Pozicionet më të zakonshme të gjidhënies
5 mënyrat e gjidhënies për ta bërë atë të rehatshëm për ju dhe foshnjën tuaj.
- English
- Македонски
- Shqip
Ndonëse, foshnjat lindin me instinktin për ta kërkuar gjirin e nënës së tyre, megjithatë shumë nëna kanë nevojë për ndihmë për ta pozicionuar foshnjën e tyre për gjidhënie dhe për t’u siguruar që foshnja e tyre të jetë i pozicionuar si duhet në gji. Gjidhënia kërkon kohë dhe praktikë si për nënat ashtu edhe për foshnjat!
Që ju dhe foshnja e juaj të përfitoni sa më shumë nga gjidhënia, janë dhënë disa (nga shumë!) pozicionet, që duhet t’i provoni. Mbani mend, gjëja më e rëndësishme është që foshnja e juaj të ngopet mirë me gji. Mund që t’ju duhen disa përpjekje përpara se ta gjeni pozicionin, që funksionon më mirë për të dy.
Nëse keni ndonjë pyetje ose shqetësim në lidhje me gjidhënien, detyrimisht bisedoni me maminë, specialistin për gjidhënie ose ndonjë person tjetër shëndetësor.
Shenjat e pozicionimit të mirë të foshnjës në gji
- Përvoja është e rehatshme dhe pa dhimbje
- Areola (lëkura e errët rreth thithkës) është më shumë e dukshme mbi gojën sesa nën gojën e foshnjës suaj
- Goja e foshnjës suaj është e hapur
- Buza e poshtme e foshnjës është e kthyer nga jashtë
- Mjekra e foshnjës e prekë – ose gati është duke e prekur – gjirin tuaj.
Shenjat e pozicionimit të mirë
- Koka dhe trupi i foshnjës tuaj janë në të njëjtën vijë. Nëse foshnja e ka kokën të kthyer anash ose shtrembët, atëherë nuk do të mund lehtë ta thithë ose gëlltisë qumështin.
- Mbani foshnjën tuaj afër trupit tuaj! Nëse foshnja është shumë larg gjirit, atëherë nuk do të mund të ngjitet mirë për gjiri gjatë gjidhënies.
- Gjithë trupin e foshnjës suaj e mbani me krahun tuaj përgjatë shpinës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të sapolindurit dhe foshnjat e vegjël. Për foshnjat më të rritura, zakonisht mjafton ta mbani në pjesën e sipërme të trupit.
- Foshnjën tuaj e afroni me hundë kah thithka e gjirit, në mënyrë që atë ta vendosni në gji nga pjesa e poshtme e thithkës.
Shenjat e gjidhënies efektive
- Foshnja thith ngadalë dhe thellë, madje ndonjëherë duke bërë pushime.
- Ju mund ta shihni ose dëgjoni fëmijën duke gëlltitur pas një ose dy thithjeve.
- Gjidhënia është e këndshme dhe pa dhimbje.
- Foshnja e ndërpret thithjen, e lëshon gjirin dhe duket i kënaqur dhe i relaksuar.
- Pas gjidhënies, gjinjtë tuaj janë më të buta.
Përfitimet e kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën e foshnjës
- Prekja mes lëkurës suaj dhe lëkurës së foshnjës ju qetëson dhe relakson të dyve.
- Kjo prekje e rregullon temperaturën, pulsin dhe frymëmarrjen e foshnjës.
- E stimulon oreksin dhe tretjen e foshnjës.
- E përmirëson mbrojtjen kundër infeksioneve.
Pozitat gjatë gjidhënies
1. Djepi
Pozicioni më i zakonshëm që sjell një përvojë të këndshme të gjidhënies dhe lidhjes për të dy është ta mbani foshnjën si në djep.
- Uluni diku ku jeni të mbështetur, për ta mbajtur krahun në lartësinë e duhur, si në një kolltuk ose divan. Nëse është e nevojshme, mund ta mbështesni krahun edhe me një jastëk.
- Merrni foshnjën në prehër, duke ia vënë kokën mbi bërrylin e krahut tuaj.
- Gjoksi i tij duhet të jetë i kthyer kah gjiri juaj në mënyrë që të mos ketë nevojë ta kthejë kokën drejt gjirit tuaj. Nëse është e nevojshme, ju mund t’ia mbështesni kokën edhe në jastëk.
2. E kundërta e djepit
Ky pozicion është i mirë kur mësoheni të jepni gji, madje është një mundësi e shkëlqyer për foshnjat e vogla. Pozicioni ju jep kontroll mbi kokën e foshnjës, derisa e ndihmoni atë të lidhet me gjirin tuaj.
Ky pozicion është i njëjtë me pozicionin e djepit, vetëm se në anë të kundërt. Vendoseni foshnjën në drejtim të kundërt në mënyrë që kokën do t’ia mbani me dorën tuaj, në vend që t’ia vendosni mbi bërrylin tuaj.
3. Nën sqetull ose si top futbolli
Ju duhet ta provoni këtë pozicion nëse gjiri juaj është i ënjtur ose nëse keni dhimbje në thithkat tuaja. Në këtë mënyrë, ju mund të parandaloni bllokimin e kanaleve të qumështit, pasi që foshnja do t’ua zbrazë kanalet e poshtme të gjirit – gjë që është e dobishme për të dy!
- Foshnjën e mbani anash, si një top futbolli, ashtu që trupi i foshnjës është i shtrirë përgjatë krahut tuaj, ndërsa fytyrën e ka të kthyer drejt gjirit.
- Vendosni këmbët e foshnjës nën krahun tuaj.
- Mbajeni gjirin me dorën tjetër.
Ky pozicion është i dobishëm edhe nëse keni pasur prerje cezariane, kështu që nuk keni nevojë ta mbani foshnjën në bark gjatë gjidhënies.
4. Pozicioni i shtrirë anësor
Nëse ju dhe foshnja juaj jeni më të rehatshëm po që se jeni të shtrirë derisa i jepni gji, atëherë është shumë më mirë ta provoni këtë pozicion.
- Shtrihuni anash dhe shtrijeni foshnjën anash, përballë jush, me kokën pranë gjirit tuaj.
Mbështetni shpinën me jastëkë dhe sigurohuni që foshnja të merr frymë lirisht përmes hundës.
5. Pozicion i shtrirë
Nëse foshnja juaj e ka vështirë të lidhet për gjirin tuaj ose është i shqetësuar dhe qanë, atëherë duhet ta provoni këtë pozicion qetësues. Pozicioni nganjëherë quhet "mbështetje biologjike"
- Mbështetuni në një jastëk dhe përkuleni prapa që foshnja të jetë plotësisht i shtrirë në trupin tuaj, edhe pse ju jeni vetëm të anuar, por jo plotësisht e shtrirë.
- Vendoseni fëmijën në gjoks. Për të bërë kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën e tij, shtrijeni foshnjën lakuriq në gjirin tuaj të zhveshur dhe shijoni afërsinë e foshnjës suaj.
Ju duhet ta vlerësoni këtë kohë të veçantë të gjidhënies dhe lidhjes me foshnjën tuaj. Mos harroni, ju nevojitet kohë për ta përvetësuar gjidhënien! Kini durim me veten dhe gjithnjë kur ju nevojitet, kërkoni ndihmë nga mjeku juaj.