bën të ndiheni mirë apo ziliqar, duke parë fotot e miqve tuaj në një festë? A e kontrolloni telefonin tuaj posa zgjoheni në mëngjes për të mësuar rreth lajmeve të fundit apo thjesht nga shprehia?
Identifikimi pse jeni në internet dhe si ju bën të ndiheni, mund t’ju ndihmojë t’i vendosni kufijtë e duhur personal se sa kohë kaloni në mediat sociale ose aplikacionet tjera. Ndonëse nuk është gjithmonë realiste t’i anulosh ose të raportosh të gjithë që me dashje ose pa dashje ndikojnë negativisht në emocionet e tua, mund të provosh t’ua çaktivizosh notifikimin ose t’i kufizosh përmbajtjet nga llogaritë që nuk të bëjnë të ndihesh mirë. Është e rëndësishme ta mbani mend se jo gjithçka që shihni në internet është e vërtetë, madje edhe gjërat nga miqtë tuaj, mirëpo e vërtetë është mënyra se si ato ndikojnë.
2. Jini të ndërgjegjshëm
Ka shumë mjete dhe përmbajtje të shkëlqyera në internet, të cilat mund të ndihmojnë në mbështetjen e të gjitha aspekteve të shëndetit dhe mirëqenies mendore, duke filluar nga aplikacionet e meditimit për t’ju ndihmuar të relaksoheni dhe të përqendroheni, te platformat që ju ndihmojnë ta zhvilloni ndjenjën tuaj të identitetit dhe vetvetes, të qëndroni të lidhur dhe ta mbështesni njëri-tjetrin. Ka shumë mjete të shkëlqyera të të mësuarit në internet, ku mund të provoni diçka të re, si vizatimi ose joga, të cilat mund të ndërtojnë aftësi të reja njohëse dhe krijuese, si dhe klasa ushtrimesh në internet për t’ju ndihmuar të qëndroni të shëndetshëm dhe të relaksuar.
Përpiquni të gjeni përmbajtje motivues dhe krijues pozitivë dhe për t'i ndjekur, si sportistë, këngëtarë, kuzhinierë, autorë ose të rinj të tjerë që flasin për çështje që u interesojnë. Mos harroni, nëse keni nevojë, ju gjithashtu mund ta përdorni internetin dhe mediat sociale për të kërkuar ndihmë profesionale dhe informacione për shëndetin mendor.
3. Mbroni veten dhe të tjerët në internet
Kontrolloni cilësimet e privatësisë në të gjitha profilet tuaja të mediave sociale. Mbani të mbuluara kamerat e internetit kur nuk janë në përdorim. Kini kujdes kur regjistroheni në aplikacione dhe shërbime në internet – veçanërisht duke dhënë emrin tuaj të plotë, adresën ose foton tuaj. Nëse jeni të shqetësuar për diçka që keni parë ose përjetuar në internet, duhet të flisni me një të rritur të besuar si prindi ose mësuesi, ta raportoni incidentin në platformën në fjalë (mos harroni të bëni një pamje nga ekrani si për evidencë) dhe për më shumë mbështetje t’i kërkoni linjat e ndihmës dhe sigurisë, si dhe shërbimet e shëndetit mendor në vendin tuaj.
Ju mund t’i ndihmoni edhe të tjerët, duke qenë të ndërgjegjshëm për përvojat e tyre në internet, duke njohur shenjat kur një shok klase, mik apo edhe i huaj nuk është në gjendje të mirë ose shfaq shenja shqetësimi, ju mund ta ndihmoni atë për ta marrë mbështetjen e nevojshme.
Fjalët kanë rëndësi dhe është e rëndësishme të mendojmë me kujdes për atë që e ndajmë në rrjet
4. Zgjidhni mirësjelljen
Përdorni mediat sociale për gjëra të mira, duke ndarë përmbajtje dhe mesazhe pozitive dhe mbështetëse me miqtë, familjen dhe shokët e klasës. Për shembull, mund ta kontaktoni për ta njoftuar dikë, se po mendoni për të ose të shtoni një koment pozitiv në një postim që ai ka shpërndarë. Nëse e gjeni veten duke iu përgjigjur një mesazhi ose postimi me diçka negative, ndaloni dhe mendoni nëse mund ta formatoni në një mënyrë tjetër ose më mirë të zhvilloni një bisedë personale. Nëse shihni ose merrni mesazhe ose përmbajtje që konsideroni se janë ngacmuese ose abuzive, atëherë duhet ta bllokoni dhe raportoni atë. Fjalët kanë rëndësi dhe është e rëndësishme të mendojmë me kujdes për atë që e ndajmë në rrjet. Ne të gjithë kemi fuqinë për të qenë të sjellshëm dhe për t'ia bërë ditën dikujt – atëherë le të përhapim dashuri e jo urrejtje!
5. Qëndroni të pranishëm dhe të lidhur me jetën reale
Linjat midis botës së internetit dhe jashtë internetit mund të ndihen gjithnjë e më të paqarta, duke e bërë të vështirë të jetojmë në momentin aktual dhe ta kënaqim nevojën tonë të lindur për kontakt njerëzor. A ju ndodh ndonjëherë ta ndërprisni atë që po bëni, në mënyrë që të mund të postoni në rrjetet sociale, ose t’i shikoni postimet e miqve tuaj, në vend që ta telefononi apo të takoheni me ta për të parë se si janë? Është e rëndësishme që herë pas here të përpiqeni ta fikni dhe të bëni një pushim nga mediat sociale, si dhe të kaloni kohë me miqtë dhe familjen edhe në jetën reale, ku është e sigurt për ta bërë këtë.
Përpiquni dhe vendosni vetes synime realiste dhe personale, për shembull, të mos e merrni telefonin ose të mos hyni në internet për orën e parë të ditës (kjo harxhon energji dhe ju trajnon të përthithni informacione të pafiltruara) ose të mos hyni në internet pak para gjumit. Aktivitete të tilla si meditimi, shëtitja ose thirrja e një shoku do të ndihmojnë në ofrimin e një stimulimi të ngjashëm, si dhe do t'ju bëjnë të ndiheni më të përqendruar dhe të relaksuar.