Ligji i ri mbi drejtësinë për fëmijët premton t’i avancojë më tej të drejtat e fëmijëve për drejtësi dhe mbrojtje

25 Mars 2024
Children playing in a football field
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2019

Shkup, 25 mars 2024: UNICEF-i e përgëzon vendin për miratimin e Ligjit të ri mbi drejtësinë për fëmijët, zyrtarisht i publikuar në Gazetën Zyrtare. Ligji, i cili u miratua nga Parlamenti pa asnjë kundërshtim, e thekson angazhimin ndërpartiak për të siguruar që çdo fëmijë që është në rrezik, në kontakt apo në konflikt me ligjin në vend, të ketë qasje të barabartë në një sistem drejtësie, i cili është i drejtë dhe në të cilin as nuk shkelen e as nuk mohohen të drejtat e fëmijës.

Përmirësimet kryesore të ofruara me këtë ligj synojnë ta mbështesin parimin e interesit më të mirë të fëmijës në të gjitha vendimet që ndërlidhen me fëmijët të cilët bien në kontakt me sistemin e drejtësisë. Për më tepër, ligji përfshin një qasje të drejtësisë restauruese, duke e theksuar të drejtën e fëmijës për t’u dëgjuar dhe duke synuar rehabilitimin dhe riintegrimin si rezultate të dëshiruara.

Ky hap progresiv e pasqyron përkushtimin e vendit për t’i mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve të tij më të rinj. Ai gjithashtu e shpalos një ndryshim të paradigmës, e cila vërteton se para së gjithash fëmijët janë fëmijë. Qoftë nëpërmjet ekspozimit ndaj përvojave të pafavorshme të fëmijërisë në shtëpi ose nëpërmjet ndërveprimit me sistemin e drejtësisë, trauma mund të ketë ndikim të thellë dhe afatgjatë në aftësinë e fëmijëve për të menduar, ndjerë dhe sjellë.

Ligji i ri është një moment historik i madh dhe do të kërkojë angazhim të plotë nga institucionet dhe profesionistët për ta siguruar zbatimin e tij efektiv në praktikë. Për ta formësuar më tej këtë proces, si pjesë e veprimit të financuar nga BE dhe të bashkëfinancuar nga UNICEF-i, është realizuar një analizë e cila ofron rekomandime për ta garantuar përshtatshmërinë, efikasitetin, efektivitetin dhe barazinë e buxhetit të qeverisë mbi drejtësinë për fëmijët.

Këto zhvillime të reja janë hapa premtues për të siguruar që sistemi i drejtësisë për fëmijët të bëhet më miqësor ndaj fëmijëve, më i ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore dhe i pajisur me burimet e nevojshme dhe bashkëpunimin ndërsektorial, duke përfshirë sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.