Rrugëtimi i Besës: Nga Izolimi në Frymëzim për Komunitetin
Lexoni historinë e Besës, një vajze të re nga Gjirokastra
- English
- Shqip
Besa* 20-vjeçare nga Gjirokastra është duke punuar t’u bërë një shkrimtare. Ajo vuan nga Paraliza Supranukleare Progresive, e cila është një gjendje e rrallë neurodegjenerative që ndikon në aftësinë për të lëvizur, folur dhe për të parë. Më parë, Besa përballej me ditë të gjata heshtjeje dhe izolimi shoqëror. Gjendja e saj e bënte të vështirë pjesëmarrjen komunitet, duke mos lejuar krijimtarinë dhe idetë e saj të dilnin prej katër mureve të shtëpisë.
Gjendja ndryshoi kur punonjësit e Qendrës Sociale Komunitare Zinxhira filluan të punonin me të. Kjo qendër, e mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit BE për Kujdesin Social, i ofroi ndihmë të rëndësishme: fizioterapi në shtëpi, këshillim psikologjik, dhe një hapësirë për të rizbuluar zërin e saj.
Përmes këtyre seancave të vazhdueshme, Besa mësoi jo vetëm të përballonte sfidat emocionale, por edhe të përqafonte dhuntinë e saj të të rrëfyerit. Çka nisi si një ushtrim për të nxitur shprehjen e ndjenjave përmes shkrimit, shpejt u shndërrua në diçka më të madhe, librin e saj të parë. Përfundimi i bocës së parë i dha një ndjesi të thellë përmbushjeje dhe besim të rilindur për të ardhmen.
Nëna e saj dhe njëkohësisht mbështetësja e saj më e afërt, e kujton me krenari atë çast: “Kur e përfundoi versionin e parë, pashë një dritë në sytë e saj e cila mungonte prej vitesh. Ajo ishte kaq krenare për veten. Edhe une jam krenare për të.”
Fizioterapia po e ndihmon Besën të ruajë funksionet motorike dhe rehatinë fizike, ndërsa këshillimi e ka ndihmuar të flasë hapur për nevojat dhe shpresat e saj. Tani ajo merr pjesë në diskutime rreth kujdesit për veten, duke treguar autonomi dhe vendosmëri më të madhe. Me vetëbesimin në rritje, Saniqeja ka frymëzuar idenë e organizimit të veprimtarive rinore në qendrën sociale, për të fuqizuar të tjerë si ajo dhe për t'i mbështetur ata në krijimin e miqësive dhe ndjenjës së përkatësisë.
Rrugëtimi i Besës sapo ka nisur, dhe partneritetet e fuqishme janë ato të cilat do mundësojnë vijimin e këtij rrugëtimi. Me financimin e Bashkimit Evropian dhe angazhimin e përbashkët të UNICEF dhe World Vision Shqipëri, të rinjtë dhe të rejat me aftësi të kufizuara marrin më shumë sesa thjesht kujdes, atyre iu ofrohet mundësia për të ëndërruar, krijuar dhe shkëputur nga izolimi. Puna e rëndësishme e Bashkisë Gjirokastër në bashkëpunim me IRCA-në është një dëshmi që tregon çfarë mund të arrihet përmes përpjekjeve të përbashkëta për shërbimet e kujdesit shoqëror në Shqipëri.
Për Besën, kapitujt e radhës janë ende duke u shkruar. Përtej terapive, ajo mezi pret të ndajë shkrimet e saj publikisht e t’iu bashkohet veprimtarive të reja shoqërore. Për shoqërinë, kjo histori është një kujtesë se çdo i ri/e re, pavarësisht aftësive, ka diçka me vlerë për të kontribuuar.
“Ky është vetëm fillimi i historisë sime” thotë Besa me vendosmëri.
"BE për Kujdesin Social" financohet nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga UNICEF Albania dhe World Vision Albania, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
*Emri i përfitueses është ndryshuar/përshtatur për të mbrojtur privatësinë saj.