Siguria në internet
Të qenit të lidhur në rrjet sjellë një mori gjërash të këndshme, megjithatë për çdo ditë edhe interneti po keqpërdoret dhe abuzohet, kurse fëmijët dhe të rinjtë po e paguajnë këtë çmim.
- English
- Македонски
- Shqip
Siguria në internet
Me shumë gjasa ju nuk mund ta imagjinoni një ditë pa internet. Interneti është një mjet i shkëlqyer për t’u lidhur me miqtë dhe familjen, për t’u lidhur me botën, për të mësuar gjëra të reja, për të ndërtuar aftësi digjitale dhe shkathtësi tjera, për të shpërndarë fotografi, video dhe opinione. Nëse bëhet siç duhet, interneti mund të paraqesë një ndryshim rrënjësor për fëmijët dhe të rinjtë, duke i lidhur ata me një botë mundësish për komunikim, mësim dhe liri shprehjeje. Të qenit të lidhur në rrjet sjellë një mori gjërash të këndshme, megjithatë për çdo ditë edhe interneti po keqpërdoret dhe abuzohet, kurse fëmijët dhe të rinjtë po e paguajnë këtë çmim. Ja disa këshilla se si ta bëjmë internetin një vend më të sigurt për të gjithë ne.
Gjëja parësore që duhet ta mbani mend gjithmonë është se - pasi të postohet diçka në internet, nuk mund të tërhiqet mbrapsht.
Shpërndani me kujdes
Si ta bëjmë internetin një vend më të sigurt për të gjithë ne?
Veprimet në rrjetmund të kenë pasoja në botën reale
Fotografitë, videot, mesazhet dhe komentet, që i ndani me të tjerët mund të ndikojnë te ju, mund t’i prekin njerëzit në jetën tuaj ose njerëzit tjerë në internet.
Këshilla:
Para se të shpërndani diçka, pyeteni veten:
- Si do të ndihesha unë, nëse kjo përmbajtje përfundonte diku ku nuk e kisha ndërmend?
- A do të lëndohet ose ofendohet dikush nga ajo që po ndaj?
Postimi juaj mund të arrijë te më shumë njerëz nga sa keni menduar ju
Edhe nëse postoni ose dërgoni mesazhe privatisht, nuk mund ta kontrolloni plotësisht se kush e sheh atë që keni postuar. Gjithmonë është e mundur marrja e pamjeve të ekranit ose shpërndarja e mëtejme e postimit tuaj nga dikush tjetër.
Këshilla:
Para se të shpërndani diçka, pyeteni veten:
- Si do të ndihem nëse e sheh këtë përmbajtje dikush tjetër, përveç personit me të cilin po e ndaj këtë?
- Cili është probabiliteti që përmbajtja ime të keqpërdoret ose të përdoret në një kontekst tjetër?
Pyeteni veten përpara se ta shpërndani fotografinë ose videon e dikujt
Mund të jetë e sikletshme, e pasigurt ose edhe e paligjshme të shpërndani fotografi dhe video pa pasur leje për t'i shpërndarë ato.
Këshilla:
Para se ta ndani një fotografi ose video me persona të tjerë në të, merrni pëlqimin e tyre.
Mendo para se të:
PRANONI
Para se të pranoni një kërkesë për miqësi, duhet ta shikoni profilin e personit dhe të përpiqeni të shihni se kush është. Mos harroni: Ndonjëherë njerëzit pretendojnë të shtiren se janë dikush tjetër, madje është e vështirë të mësoni nëse personi e thotë të vërtetën ose gënjen.
A keni miq të përbashkët me të? A jeni nga i njëjti qytet? Mos u ndjeni nën presion për të pranuar kërkesa të rastit për miqësi. Kontrolloni cilësimet e privatësisë suaj, në mënyrë që njerëzit që nuk i njihni, të mos shohin asnjë informacion që ju nuk dëshironi që ata ta shohin.
DËRGONI
Mos përhapni thashetheme dhe mos shpërndani storje ose fotografi lënduese ose të sikletshme. Ajo që mund të duket si një shaka e padëmshme për një person, mund të jetë thellësisht lënduese për të tjerët.
Mendohuni dy herë para se të klikoni “dërgo”, veçanërisht nëse jeni të mërzitur ose të zemëruar. Pasi ta ndani një mesazh, fotografi ose video, është e vështirë të kontrolloni se çfarë ndodh me të më tej. Fshirja është pothuajse e pamundur.
Dhe mos harroni se sikur ju edhe të tjerët kanë të drejtë për privatësi. Nuk është në rregull të hyni në llogaritë e njerëzve tjerë ose t’ua përdorni telefonat pa lejen e tyre.
