Çfarë duhet të dini kur ndani me të tjerët fotografi ose video të fëmijëve tuaj

Këshilla të ekspertëve për mbrojtjen e privatësisë së fëmijës suaj në epokën digjitale

UNICEF
Parent or a caregiver taking a photo of a child with a smartphone
BAD8viJzS54 via canva.com
06 Shkurt 2025

Roli i prindërimit në epokën digjitale nuk është detyrë e lehtë. Mediat sociale, telefonat e mençur dhe teknologjitë e tjera po përparojnë me një ritëm që duket se rritet më shpejt se fëmijët tanë, andaj nuk është gjithmonë e qartë se si të përdoren ato në mënyrë të sigurt – madje edhe kur e kemi qëllimin më të mirë.

Shumë prindër dhe kujdestarë i ndajnë (me të tjerët) fotografitë e fëmijëve dhe adoleshentëve të tyre, sepse duan ta përfshijnë familjen dhe miqtë në momentet më të gëzueshme të jetës së tyre. Megjithatë, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për rreziqet që vijnë nga postimi i përmbajtjeve në lidhje me fëmijët tuaj në internet, ose të njohur ndryshe si “sharenting” (ang. fjala e përbërë sharing (ndarje) dhe parenting (prindërim)).

Ne folëm me eksperten Stejsi Steinberg, se si ta mbrojmë privatësinë e fëmijëve tanë në internet, si t’i respektojmë pikëpamjet e tyre dhe t’i mësojmë se çka nënkupton dhënia e pëlqimit.

 

Çfarë është sharenting?

Stejsi Steinberg: Unë e përkufizoj sharenting-un si gjërat që bëjnë prindërit, kur flasin për fëmijët e tyre jashtë rrethit familjar: Një postim në rrjetet sociale me një foto, një postim në blog për fëmijën e tyre, një video përmes një platforme mesazhesh si WhatsApp etj.

“Kur i ndajmë gjëra për fëmijët tanë në internet pa i përfshirë ata në atë proces të vendimmarrjes, atëherë humbasim mundësi të vlefshme për t’ia mësuar fëmijëve tanë, gjegjësisht për ta manifestuar para tyre idenë e pëlqimit.”

Çfarë është e rëndësishme që prindërit dhe kujdestarët të dinë kur mendojnë t’i ndajnë përmbajtje për fëmijët e tyre në internet?

Dy gjëra të mëdha duhet menduar kur bëhet fjalë për ndarjen (me të tjerët) të përmbajtjeve për fëmijët tanë.

E para është dëmi real, i prekshëm, që fëmijët mund ta përjetojnë kur prindërit publikojnë gjëra në internet. Për shembull, ka të rritur që mund të dëshirojnë të vihen në kontakt ose t’i dëmtojnë fëmijët e dikujt, për shkak të përmbajtjes që e kanë parë në internet. Në disa vende, ka edhe ndërmjetës të tregtimit me të dhënat, që krijojnë dosje digjitale për fëmijët tanë, bazuar në informacionet që i ndajmë, ndoshta duke bërë parashikime se çfarë do të thonë ose bëjnë fëmijët tanë, ose çfarë probleme shëndetësore mund të kenë fëmijët tanë në të ardhmen, bazuar në informacionet që ne i ndajmë (me të tjerët).

Shkaku tjetër i shqetësimit janë fotografitë fiktive. Ato paraqesin kërcënimi për manipulimin e fotografive të fëmijëve tanë në mënyrë të paligjshme ose me qëllim të keq, gjë që mund të shkaktojë dëm ose mundësi që dikush të krijojë një meme, e cila mund të bëhet virale dhe ta shfaq fëmijën tonë në një dritë negative. Fatmirësisht duket se për momentin këto gjëra nuk janë shumë të zakonshme, por ne nuk e dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja, apo si do të ndryshojë në proporcion me përparimet në teknologji si inteligjenca artificiale.

Çështja e dytë është se kur ndajmë gjëra në lidhje me fëmijët tanë në internet, pa i përfshirë ata në procesin e vendimmarrjes, ne humbasim mundësi të vlefshme për t’ua mësuar fëmijëve tanë dhe për t’ua prezantuar atyre modelin e duhur mbi idenë e pëlqimit, gjegjësisht t’ua bëjmë me dije se e vlerësojmë privatësinë e tyre.

