Fondet fillestare iu ndanë të rinjve për zbatimin e ideve të tyre dhe për t’i bërë realitet zgjidhjet tyre për tokën
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 23 mars 2023: Në punëtorinë e të menduarit projektues, 5 (pesë) ekipeve të të rinjve të moshës 13-19-vjeçarë iu ndanë nga 120.000 denarë për ta realizuar zgjidhjen e tyre inovative mbi përmirësimin dhe mbrojtjen e burimeve të tokës në komunitetet e tyre dhe përshtatjen me efektet e ndryshimeve klimatike.
Inovatorët u përzgjodhën si pjesë e programit UPSHIFT të mbështetur nga UNICEF, ku 10 ekipe të përbëra nga 50 nxënës të shkollave të mesme nga Shkupi, Tetova, Koçani, Shtipi, Dellçeva, Manastiri dhe komuna e Dollnenit morën pjesë në punëtorinë treditore të të menduarit projektues. Nën drejtimin e mentorëve dhe profesorëve të tyre, të gjitha ekipet patën mundësi t’i zhvillojnë idetë e tyre dhe të fitojnë aftësi të reja praktike.
Pesë ciklet e fundit të programit UPSHIFT u fokusuan në zgjidhjet e sfidave mjedisore të udhëhequra nga të rinjtë, ku mbi 250 të rinj morën pjesë në këto cikle tematike UPSHIFT, të zbatuara me mbështetjen e Suedisë dhe në partneritet me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.
Edhe këtë herë, të rinjtë ofruan shembull se si duhet të përballemi me sfidat komplekse mjedisore. Zgjidhjet largpamëse flasin shumë për gatishmërinë e tyre për të udhëhequr me ndryshimet e vërteta dhe konkrete në komunitetet e tyre. Suedia i mbështet plotësisht të rinjtë dhe i vlerëson përpjekjet që ata bëjnë për të punuar së bashku për një të ardhme më të qëndrueshme”, deklaroi ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ami Larson Jaim.
“Përgjigja e fëmijëve dhe të rinjve ndaj këtij cikli UPSHIFT e demonstron sërish aftësinë e tyre për të gjeneruar ide novatore, kur u jepet hapësirë për ta shprehur veten e tyre dhe për të marrë pjesë. Unë i përgëzoj këta të rinj për angazhimin dhe idetë e tyre të shkëlqyera dhe shpresoj se ata mund t’i frymëzojnë të tjerët dhe të katalizojnë ndryshime pozitive në lidhje me mjedisin dhe veprimet klimatike”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.
“Urime ekipeve fituese, të cilat me projektet e tyre kërkimore dëshmuan se përmes mendimit kreativ, përpjekjeve dhe punës së palodhshme mund të dalin me zgjidhje inovative nga të cilat do të përfitojë e gjithë shoqëria. Me ciklin e katërt të programit UPSHIFT, pamë se të rinjtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e tokës së kultivuar cilësore, e cila është e një rëndësie vendimtare për ruajtjen e mjedisit, por edhe për njerëzit në drejtim të prodhimit cilësor të ushqimit. Nëpërmjet mbështetjes së projekteve dhe programeve të destinuara për të rinjtë, FITR e forcon angazhimin e tij të qartë për të qenë gjithmonë në krah të të rinjve, duke mbështetur idetë e tyre inovative, potencialin krijues dhe kulturën sipërmarrëse”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillimi Teknologjik.
Pesë ekipet kryesore, të cilave iu ndanë fonde fillestare për zbatimin e ideve të tyre janë:
- Ekipi nga shkolla profesionale “Pançe Arsovski” Shkup për idenë e tyre mbi krijimin e serrës së lëvizshme. Sera në fjalë do të ketë aftësi për ta matur përmbajtjen e ujit të tokës, lagështinë e serrës dhe temperaturën e serrës.
- Ekipi i shkollës profesionale “Braqa Miladinovci” nga Shkupi do të prodhojë biohumus përmes rritjes së krimbave kalifornian dhe përdorimit të plehut organik dhe mbeturinave bimore. Biohumusi do të përdoret për të rritur kultura të ndryshme, të cilat e pastrojnë tokën.
- Ekipi i shkollës profesionale “Metodi Mitevski Brico” nga Dellçeva do ta ndërtojë një makinë automatike për pastrimin e tokës përmes trajtimit termik, duke i shkatërruar metalet e dëmshme.
- Shkolla e mesme “Gjosho Vikentiev” nga Koçani do të bëjë pajisje portative me sensorë për zbulimin e metaleve në ujërat e zeza, që e ndotin tokën. Pajisjet do të vendosen në 3 lokacione në Koçan dhe do të lidhen me një aplikacion celular të zhvilluar nga nxënësit.
- Shkolla e mesme “Kuzman Shapkarev” nga Manastiri do ta ndërtojë një kopsht organik për kultivimin e erëzave dhe bimëve mjekësore. Bimët do të përdoren më pas për të prodhuar çajra.
Gjatë tre muajve të ardhshëm ekipet do të mbështeten nga mentorët, me qëllim të zbatimit të ideve të tyre.
UPSHIFT është iniciativë e mbështetur nga UNICEF-i, e cila i kombinon punëtoritë e inovacionit shoqëror, me mentorim, materiale dhe financim fillestar. Kjo inciativë synon ta nxisë të menduarit inovativ dhe krijues te të rinjtë, me qëllim që t’i kuptojë sfidat me të cilat përballen dhe t’i ndihmojë ata të hartojnë zgjidhje inovative në formën e një produkti ose shërbimi. UPSHIFT bazohet në metodologjinë e “projektimit të përqendruar tek njeriu”, e cila është e transferueshme dhe si e tillë i ndihmon profesorët dhe nxënësit që të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse, si: menaxhimi i projektit, të menduarit kritik, puna në grup dhe komunikimi i suksesshëm.
Programi në fjalë financohet nga Suedia, ndërsa zbatohet nga UNICEF-i dhe shoqata LEAD në partneritet me Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, si dhe me mbështetetje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.