SHPËRNDANI
Ju mund t’i ndryshoni cilësimet e privatësisë në platformat tuaja të mediave sociale për t'ju ndihmuar të kontrolloni se kush i sheh informacionet tuaja, gjegjësisht të gjitha vendet ku jeni regjistruar.
Mendoni me kujdes se çfarë shpërndani dhe me kë. Nëse cilësimet tuaja të privatësisë nuk janë të sigurta, atëherë kushdo mund t’i shohë informacionet tuaj. Gjithashtu, mbani mend se njerëzit mund të bëjnë pamje të ekranit të gjërave që ndani, edhe kur cilësimet tuaja të privatësisë janë të kufizuara, ose kur ndani mesazhe private ose në grup.
Mos ndani informacione personale si adresa juaj, numri i telefonit ose të dhënat bankare. Dhe definitivisht mos ndani fjalëkalimet tuaja!
Mbani mend: Ndarja e fjalëkalimeve të telefonit ose të rrjeteve sociale me një mik nuk është shenjë ose provë dashurie apo besnikërie. Fjalëkalimet tuaja janë informacioni juaj privat.
Ja çfarë mund të bëni sot:
- Bëhuni të sjellshëm në internet. Mbështetni miqtë tuaj duke dërguar mesazhe pozitive, një buzëqeshje ose një pëlqim. Përdorni fuqinë e internetit për të përhapur pozitivitet.
- Bëhuni mbështetës në internet. Ngrini zërin, nëse mendoni se keni parë dikë tjetër të bullizohet. Kontaktoni atë person dhe shfaqni mbështetjen tuaj. Fjalët tuaja mund të bëjnë një ndryshim.
- Gjithmonë kini kujdes se veprimet tuaja mund të dëmtojnë dikë. Nëse mendoni se sjellja juaj ndaj dikujt bie në kategorinë e bullizimit, mund ta ndryshoni atë. Ndaluni dhe kontaktoni dikë për mbështetje. Kërkoni falje, pranoni gabimin tuaj. Bëhuni të sjellshëm, bëhuni hero sot.
- Ngrini zërin. Bëjani me dije, nëse shihni një mik të postojë diçka për të cilën duhet të mendohet dy herë. Në këtë mënyrë mund të ndihmoni në zvogëlimin e dëmit në të ardhmen.
- Ndalo përhapjen e mesazheve dhe postimeve të dëmshme dhe të pavërteta, duke mos ua përcjellë ato të tjerëve.
- Shpërndani këto video për të përhapur mesazhin rreth sigurisë në internet dhe për t'i nxitur miqtë tuaj të flasin.
- Kontrolloni cilësimet dhe fjalëkalimet tuaja: a është fjalëkalimi juaj 12345? A e keni ndarë atë me një mik? Kush mund të shohë atë që postoni në internet? Kur për herë të fundit i keni rishikuar cilësimet tuaja të privatësisë?
- Fillon me ty! Mos përhap thashetheme, mos shpërndanani ose rishpërndanani histori ose fotografi që synojnë të jenë lënduese ose poshtëruese. Ajo që mund të duket si një shaka e padëmshme për një person, mund të jetë thellësisht lënduese për të tjerët.
Raportojeni!
Nëse keni parë diçka në mediat sociale që ju ka mërzitur ose lënduar, mund ta raportoni. Nëse ju ka shtuar ndonjë shok në ndonjë grup dhe nuk doni të jeni atje, largohuni nga grupi dhe tregoni mikut tuaj. Në shumë platforma të mediave sociale, mund të raportoni një postim ose fotografi specifike nëse është kundër standardeve të komunitetit. Shumica e platformave të mediave sociale ju lejojnë ta “bllokoni” një person, në mënyrë që të mos shihni përmbajtjen e tij dhe ai të mos mund t’ju kontaktojë ose t’ju dërgojë mesazhe.
Këtu janë dhënë burimet e raportimit dhe sigurisë për shumë aplikacione të njohura:
Discord
Facebook
Instagram
Kik
Roblox
Snap
TikTok
Tumblr
Twitch
WeChat
WhatsApp
X (formerly Twitter)
YouTube
Ueb sajti Take it Down ofron udhëzime mbi mënyrat për ta hequr çdo imazh intim.
Nëse raportoni një problem te një kompani dhe nuk merrni përgjigje ose nuk mendoni se problemi është zgjidhur, atëherë merrni në konsideratë përshkallëzimin e raportit. Mos harroni se këto kompani kanë përgjegjësi ta marrin me seriozitet sigurinë e fëmijëve.
Mos mbani frikën për vetveten
Nëse jeni të shqetësuar për sigurinë tuaj ose për diçka që ju ka ndodhur në internet, flisni urgjentisht me një të rritur, të cilit i besoni.
Mësoni më shumë rreth bullizimit kibernetik: Çfarë është dhe si ta ndaloni atë
10 gjëra që adoleshentët duan t’i dinë rreth bullizimi kibernetik.