Kur të rriten fëmijët tanë dhe vetë mund t’i përdorin rrjetet sociale, ne shpresojmë që ata ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos i ndajnë (me të tjerët) fotografitë tona që ne nuk duam t’i ndajmë. Ne duam gjithashtu që ata ta respektojnë privatësinë e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të mos postojnë fotografi të fëmijëve dhe të rriturve të tjerë pa pëlqim e tyre.

 

Si ndihen fëmijët kur ndajmë fotografi dhe video për ta në internet?

Pavarësisht sa vjeç kemi, të gjithëve na pëlqen të jemi të pavarur. Ne të gjithë i vlerësojmë perceptimin për veten tonë individuale, pavarësisht nëse jemi katër ose pesë vjeç dhe duam ta veshim fustanin rozë e nuk duam ta veshim fustanin ngjyrë vjollce, ose nëse jemi 12 apo 13 vjeç dhe duam të na shohin duke e kapur gjyshen për dore, ose përkundrazi nuk duam të na shohim duke kapur gjyshen për dore. Këto gjëra mund të duken të parëndësishme për të rriturit, por për fëmijët tanë kanë vërtet rëndësi. Kur fëmijët kanë ndjenja, ata përjetojnë ndjenja të mëdha, andaj ne duhet t’u lëmë hapësirë ​​atyre që t’i manifestojnë ato. Fëmijët e vegjël nuk mund ta japin pëlqim të mirëinformuar në lidhje me ndarjen e fotografive dhe videove për ta në internet. Ne duhet ta marrim parasysh se si mund të ndiheshin ata, nëse do të ishim në gjendje të zhvillonim biseda më të thella me ta, në mënyrë që ata të mund ta artikulonin pikëpamjen e tyre.

Po ashtu, nëse e ndajmë (një postim) shumë afër pas ndonjë ngjarjeje dhe ia tregojmë fëmijës tonë fotografitë ose videot që i kemi bërë, atëherë do të shqetësohemi pak se kjo gati mund ta ketë efektin e kujtimeve të fëmijërisë. Prandaj ne duam të jemi vërtet të kujdesshëm për momentin kur ndajmë (publikojmë gjëra me te tjerët). Ne duhet të qëndrojmë larg pajisjeve tona digjitale kur jemi me fëmijët tanë, në mënyrë që të mund të jemi realisht pjesë e momentit e jo pjesë e përmbajtjes së publikimit, me çka mund t’iu mundësojmë fëmijëve tanë t’i përjetësojmë kujtimet, të cilat dallojnë nga fotografitë dhe videot që kemi bërë me pajisjet tona.

 

Si mund ta mbrojnë prindërit privatësinë e fëmijëve të tyre në një botë digjitale?

Atë që mund të bëjnë prindërit, është ta shmangin ndarjen e informacioneve tepër personale për fëmijët e tyre, si histori ose fotografi të sikletshme, edhe nëse mund t’iu duken qesharake. Është e rëndësishme të përpiqeni ta shihni këndvështrimin e fëmijës suaj. Prindërit gjithashtu nuk duhet të ndajnë fotografitë e fëmijëve të tyre në asnjë gjendje të zhveshur, sepse për fat të keq, ka individë të ligë, të cilët mund t’i përdorin ato fotografi për qëllime të ulëta.

Njashtu prindërit mund të flasin me fëmijët e tyre për atë që ata e ndajnë (me të tjerët) dhe për procesin në të cilin ata kalojnë për të vendosur nëse diçka është e përshtatshme për t’u ndarë.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se prindërit nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Një pjesë e madhe e kësaj pune mbrojtëse duhet të jetë barrë e politikëbërësve tanë dhe platformave digjitale për të krijuar hapësira më të sigurta për familjet. Është e padrejtë të presësh që prindërit të kuptojnë se si po funksionojnë platformat dhe e gjithë teknologjia, veçanërisht kur kihet parasysh shpejtësia se si ato ndryshojnë.

> Klikoni këtu pwr tw mwsuar si prindër se çka duhet tw kontrolloni mbi privatwsinw nw internet

 

Si munden prindërit t’u kërkojnë të tjerëve që të mos postojnë fotografi të fëmijëve të tyre?

Zhvilloni biseda të sinqerta me miqtë dhe familjen tuaj rreth preferencave tuaja të ndarjes (me të tjerët), por mbani mend se ndarja e informacioneve për fëmijët në mediat sociale është një dukuri relativisht e re dhe jo të gjithë i kanë kushtuar vëmendje të barabartë çështjes në fjalë. Qasuni këtyre bisedimeve me supozimin se sa më shumë që komunikoni, aq më tepër do t’ia dilni që dëshirat tuaja të respektohen nga të tjerët në jetën e fëmijëve tuaj.

