Çfarë bëjmë ne
UNICEF është zëri kryesor i promovimit dhe i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Shqipëri

- Gjendet në:
- English
- Shqip
UNICEF Shqipëri mbështet reformat e qeverisë, nismat e shoqërisë civile dhe studimet që i ndihmojnë të gjithë fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore. Teksa Shqipëria po synon integrimin në Bashkimin Evropian, ne duam të garantojmë që asnjë fëmijë të mos mbetet pas, dhe se zhvillimi mbështetet në parimin e drejtësisë. Në punën tonë ne e ndihmojmë qeverinë dhe partnerët tanë që të përqendrohen te fëmijët e grupeve më të cenueshme dhe më të margjinalizuara.
Shqipëria është Shtet Palë i Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe Protokolleve të saj Opsionale. UNICEF-i e ndihmon qeverinë dhe partnerët e zhvillimit që t’i kuptojnë detyrimet që rrjedhin nga ratifikimi i këtyre traktateve dhe t’i përkthejnë ato në legjislacion, politika dhe programe kombëtare. Ne punojmë që t’i bëjmë ligjet funksionale për fëmijët.
Normat dhe vlerat shoqërore përcaktojnë nëse të gjithë fëmijët arrijnë të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë, dhe nëse mbrohen e mbështeten në mënyrën e duhur. UNICEF-i angazhohet në dialog politikash, ndarjen e njohurive dhe në fushatat publike, si dhe ofron ndihmë teknike për të ndikuar në ndryshimin pozitiv shoqëror.
Synimi ynë është që interesi më i lartë i fëmijës të shihet gjithnjë me prioritet në të gjitha vendimet që prekin politikat shoqërore, dhe që fëmijëve më të dobët dhe më të cenueshëm t’iu kushtohet vëmendje e veçantë.
Ne promovojmë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtë, përfshirjen sociale në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE.