Maqedonia e Veriut fillon me planet për vënien në zbatim të Garancisë Evropiane për Fëmijët

Fjalimi hyrës i përfaqësueses së UNICEF-it, Patrizia Di Xhovani në evenimentin, në të cilin u diskutua zbatimi i Garancisë Evropiane për Fëmijët në Maqedoninë e Veriut

01 Shkurt 2024

SHKUP, 29 janar 2024 - “Do të dëshiroja të filloja me shpalosjen e disa të dhënave dhe informacioneve, të cilat e bëjnë të qartë arsyen se pse na duhet një mekanizëm siç është Garancia Evropiane për Fëmijët.

Një studim i UNICEF-it bëri me dije se 12 për qind e fëmijëve të moshës nga 5 deri në 17 vjeç, gjegjësisht 9 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç në Maqedoninë e Veriut përjetojnë varfëri shumëdimensionale. Studimi shumëdimensional i varfërisë së fëmijëve ishte i pari në Ballkanin Perëndimor, që ka përdorë një qasje metodologjike më të vlerësuar globalisht në këtë fushë. Privimet në arsim, në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në shëndetin dhe ushqimin e fëmijëve, sigurinë, dashurinë dhe kujdesin ndaj tyre janë ndër pesë kontribuuesit kryesorë në varfërinë e fëmijëve, duke sinjalizuar fushat në të cilat është më i nevojshëm përmirësimi i shpërndarjes së financave publike dhe ofrimit të shërbimeve.

Fëmijët romë janë dukshëm më të cenueshëm – të paktën një në tre fëmijë romë përjetojnë varfëri shumëdimensionale, krahasuar me një në nëntë fëmijë në popullatën e përgjithshme. Përderisa po e zhvillonim profilin e fëmijëve më të rrezikuar, njëkohësisht i identifikuam bashkësitë më të cenueshme për nga shtrirja gjeografike, për sa i përket varfërisë shumëdimensionale të fëmijëve. Dy rajone, ai lindor dhe ai juglindor, kanë prevalencën më të lartë të varfërisë shumëdimensionale, ndonëse rajoni i Pollogut dhe i Shkupit njashtu shfaqin cenueshmëri të lartë.

Fëmijët, të cilët përballen me varfërinë dhe/ose përjashtimin përballen me pengesa më të mëdha për qasje në shërbime dhe pranim të mbështetjes, për të cilën ata kanë nevojë, pasi që sistemet nuk janë të orientuara për t’u shërbyer këtyre fëmijëve - për t’i identifikuar në mënyrë sistematike ata dhe nevojat e tyre, për t’i kontaktuar ata, respektivisht për t’i lidhur ata me shërbimet kryesore dhe për ta ndjekur rrugëtimin e tyre në kuadër të sistemit. Këta fëmijë nuk arrijnë ta përmbushin potencialin e tyre të plotë.

Qasja në kujdesin shëndetësor është sfiduese pasi më shumë se 21,000 fëmijë në vend nuk kanë sigurim shëndetësor, madje edhe fëmijët e siguruar nga familjet me të ardhura të ulëta nuk janë të liruar nga participimi për barnat ambulatore dhe produktet mjekësore. Për këtë arsye nevojitet rritje shumë më e madhe e efektivitetit të programeve të kujdesit shëndetësor të nënës dhe fëmijës, si dhe i vaksinimeve në fëmijëri.

Përderisa në Maqedoninë e Veriut qasja në arsimin fillor është pa pagesë, autoritetet ende nuk e kanë siguruar një shujtë shkollore falas për të gjithë nxënësit, pavarësisht angazhimit për ta rritur kohën që fëmijët e kalojnë çdo ditë në aktivitete shkollore. Përveç kësaj, shpenzimet e aktiviteteve jashtëshkollore mbulohen vetëm pjesërisht nga komunat, duke i lënë fëmijët nga familjet më të varfra të pazotë, në mënyrë që të angazhohen plotësisht në aktivitete jashtëshkollore, duke përfshirë aktivitetet, që kanë të bëjnë me mësimin eksperimental, artin dhe sportet.  

Vëzhgimet përmbyllëse të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) për Maqedoninë e Veriut, të publikuara në vitin 2022, rekomanduan që autoritetet duhet të vazhdojnë t’i forcojnë shërbimet themelore sociale në nivel lokal dhe t’i japin përparësi ofrimit të shërbimeve sociale sipas nevojave të fëmijëve në rrethana të cenueshme, në veçanti fëmijët romë, fëmijët refugjatë dhe azilkërkues dhe fëmijët nga familjet që përballen me varfëri, paaftësi, përjashtim social dhe stigmatizim.

Raporti i BE-së për vendin vë në dukje se nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta bërë sistemin e mbrojtjes sociale më të ndjeshëm ndaj fëmijëve, bazuar në modelin e ofrimit të shërbimit duke pasur fëmijën në epiqendër, gjegjësisht duke përfshirë forcimin e zhvillimit profesional dhe mbikëqyrjes në ofrimin e shërbimeve cilësore të mbrojtjes së fëmijëve. Njëkohësisht, KDF-ja bën thirrje për t’iu dhënë përparësi reformave të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, duke përfshirë zëvendësimin e shtëpive të grupeve të vogla në favor të vendosjes në familje, si dhe duke e forcuar më tej sistemin e kujdestarisë. Në këtë drejtim ende ngelin joefikase masat për çrrënjosjen e martesave të fëmijëve dhe ndërgjegjësimin për ndikimet negative të praktikave të tilla të dëmshme tradicionale ndaj fëmijët, veçanërisht tek popullata rome. 