Prindërit dhe mësuesit
Fëmijët kanë nevojë për ndihmë që të mësojnë si ta përdorin internetin, në të njëjtën mënyrë siç iu ndihmojmë ne të mësojnë si ta kalojnë rrugën.
Mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët në internet është të flasim me ta. Mësoni fëmijët si të “jenë të mrekullueshëm në internet.”
BËHUNI VIGJILENT NË INTERNET
Mos bini pre e lajmeve të rreme
Është e rëndësishme t’u ndihmojmë fëmijëve të bëhen të vetëdijshëm se njerëzit dhe situatat në internet nuk janë gjithmonë ashtu siç duken. Bërja e dallimi midis asaj që është reale dhe asaj që është e rreme, është mësim shumë real mbi sigurinë në internet.
Dalloni shenjat e një mashtrimit të mundshëm
- Nëse deklaratat rreth “fitimit” ose marrjes së diçkaje “falas” duken shumë të mira për të qenë të vërteta, ka shumë të ngjarë që të jenë me tendencë mashtrimi;
- Shkëmbimet e drejta nuk duhet të përfshijnë dhënien e ndonjë informacioni personal;
- Fillimisht përpara se të veprohet ose reagohet në internet, duhet të aplikohet mendimi kritik. Përpjekjet për fishing (mashtrim përmes internetit) dhe përpjekjet për të vjedhur informacione (si hyrja ose qasja në të dhënat e llogarisë bankare) mund të bëhen duke u shtirur si një kontakt i besuar në një email, mesazh ose komunikim tjetër në internet.
BËHU I FORTË NË INTERNET
Siguroni sekretet tuaja
Privatësia dhe siguria personale janë po aq të rëndësishme në internet sa janë edhe jashtë internetit. Mbrojtja e informacioneve të vlefshëm i ndihmon fëmijët ta shmangin dëmtimin e pajisjeve, reputacionit dhe marrëdhënieve të tyre.
Mësoni si të krijoni një fjalëkalim të fortë
- Bëjeni të paharrueshëm, por shmangni përdorimin e informacioneve personale si emrat ose ditëlindjet;
- Përdorni një përzierje shkronjash të mëdha, shkronjash të vogla, simbolesh dhe numrash;
- R3pl@ce le++ers wit# sYmb0ls & n^mb3rs 1ike Thi$ (Në këtë mënyrë zëvendësoni shkronjat me simbolet dhe numrat);
- Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim në faqe të shumta. Krijoni disa variacione të ndryshme të të njëjtit fjalëkalim për llogari të ndryshme.
MANIFESTONI MENÇURI NË INTERNET
Shpërndani me kujdes
Përmbajtja në internet mund të përhapet shpejt, andaj pa ndonjë parashikim paraprak, fëmijët mund të gjenden në situata të vështira, të cilat kanë pasoja afatgjata.
Zgjidhja? Të mësuarit se si të ndani lloje të ndryshme të përmbajtjeve (si fotografi, video dhe lajme) me ata që i njihni dhe ata që nuk i njihni.
Komunikoni me përgjegjësi
- Inkurajoni vlerësimin e ndarjes së përmbajtjeve dhe komunikimit në internet nën prizmin e komunikimit sy më sy; nëse nuk është e drejtë të thuash diçka, atëherë nuk është e drejtë as edhe ta postosh atë;
- Diskutoni shembuj se cili lloj i komunikimit është i përshtatshëm (gjegjësisht cili lloj nuk është i përshtatshëm);
- Theksoni ruajtjen e privatësisë së të dhënave personale të familjes dhe miqve.
BËHU I KËNDSHËM NË INTERNET
Bëhu shëmbëlltyre
- Gjithmonë komunikoni me të tjerët duke zbatuar konceptin “trajtoni të tjerët ashtu siç do të dëshironit të trajtoheshit nga të tjerët”;
- Përdorni fuqinë e internetit për të përhapur pozitivitet;
- Ndaloni përhapjen e mesazheve/postimeve të dëmshme/të pavërteta duke mos i përcjellë ato më tej te të tjerët;
- Respektoni ndryshimet dhe mendimet e të tjerëve.
Ndërmerrni veprime
- Bllokoni dhe raportoni persona ose faqe dashakeqe ose të papërshtatshme në internet;
- Përpiquni t'u ofroni mbështetje atyre që ngacmohen;
- Inkurajoni fëmijët të flasin kundër dhe ta raportojnë ngacmimin kibernetik.
Çdo ditë fëmijët tuaj do të përballen me sfida të ndryshme, por e vetmja gjë e pandryshueshme duhet të jetë prania dhe gatishmëria juaj për t'i dëgjuar dhe për t'i ndihmuar ata me dashuri të pakushtëzuar!