Aplikacioni digjital Sibordi i jep zë secilit fëmijë
UNICEF është duke e nisur versionin e lokalizuara të aplikacionit digjital Sibord për t’ua lehtësuar komunikimin fëmijëve me vështirësi në komunikim
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 12.05.2022: UNICEF-i së bashku me partnerët e filluan versionin e lokalizuara të Sibord (Cboard), një aplikacion digjital falas i zhvilluar për t’i mbështetur fëmijët që përballen me vështirësi në komunikim, që kanë dëmtime të të folurit dhe gjuhës, me çka do të mund t’i komunikojnë dhe shprehin nevojat, ndjenjat dhe mendimet e tyre.
“Fëmijët të cilët përjetojnë sfida të tilla mund të kenë vështirësi për t’u kuptuar nga të tjerët, gjë që mund t’i pengojë ndërveprimet e tyre të përditshme, zhvillimin, edukimin dhe përfshirjen sociale. Me Sibord, fëmijët mund të fitojnë një zë, një mundësi për të folur, mësuar dhe shprehur si dhe një shans për të demonstruar se çfarë mund të bëjnë, “tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it.
“Kam kënaqësinë të veçantë, që jam sot këtu për ta prezantuar këtë mjet digjital, i cili do të jetë i një rëndësie të madhe mbi promovimin e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara që në moshë të hershme”, tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale. “Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të vazhdojë me përkushtimin e saj në avancimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve për t'u mundësuar të gjithë fëmijëve, pavarësisht aftësive, mjedisit, gjuhës, arsimit dhe prejardhjes prindërore, të marrin mbështetje të gjithanshme në zhvillimin e plotë të potencialit të tyre.”
Teknologjitë ndihmëse, të krijuara për komunikim alternativ dhe përforcues, mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për të kuptuar dhe shprehur fjalë dhe koncepte, duke hapur mundësi për t’i përmirësuar rezultatet e zhvillimit dhe të nxënit, duke e promovuar përfshirjen dhe pjesëmarrjen në arsim dhe në komunitet.
Sibord është një zgjidhje e tillë ndihmëse teknologjike për komunikim alternativ dhe përforcues. Ai është aplikacion falas dhe me burim të hapur, i zhvilluar me mbështetjen e Fondit për Inovacion të UNICEF-it. Sibord mund të përdoret në internet ose përmes celularit ose tableti android, për t’i mbështetur fëmijët dhe të rriturit, që përballen me një gamë të gjerë dëmtimesh në të folur dhe dëmtimeve tjera gjuhësore, dhe për ta lehtësuar komunikimin e tyre duke përdorur simbole, figura dhe funksione të konvertimit të tekstit në të folurit.
Pas pilotimit të suksesshëm të Sibord në tre vende të rajonit – Kroaci, Mal të Zi dhe Serbi – UNICEF-i bashkëpunoi me organizatën “Hapni dritaret” dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë Informatike (FIETI) në Shkup, për ta lokalizuar Sibordin në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe, dhe e zhvilloi një zë natyral femëror në maqedonisht (Suze), që e konverton tekstin në audio version.
Ky proces u ndërtua mbi përvojat e UNICEF-it në rajonin e gjerë, mbi ekspertizën e ekipit të profesorëve nga Universiteti i Zagrebit, por gjithashtu i plotësoi përpjekjet e UNDP-së, që e kishte zhvilluar “Kiko dhe Hana: - zërat e parë natyrorë për sintezën e të folurit në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe.
“Ishte nderi i madh për ne të jemi pjesë e kësaj nisme. Së bashku me studentët tanë, ne jemi të shumë të ngazëllyer që kemi pasur mundësi të kontribuojmë me njohuritë tona dhe të punojmë në një sistem, i cili do ta përmirësojë jetën e njerëzve në nevojë. Grupi i të folurit këtu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë Informatike (FIETI), UKIM, ka një traditë dhe ekspertizë të pasur në teknologjinë e të folurit, veçanërisht në sintezën dhe njohjen e të folurit. Ne gjithashtu e kultivojmë një bashkëpunim të frytshëm me “Hapni dritaret” që i ka ndihmuar studentët tanë të punojnë në shumë projekte të teknologjisë ndihmëse. Përmes këtij bashkëpunimi studentët tanë e krijuan “Govorko” –një aplikacion për telefon të mençur (smartphone) për AAC, gjë që solli në pjesëmarrjen tonë në lokalizimin e Sibordit dhe krijimin e zërit të ri TTS Suze”, tha prof. dr. Branisllav Gerazov nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë Informatike (FIETI).
Sibord është vegël komunikimi, që mund të përdoret në shumë mjedise, duke filluar nga familja e fëmijës dhe kopshti parashkollor, qendrat e ndërhyrjes së hershme, shkollat, qendrat burimore dhe shërbimet e terapisë së të folurit, madje kryesisht mund të ndihmojë në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë dhe përfshirjen e hershme të fëmijëve me aftësi të kufizuara, që nga mosha e edukimit parashkollore e më tej.
“Ne punojmë prej 17 vitesh për ta bërë teknologjinë ndihmëse të qasshme për çdo fëmijë dhe çdo person me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë. Mjetet që ne po i nisim sot janë baza e alternativës digjitale dhe komunikimit shtues, që mes tjerash do të ofrojë mundësi për qindra fëmijë dhe të rritur me dëmtim të të folurit, që të mund t’i shprehin nevojat e tyre të komunikimit”, tha Kristijan Lazarev, koordinator i projektit nga OShC “Hapni dritaret”.
Deri më tani, mbi 170 profesionistë duke përfshirë ekipe gjithëpërfshirëse nga dhjetë kopshte, edukatorë të enteve parashkollore, terapistë të të folurit dhe gjuhës, psikologë, anëtarë të Komiteteve të Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionaliteteve dhe edukatorë specialë janë trajnuar se si ta zbatojnë komunikimin alternativ dhe përforcues, duke përfshirë Sibordin, në punën me fëmijët që përballen me vështirësi komunikimi, dëmtime të të folurit dhe gjuhës. Profesionistët që e testuan aplikacionin në fazën pilot, raportuan se fëmijët iu përgjigjën veçanërisht mirë funksionalitetit të tekstit të konvertuar në audio, se ata e kishin përmirësuar fjalorin e tyre dhe ishin në gjendje të fillonin t’i shprehnin nevojat e tyre.
Sibord është i disponueshëm në mbi 30 gjuhë dhe ka qasje në bazën globale të të dhënave të mbi 20,000 simboleve, e cila tani përfshin grupe simbolesh të fjalorit bazë për maqedonisht dhe shqip. Gjithashtu kompletet e simboleve mund të eksportohen nga Sibord dhe të printohen, në mënyrë që të mbështetet puna e komunikimit me fëmijët, duke përdorur burime të shtypura në letër.
Aplikacioni mund të shkarkohet falas nga Google Play në telefonat Android ose mund të ketë qasje të drejtpërdrejt në www.cboard.io.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.