Mbështetja e BE-së promovon idetë inovatore të të rinjve
Lexoni këtë histori fuqizimi nga Pogradeci
- English
- Shqip
Kledja, një ndër fitueset e BiblioTech Challenge për grupmoshën 10-12 vjeç, me idenë e saj për të krijuar një aplikacion gjithëpërfshirës, i cili do të shërbejë për të nxitur leximin dhe edukimin tek fëmijët me aftësi të kufizuara, përmes audiolibrave dhe materialeve të ndryshme, sjell përvojën e saj gjatë kampit veror që u zhvillua në Pogradec. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Breaking Barriers: Një Qendër Multifunksionale që Promovon Përfshirjen dhe Zhvillimin e Aftësive”, të zbatuar nga Bashkia Pogradec dhe Organizata Shqiptare për Zhvillim të Qendrueshëm (ASDO), në kuadër të programit BE për Kujdesin Social.
Kampi mblodhi mbi 30 fëmijw nga shtresa tw ndryshme shoqwrore, të cilët punuan bashkarisht për një periudhë 5-ditore për të zhvilluar idetë e tyre novatore në përgjigje ndaj sfidave që has shoqëria rreth tyre. Gjatë këtyre ditëve ata ndoqën leksione të hapura mbi punën në grup, qendrueshmërinë, mbarëvajtjen e një projekti dhe aftësitë udhëheqëse, ndërkohë që punuan për të konkretizuar idetë e tyre e për t’ua prezantuar pjesëmarrësve të tjerë.
Kledja u dallua, jo vetëm për përkushtimin ndaj idesë së grupit të saj, por edhe për përkushtimin e përditshëm për të udhëtuar çdo ditë drejt mjediseve të kampit, të cilat ishin mjaft larg shtëpisë së saj, si dhe bashkëpunimin e treguar me anëtaret e grupit dhe lidershipin për t’i udhëzuar kur ata ishin në vështirësi.
Përkushtimi i saj dhe ideja që nxit mirëkuptimin për sfidat që hasin fëmijët me aftësi të kufizuara u vlerësuan duke i dhënë grupit të Kledjas çmimin e parë për grupmoshën 10-12 vjeç.
Mund të na tregosh pak për veten para se të vije në qendër?
Unë jam Kledja, jam 12 vjeç dhe vij nga shkolla “Tafil Rexhepi” në Pirg të Pogradecit. Më parë nuk kam marrë pjesë në aktivitete të organizuara jashtë ambienteve të shkollës pasi në përgjithësi fshati është i varfër në veprimtari për brezin e ri. Gjithmonë kam pasur dëshirë të dal edhe jashtë mjedisit shkollor dhe të zgjeroj njohuritë e mia përtej dijeve bazike. Më ka pëlqyer gjithmonë të marr pjesë në konkurse dhe aktivitete të ndryshme.
Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat po përballeshit?
Një nga sfidat më të mëdha ishte mungesa e aktiviteteve të këtij lloji në zonën time. Gjithashtu doja të përmirësoja të folurin në publik, punën në grup dhe aftësinë për të përgatitur prezantime. Kisha dëshirë të dilja përtej strukturës tradicionale të mësimit në shkollë dhe të provoja veten në diçka të re. Në BiblioTech arrita të zhvilloja më tej një nga sfidat që ndeshin shpesh fëmijët me aftësi të kufizuara, që lidhet me leximin e librave, si edhe të nxisja dashurinë për librin tek fëmijët e tjerë.
Si e morët vesh për qendrën dhe si vendosët të përfshiheni?
Familjarët e mi panë një postim në rrjetet sociale për konkursin BiblioTech. Lexuam kushtet e pranimit dhe, duke qenë se kisha edhe një ide paraprake, vendosa të aplikoj menjëherë.
Çfarë përjetimesh patët në fillim?
Në fillim isha shumë e emocionuar sepse ishte një përvojë e re për mua. Dita e parë solli përzierje emocionesh, kënaqësi për të marrë pjesë në një aktivitet kaq interesant, por edhe merak për faktin që do takoja shumë njerëz të rinj, të cilët nuk i njihja më pare. Të gjitha këto mendime u shuan falë punës së udhëheqësve, të cilët u siguruan që çdo gjë të kalonte bukur e me lehtësi.
Ç’ndryshime keni vënë re?
Qendra më ka ndihmuar të zhvilloj shumë aftësi të reja. Vë re tek vetja që nuk ndjej më të njëjtjat emocione kur më duhet të flas përpara njerëzve. Tani e kam më të lehtë të punoj me projekte, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Aktivitetet e qendrës më kanë shtyrë të jem e gatshme të marr pjesë në çdo lloj konkursi apo aktiviteti social.
A keni arritur diçka që nuk e kishit menduar më parë?
Duke qenë hera e parë që merrja pjesë në aktivitete të tilla, zbulova anë të vetes që nuk i njihja më parë, si për shembull shpirtin konkurrues. Qendra kishte menduar gjithçka deri në detaje, deri edhe ushqimin e shëndetshëm. Ne ndiheshim të sigurt edhe pa prindërit – gjithë ky kujdes i treguar për mirëqënien tone, e bëri përvojën akoma më të veçantë.
Si ndiheni sot kur shihni këtë rrugëtim?
Unë ndihem krenare për atë që kam arritur. Përveç çmimit të parë që fituam si grup, aftësitë e reja që mora janë për mua edhe më të vlefshme, pasi do të më ndihmojnë më tej në zhvillimin tim, falë punës dhe përkushtimit të udhëheqësve.
Çfarë do t’u thoshit prindërve të tjerë që ndodhen në një situatë të ngjashme?
Do t’u thosha prindërve që të inkurajojnë fëmijët e tyre të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme, pavarësisht nëse janë djem apo vajza, distancës nga shtëpia dhe aftësive që kanë, të kufizuara ose jo. Këto aktivitete na ndihmojnë ne fëmijëve të zhvillohemi në aspekte të shumta.
BE për Kujdesin Social financohet nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga UNICEF dhe World Vision, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.