Për sa u përket shkollave ​​dhe organizatave tjera, mund të pyesni nëse ekziston një politikë e ndarjes (së përmbajtjeve me të tjerët) në mediat sociale. Nëse dikush nuk e bën këtë, prindërit mund të ofrojnë të ndihmojnë në hartimin e një politike të tillë, duke ditur se prindërit e tjerë në organizatë ose shkollë mund të dëshirojnë gjithashtu të kenë kontroll mbi rrjedhën e fotografive dhe informacioneve të fëmijëve të tyre.

 

Si munden prindërit dhe kujdestarët t’i ndajnë (me të tjerët) në mëmyrë të sigurtë fotografitë dhe videot e fëmijëve të tyre?

Ndarja (e përmbajtjeve me të tjerët) nuk mund të jetë kurrë 100 për qind e sigurt. Gjithmonë do të jetë çështje e baraspeshës ndërmjet rreziqeve dhe asaj që prindërit e perceptojnë si të dobishme.

Për familjet, të cilat planifikojnë t’i ndajnë (me të tjerët përmbajtjet) për fëmijët e tyre në internet, është e rëndësishme ta marrin në konsideratë audiencën, me të cilën e ndajnë (cilat janë cilësimet tuaja të privatësisë në profilet tuaja të mediave sociale, sa mirë i njihni njerëzit që keni shtuar si miq ose ndjekës, etj.),

Ne jemi të kapluar nga bindja se fëmijët tanë që janë pjesë e identitetit tonë, por në fakt fëmijët tanë janë vetja e tyre dhe kanë ndjenjat e tyre. Të ndajmë (me të tjerët përmbajtjet) për veten tonë është një gjë, por është diçka tjetër kur ndajmë me të tjerët gjëra që kanë të bëjnë me shtëpinë tonë.

“Fëmijët tanë janë brezi i parë që rriten në epokë ku ndahen (përmbajtjet me të tjerët). Ne jemi gjenerata e parë e prindërve që rrisim fëmijët përkrah mediave sociale dhe kjo është e gjë e vështirë.”

Çka mund të bëni nëse tashmë keni postuar shumë për fëmijët tuaj dhe keni dilema?

Merrni frymë thellë! Shumica e prindërve të cilët e teprojnë me ndarjen e përmbajtje (me të tjerët), nuk e bëjnë atë sepse janë malicioz. Shpesh, kur prindërit e teprojnë me ndarjen e përmbajtjeve, ata nuk e vlerësojnë rëndësinë e gjurmës digjitale të fëmijës së tyre.

Nëse një prind e rishikon si ndan dhe sa ndan (me të tjerët), hap i parë i duhur do të ishte nëse do të fillonte ta shikojë atë që është ndarë në të kaluarën, madje ndoshta ta fshijë atë që mundet. [Në disa platforma, mund të kërkoni që të hiqet një fotografi, nëse nuk mundeni ta fshini vetë.]

Prindërit gjithashtu mund të fillojnë t’i përfshijnë fëmijët nga rreth 9-10 vjeç në procesin e shfletimit të përmbajtjeve të mediave sociale dhe fshirjes së gjërave që nuk janë më të rëndësishme për ta. Në fakt, angazhohuni ta bëni këtë rregullisht pas disa intervaleve të caktuara: shfletoni, shikoni atë që keni ndarë dhe ndoshta fshini informacionet e vjetra.

Mendoj se fëmijët e vlerësojnë këtë përkushtim tonin, madje ata mund të përpiqen që vetë ta kalojnë këtë proces. Kuptohet se nuk është një veprim i lehtë. Fëmijët tanë janë brezi i parë që rriten në epokën, në të cilën ndahen përmbajtjet (me të tjerët). Nga ana tjetër ne jemi gjenerata e parë e prindërve, që i rrisim fëmijët përkrah mediave sociale dhe kjo është gjë e vështirë.

 


Stejsi Steinberg është nënë, profesoreshë e juridikut dhe drejtoreshë e Qendrës për fëmijët dhe familjet në Universitetin e Floridës. Ajo është autore e bestsellerit për prindër “Rritja në epokën e ndarjes (së përmbajtjeve me të tjerët): si mund prindërit të ndajnë (përmbajtje) në mediat sociale me më shumë zgjuarsi dhe çfarë mund të bëjnë për ta mbajtur familjen të sigurt në një botë pa privatësi”.