Sfidat e lartpërmendura kërkojnë një qasje sistematike për të siguruar që fëmijët në nevojë të kenë qasje efektive në shërbimet themelore sociale, ata më të pafavorizuar të marrin shërbime universale, të synuara ose të specializuara, madje këto shërbime të jenë të përshtatshme dhe të pranueshme për fëmijët dhe kujdestarët e tyre dhe të ofrohen në mënyrë jostigmatizuese dhe jodiskriminuese.

Garancia Evropiane për Fëmijët është një veprim qenësor i BE-së për ta luftuar varfërinë, për t’i promovuar shoqëritë gjithëpërfshirëse dhe miqësore për fëmijët, për  ta promovuar shëndetin, mbrojtjen dhe sistemet arsimore.

Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore dhe Komisioni Evropian zhvillon partneritet të vazhdueshëm për pilotimin e Garancisë Evropiane të Fëmijëve në shtatë vende anëtare: Bullgari, Kroaci, Gjermani, Greqi, Itali, Lituani dhe Spanjë.

Ne ju inkurajojmë t’i përdorni njohuritë dhe përvojën e krijuar nga ky partneritet për ta mbështetur përfshirjen e Garancisë Evropiane për Fëmijët në Maqedoninë e Veriut. Ndonëse kjo mund të duket si një detyrë ambicioze, më duhet të them se mes tjerash ky vend ka përparësi në këtë rrugëtim drejt reformave të tilla, pasi ju e bartni trashëgiminë e një sistemi, i cili kishte shenja dalluese të një shteti të mirëqenies, duke ofruar falas një spektër të jashtëzakonshëm universal të shërbimeve themelore sociale.

UNICEF është duke punuar me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), si dhe me ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë për ta garantuar mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve dhe sigurimin e qasjes sistematike në shërbimet bazë për fëmijët në nevojë përmes zbatimit të  Garancisë Evropiane për Fëmijët.

“Jemi me fat në këtë vend, që kemi trashëgiminë e një sistemi që kishte shenjat dalluese të një shteti social, i cili ofronte një gamë të jashtëzakonshme shërbimesh sociale bazë universale dhe pa pagesë. Në këtë drejtim UNICEF po e mbështet grupin e punës ndërsektorial që po e përgatit Planin nacional të veprimit për të drejtat e fëmijëve, për të zhvilluar masa për zbatimin e Garancisë.  

“Zbatimi i Garancisë për Fëmijët në Maqedoninë e Veriut do të vendosë ndërhyrje universale dhe të synuara statutore dhe të bazuara në komunitet për të ofruar mbrojtje sociale, arsim dhe kujdes shëndetësor për fëmijët më të cenueshëm, duke përfshirë fëmijët në rrugë, fëmijët e detyruar në martesa të hershme, fëmijët e prekur nga migrimi në varësi të kontekstit specifik të fëmijës dhe familjes.

“Po ashtu Zbatimi i Garancisë do t’i ndihmojë autoritetet nacionale dhe vendore për ta forcuar menaxhimin e financave publike në lidhje me planifikimin më të mirë, buxhetimin dhe ekzekutimin e buxhetit në lidhje me shërbimet themelore sociale për fëmijët e cenueshëm në sferën e mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes social, kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Kjo do të sigurojë që gradualisht, çdo fëmijë, të ketë qasje në arsim cilësor, kujdes shëndetësor, mirëqenie dhe mbrojtje. Në këtë mënyrë secili fëmijë do të mund ta përmbush potencialin e tij të plotë.

Më shumë informacion mbi Garancinë Evropiane për Fëmijët:

Varfëria dhe përjashtimi social kanë ndikim të madh në jetën e fëmijëve, duke i penguar ata nga qasja në shërbimet bazë si kujdesi shëndetësor, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe strehimi cilësor. Fëmijët që përballen me varfërinë dhe/ose përjashtimin përballen me pengesa më të mëdha të qasjes në shërbime, pasi sistemet nuk janë të orientuara për t’u shërbyer këtyre fëmijëve - duke i identifikuar në mënyrë sistematike ata dhe nevojat e tyre, duke pasur qasje te ata, duke i lidhur me shërbimet bazë dhe duke i monitoruar përgjatë gjithë sistemit.

Garancia Evropiane për Fëmijët është mekanizëm i BE-së për ta parandaluar përjashtimin social të fëmijëve në nevojë, duke garantuar qasje në një sërë shërbimesh themelore sociale. Garancia e fëmijëve synon të sigurojë që fëmijët në nevojë të kenë qasje në shërbime cilësore, për t’i përcaktuar pakot minimale të shërbimeve për secilin grup të fëmijëve më të cenueshëm. Garancia, e cila tashmë është zbatuar në disa vende në Evropë, prezanton qasje novatore për buxhetimin nacional, planifikimin dhe zhvillimin e planeve nacionale të veprimit për ta reduktuar varfërinë e fëmijëve dhe për t’i trajtuar disavantazhet sistematike për fëmijët, të cilët janë veçanërisht të cenueshëm. Garancia në fjalë synon të sigurojë qasje efektive në shërbimet themelore sociale për fëmijët në nevojë në mënyrë jostigmatizuese dhe jodiskriminuese, si dhe në shërbimet e synuara dhe të specializuara, të përshtatshme dhe të pranueshme për fëmijët dhe kujdestarët e tyre.  

Shkarkoni një kopje të prezantimit: Përvojat e vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore në zbatimin e Garancisë për Fëmijët, Stella Grigoras, specialiste për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF ECARO 

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.